LAJMI I FUNDIT:

Pasojat e spektatorit

Pasojat e spektatorit
Ilustrim

Pak kohë më parë, UNICEF-i nisi një fushatë në Suedi me moton: “Like-t nuk shpëtojnë jetë”. Fushata i drejtohej indiferentizmit real të njerëzve në jetën e përditshme, përballë pasojave negative të shumë fëmijëve, viktima të bulizmit, ndërkohë që aktet pozitive apo reagimet online të shumë personave kundër këtij fenomeni merrnin në mënyrë virtuale “Like”.

Fushata, në fakt, preku njërën nga plagët që vijojmë të prekim çdo ditë në jetët tona – indiferencën në rritje përballë së keqes. Pavarësisht artikulimit shumë të mirë online, në profile të ndryshme, më tepër duket sikur prekim vetëm “dy minutat e së vërtetës” të personazheve të Oruellit (romani “1984”) sesa arrijmë të ndikojmë në shoqëri.


Madje, liderë të ndryshëm ndërkombëtarë, më tepër ata autokratë, që në fillim të përdorimit së rrjeteve sociale mund të jenë trembur nga ideja e të vërtetave, që mund të thuheshin jashtë kontrollit të tyre, janë ata vetë që sot i shfrytëzojnë këto dritare komunikimi për të kontrolluar apo për të dirigjuar “të vërtetat”, që thuhen nga qytetarë të ndryshëm me tone zemërimi.

Ideja se janë bashkë në një mendje kur shprehen, por që pakkush reagon praktikisht, i kthen kauzat online në një furtunë në gotë, pa pasur asnjë pasojë të vërtetë në jetën publike. Në fakt, një nga “krimet” me më tepër ndikim në jetët tona, por për të cilën reagohet shumë pak, është indiferenca e shumëkujt për të thënë atë që duhet, për të denoncuar të keqen, për t’u distancuar nga ajo që e frenon njeriun të ecë me këmbët e mbështetura në dinjitetin e tij.

Duke qenë se flasin nëpër rrjete sociale, prekja e problemeve tona reale ka nisur prej kohësh të zbehet. Madje, shumë qeveri, përmes mbështetjes që i bëjnë spektaklit, i ftojnë njerëzit t’u jepen industrisë së argëtimit, duke i bindur se nuk është më në dorën e tyre të ndryshojmë botën, por vetëm ta lexojmë dhe të gjejmë rrugët për të mbijetuar pa u prekur nga shenja e së keqes. Një gënjeshtër që shumë e dallojnë vetëm kur edhe në jetët e tyre troket e keqja.

Një e keqe që troket atëherë kur edhe të tjerët mund të të ndihmojnë vetëm virtualisht, me “like”, por jo duke qene pranë teje, jo duke të zgjatur dorën të dalësh nga humnera e të rinisësh sërish udhëtimin për t’u ringritur. “Pasojat e spektatorit”, në fakt, mund të jenë të gjithanshme, pasi një qëndrim i tillëi qytetarëve, larg realitetit, i kthen veprimet e shumë qytetarëve edhe më të dirigjuara nga pushtetet politike.

Psikologu Stanley Milgram, profesor në Universitetin Yale, në ShBA, në librin e tij “Bindja ndaj autoritetit” (1974) tregon përmes mbledhjes së shumë të dhënave se, gjatë historisë njerëzore, më shumë krime janë bërë në emër të bindjes dhe jo në emër të rebelimit. Për të pasur parasysh këtë përfundim të Milgramit, do të mjaftonte justifikimi i nazistëve për krimet e tyre kundër hebrenjve dhe krimet e ndodhura në diktatura të ndryshme, ku shumë prej atyre që kryen krimet, u justifikuan me shprehjen “zbatova urdhrin”, apo “ashtu ishte koha”.

Këto justifikimeve kanë qenë jashtëzakonisht të përsëritura në këto tridhjetë vjet ndryshimesh në shoqërinë shqiptare nga ata që morën pjesë në krime për pesëdhjetë vite, duke bërë që e vërteta të mos zbardhet, ose të tregohet e përgjysmuar. Në këtë moslexim siç duhet të së shkuarës, një rol ka luajtur pikërisht “pasoja e spektatorit”, e cila vijon ende të mbajë shumë njerëz bashkë vetëm nëpër rrjete online, por jo me reagimin e duhur publik. Ne kemi nevojë ta rikthejmë moton e disa viteve më parë të UNICEF-it, sepse “Like-t nuk arrijnë të shpëtojnë jetë”, por vetëm sa mbajnë gjallë gënjeshtrën se ne po marrim pjesë në politikëbërje apo në dhënien e mendimit për atë që duhet bërë nga politika. Për fat të keq, përmes “like”-ve duket se vetëm sa kemi shtuar ushtrinë e atyre që nuk besojnë se bashkë njerëzit mund të ndryshojnë shumë. Madje, edhe më keq, duket se kemi fituar më shumë nga ata që jetojnë me jetët e të tjerëve, duke vëzhguar nga dritaret online. Këta vëzhgues që ushtrojnë “trimërinë” e tyre vetëm përmes anonimatit, përbëjnë edhe ushtrinë më të madhe të të dekurajuarve.

Ndaj, për aq sa do vijojmë të jemi “spektatorë”, duke menduar se të tjerët duhet të jenë ata që të reagojnë, që të thonë të vërtetën, ne vetëm sa kemi lënë veten tonë në dorë të të tjerëve për të marrë vendime për ne, për të vendosur të ardhmen tonë. Në këtë mes, politika, pa dyshim, që do vijojë të jetë e para që “do të fusë duart”, pasi bota e spektatorit është bota më e sigurt që shoqëria do të jetë apatike, indiferente, ndaj së keqes dhe padrejtësive.