LAJMI I FUNDIT:

Pasioni sipas Polla Jean Harveyit

Pasioni sipas Polla Jean Harveyit

Britmë, heshtje, më në fund sukses. Ky është evolucioni i PJ Harvey, të cilën e krahasojnë me Madonnën, Kurt Cobainin dhe Nick Caven. Shkrimi i mëposhtëm është botuar më 1999 në Javoren Politike Shqiptare – “Zëri”.

Nga: Blerim Shala


Polly Jean Harvey është Nick Cave i gjinisë femërore apo Madonnë e skenës së pavarur të rock-muzikës.

Në kërkim të personaliteteve me të cilat do të mund të krahasohej, rock-kritikët kështu gjymtuan një figurë aq komplekse dhe aq komplete, çfarë është PJ Harvey.

PJ Harvey doli në skenë si e mbrama, në aspektin kohor, ndër femrat kreative të fundviteve të ’80-ta. Pas një Sinead O’Connor, Tracy Chapman, Tory Amos, por edhe Madonnës, e cila me të ecur në karrierë fitonte peshë si një autore dhe këngëtare dhe i dytësonte atributet e saja erotike, PJ Harvey, me tërë atë rrebesh mllefi krejtësisht pak të zbutur nga producentët në albumet “Dry” dhe “Rid of Me” (të edituar në vitet 1992-93), thuajse dëshironte të jetë Kurt Cobain femëror.

Përvoja personale e përbërë në masë të madhe nga vetë-refuzimi për adaptim në një mjedis vlerash urbane perëndimore, të cilat kënaqësinë e lidhin me vikend, obligimet me ditë pune dhe përkushtimin religjioz me një të diele, me Pashkë dhe Kërshëndella, e ndërlidhur me aftësinë e saj për të shfaqur artistikisht paaftësinë e adaptimit ndaj këtyre klisheve, bëri që PJ Harvey të pranohet si britmë (e jo si zë) e brezit të saj.

Natyrisht, pas britmës dhe piskamës, pason heshtja dhe tentimi që paksa ndryshe të shprehet pakënaqësia. Më 1995 PJ Harvey editon albumin “To bring you my love”, ndërsa më 1998, atë të titulluar “Is this desire”. Te të dytë, PJ Harvey dëshmon tërë kreativitetin e nxjerrë nga mllefi dhe tregon se sot, mbase është autorja më e fuqishme femërore në rockun botëror. /Telegrafi/