LAJMI I FUNDIT:

Bizneset në Kosovë zvogëlojnë kapacitetet pas pandemisë së COVID-19, kërkojnë ndihmë nga qeveria

Bizneset në Kosovë zvogëlojnë kapacitetet pas pandemisë së COVID-19, kërkojnë ndihmë nga qeveria

Shumë biznese, konkretisht industria e prodhimit në Kosovë, ka zvogëluar kapacitet e saja pas shpërthimit të pandemisë së COVID-19.

Sipas përfaqësueseve të biznesit dhe afaristëve prodhues, kjo po ndodh për shkak se ka rënë fuqia konsumuese. Lidhur me këtë, për të rikuperuar dëmet në biznes, ata po kërkojnë përkrahje financiare nga qeveria.


Në vendimin për ndërprerjen e veprimtarisë të disa bizneseve, si masë për të parandaluar përhapjen e Coronavirusit, Qeveria në detyrë e Kosovës ka urdhëruar që të ketë kujdes të shtuar në sektorin e prodhimit.

Kryetari i Aleancës së Biznesit, Agim Shahini për Telegrafin tregon se 80 për qind e operatorëve ekonomik në Kosovë janë pasiv dhe se po vazhdon të bie aftësia konsumuese.

Shahini tha se, fondet e propozuara nga qeveria janë të vogla dhe jo gjithëpërfshirëse.

“AKB vlerëson se pandemia botërore edhe mund te kaloj se shpejti por ekonomia e vendit po bije duke lënë pasoja të rënda në Kosovë, qeveria nuk ka strategji për riparimin e saj qoftë afatshkurtër apo afatmesëm, deri sa 80 për qind të operatorëve ekonomik janë pasive dhe nuk dihet kur do fillojnë për çdo ditë po bie edhe fuqia konsumuese, e cila e mban ekonominë aktive. Kurse fonde e propozuara janë të vogla jo gjithëpërfshirëse dhe diskriminuese ndaj sektorit privat”, tha Shahini.

Pronari i kompanisë “Frutex”, që merret me prodhimin e pijeve joalkoolike, Shaqir Palushi thotë kjo situatë emergjente e ka vështirësuar operimin e kompanisë.

“Për ne shumë më e rëndësishme është ruajtja e shëndetit të punësuarve dhe familjeve te tyre se sa afarizmi i kompanisë, prandaj për të ruajtur shëndetin e tyre ne për dy javë nuk kemi punuar fare, kurse pas dy jave kemi filluar të punojmë me staf të përgjysmuar dhe kapacitet rrethe 50 për qind. E gjithë kjo e ka vështirësuar operimin e kompanisë , duke u zvogëluar edhe prodhimi dhe shitja si në tregun vendor po ashtu edhe eksporti. Kështu gjatë muajit mars kemi pasur të hyra me të vogla për 50 për qind sesa se parashikimet tona, dhe natyrisht që kjo situatë do të ketë efekte negative duke bërë të pamundur investimet e parashikuara, e nëse zgjatë për shumë muaj edhe të rrezikoj likuiditetin e kompanisë”, tha për Telegrafin, Palushi.

Ai tha se qeveria duhet ta mbështesë sektorin prodhues, ku sipas tij, nëse kjo situatë vazhdon atëherë ky sektor do të ketë vështirësi.

“Ne i mirëpresim masat e ndërmarra nga ana e qeverisë, por për muajin mars dhe muajin prill ne do t’i paguaj të gjitha pagat pa kërkuar mbështetje nga ana e qeverisë, dhe besoj që ka shumë sektor në Kosovë të cilët janë goditur më shumë se sektori prodhues dhe në radhë të parë duhet mbështetur ata sektorë. Por nëse kjo situatë zgjatë për shumë muaj, atëherë sigurisht që edhe sektorët prodhues do ta kenë të pamundur të mbijetojnë pa mbështetjen e qeverisë”, tha ai.

Edhe për afaristin Burim Piraj që është pronar i kompanisë për përpunimin e mishit “Meka”, kjo gjendje emergjente ka vështirësuar operimin e biznesit.

Piraj për Telegrafin tregon se, janë duke punuar me kapacitet të përgjysmuar.

“Fillimisht kërkesat kanë qenë marramendëse për prodhime, mirëpo me kohën ka një rënie dhe për momentin ne jemi duke punuar me gjashtëdhjetë për qind të kapaciteteve, nëse nuk do të vazhdoj rënia e shitjeve në këtë nivel çdo gjë është e përballueshme”, tha Piraj.

Ai tha se të gjithë ndërmarrjet duhet të janë të barabarta në Pakon Emergjente Fiskale.

“Me vetë faktin se është Pako Emergjente nënkupton se nuk është e plotë, pakoja është miratuar për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme po jo për të mëdhatë që vërtetë nuk e di arsyen pse, të gjithë duhet të jenë të barabartë dhe me të vërtetë mendoj se duhet të rishqyrtohet kjo nga Qeveria e Kosovës”, tha ai.

Ai shton se nuk do të aplikojnë për ndihmë nga Pakoja Emergjente Fiskale, ku sipas tij duhet të përkrahen zinxhirët e marketeve në mënyrë që të mos dështoj ekonomia.

“Ne kemi vendos të mos aplikojmë për pakon në fjalë, ka kompani tregtare që kanë zinxhir marketesh që kjo situatë i ka dëmtuar dukshëm dhe mendoj se ato duhet të përkrahen, sepse sikur ato të dështojnë atëherë do të ketë dështim zinxhirë shumë të dëmshëm për tërë ekonominë tonë. Ne situatën e krijuar e konsiderojmë fatkeqësi dhe do të mundohemi t’ia dalim pa ndonjë ndihmë nga qeveria. Nëse kjo situatë do të vazhdoj më shumë se tre muaj ky vit do të jetë shumë problematik për ekonominë tonë dhe pasojat do të bartën dhe në vitet e ardhshme”, shtoi ai.

Mjekët, infermierët, policët, zjarrfikësit dhe punëtorët e dyqaneve disa nga përfituesit e Pakos Emergjente Fiskale
Lexo po ashtu Mjekët, infermierët, policët, zjarrfikësit dhe punëtorët e dyqaneve disa nga përfituesit e Pakos Emergjente Fiskale

Për t’iu dalë në ndihmë bizneseve dhe kategorive tjera të shoqërisë të prekura nga kjo situatë, Qeveria e Kosovës me propozimin e Ministrisë së Financave dhe Transfereve, ka miratuar Pakon Emergjente Fiskale në vlerë prej 179.6 milionë eurosh. /Telegrafi/