LAJMI I FUNDIT:

Pasojat e pandemisë së COVID-19, 30 për qind e bizneseve në Kosovë kanë zvogëluar numrin e punëtorëve

Pasojat e pandemisë së COVID-19, 30 për qind e bizneseve në Kosovë kanë zvogëluar numrin e punëtorëve
Foto: Ilustrim

Për të matur ndikimin që masat kufizuese kundër përhapjes së pandemisë COVID-19 kanë pasur në sektorin privat, pesë organizata që përfaqësojnë interesat e biznesit, Oda Ekonomike e Kosovës, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare, Këshilli i Investitorëve Evropianë dhe Klubi i Prodhuesve të Kosovës, kanë kryer një anketë të përbashkët, rezultatet e së cilës janë shpërndarë tek institucionet e vendit dhe institucionet financiare ndërkombëtare.

Sipas kësaj ankete, e cila është kryer me 462 biznese në fillim të muajit prill rezulton se, 30 për qind e ndërmarrjeve të anketuara janë deklaruar se kanë zvogëluar numrin e të punësuarve.


“Për sa i përket numrit të punonjësve, 30 për qind e ndërmarrjeve të anketuara janë deklaruar se kanë zvogëluar numrin e të punësuarve. Sipas madhësisë së ndërmarrjeve, rezulton që më së paku punonjës janë larguar nga ndërmarrjet e mëdha, ku vetëm 10 për qind e tyre kanë larguar deri në 30 për qind të fuqisë punëtore. Ndërsa largimet më të mëdha raportohen në ndërmarrjet mikro dhe ato të vogla ku rreth 13.9 për qind e tyre kanë larguar mbi 50 për qind të të punësuarve”, thuhet në rezultatin e prezantuar nga odat, shkruan Telegrafi.

Po ashtu, sipas tyre, mbi 60 për qind të bizneseve u rrezikohet mbijetesa e tyre nga pandemia COVID-19.

Odat ekonomike: Mbi 60 për qind të bizneseve u rrezikohet mbijetesa e tyre nga pandemia COVID-19
Lexo po ashtu Odat ekonomike: Mbi 60 për qind të bizneseve u rrezikohet mbijetesa e tyre nga pandemia COVID-19

“Mbi 60 për qind e ndërmarrjeve të anketuara besojnë se pandemia COVID-19 rrezikon mbijetesën e tyre. Gjetjet tregojnë se më të rrezikuarat ndjehen ndërmarrjet mikro dhe ato të vogla me mbi 65 për qind të tyre që janë deklaruar se u rrezikohet mbijetesa, derisa 44.8 për qind e ndërmarrjeve të mesme dhe 40 për qind ndërmarrjeve të mëdha besojnë se pandemia rrezikon mbijetesën e biznesit të tyre. Sipas sektorëve, më i rrezikuari është sektori i ndërtimtarisë me 75 për qind, përcjellë nga sektori i shitjes me pakicë me 57.3 për qind, prodhimtaria me 56.6 për qind dhe tregtia me shumicë me 54.7 për qind”, vijon reagimi.

Bizneset në Kosovë zvogëlojnë kapacitetet pas pandemisë së COVID-19, kërkojnë ndihmë nga qeveria
Lexo po ashtu Bizneset në Kosovë zvogëlojnë kapacitetet pas pandemisë së COVID-19, kërkojnë ndihmë nga qeveria

Për t’iu dalë në ndihmë bizneseve dhe kategorive tjera të shoqërisë të prekura nga kjo situatë, Qeveria në detyrë e Kosovës me propozimin e Ministrisë së Financave dhe Transfereve, ka miratuar Pakon Emergjente Fiskale në vlerë prej 179.6 milionë eurosh. /Telegrafi/