LAJMI I FUNDIT:

Pas zgjedhjeve në Serbi, Sanxhaku me autonomi?

Pas zgjedhjeve në Serbi, Sanxhaku me autonomi?

Edhe pse nuk u arrit ndonjë marrëveshje ne mes Zukorliqit dhe Uglaninit, sloganet e tyre lënë të kuptohet se Lajiq është kundërshtar i përbashkët i tyre. Votuesit në Sanxhak tashmë e kanë kuptuar se politikës pro serbe të Rasim Lajiqit i ka ardhur fundi.

Të dy kundërshtarët e Lajiqit dalin me sloganet – njëri për “bashkim” e tjetri për “pajtim” – që kanë për qëllim ta bindin popullin e Sanxhakut që t’ju kthehen liderëve që kanë për qëllim krijimin e autonomisë për Sanxhakun dhe ndërtimin e një autostrade që do të lidhte vendim me Sarajevën dhe Mitrovicën. Një gjë e këtillë ripërtërinë urat e bashkëpunimit me Kosovën.


Lëvizjet e fundit të delegacioneve të ndryshme të Këshillit Kombëtar Boshnjak dhe ato të studentëve në manifestimin e “Epopesë së UÇK-së“, flet shumë në këtë aspekt. Lajiq del me sloganin “Serbia fiton”, i cili haptas është kundër autonomisë dhe, sipas tij, “për” autostradën e cila lidhë Serbinë me Malin e Zi!

Me rastin e vizitës që ua bëri shtandeve për mbledhjen e nënshkrimeve, Zukorliq vlerësoi se do të dëshmojë se, megjithatë, ekzistojnë politikanë të cilët e flasin të vërtetën.

Edhe pse mediet në internet, të kontrolluara nga Zukorliqi, e cilësojnë kandidimin e tij të sërishëm si një “bombë”, kundërshtarët nuk i ka habitur shumë ky hap i tij. Portali ‘Sandzacke Novine’, akuzon Zukorliqin për përdorimin e infrastrukturës dhe të gjitha burimeve tjera të Bashkësisë Islame në shërbim të politikës për zgjedhjet lokal dhe parlamentare.

Deputeti i PAD-it (SDA), mjaft i zëshëm në Parlamentin serb, ka deklaruar se “vet emërtimi i listës thotë se parimi i unitetit të çështjeve kryesore për popullin boshnjak dhe rajonin e Sanxhakut edhe në këto zgjedhje, si dhe të gjitha deri më tani, do të jetë baza mbi të cilën PAD hyn në garë. PAD-i i Sanxhakut, si përfaqësues legjitim i boshnjakëve, në mes të tjerash do të angazhohet për integrim evropian të Serbisë dhe në NATO, ndryshime në Kushtetutë, reformën e sistemit politik dhe për autonominë e Sanxhakut”.

Edhe pse kandidatura e Zukorliqit ia prish llogaritë Lajiqit, adhuruesit e tij shpresojnë se nuk do të ndryshojnë rezultatet e zgjedhjeve të cilat do të mbahen me 24 prill të këtij viti. Të njëjtit, pra rivalët politikë të Zukorliqit në Sanxhak, pohojnë se ngrirja e funksionit të myftiut është precedent që ndan popullin.

Meho Omeroviq nga SDPS e Lajiqit, i frustruar me kandidimin e Zukorliqit, shton: “Ky njeri fyen inteligjencën e popullit të vet. Le të kujtojmë se ai gjithashtu ishte kandidat presidencial. Ai pastaj është transferuar me vendbanim në Srebrenicë, ka marrë pjesë në zgjedhjet lokale në komunën e Srebrenicës, ka paralajmëruar kandidaturë për presidentin e Republikës Serbe. Ky njeri është thjesht i etur për vëmendje të medieve dhe ai kujdeset vetëm për vetveten”, ka thënë Omeroviq.

Aktivistja për të drejtave e njeriut, Aida Çoroviq, një anëtare nga lista e demokratëve në Parlamentin e mëparshëm serb, nuk pret ndryshime të mëdha pas këtij vendimi të Zukorliqit. Çoroviq shton: “Nuk mendoj se do t’i rriten shanset në mënyrë dramatike. Mendoj se nuk do të duhet të ketë ndryshime të mëdha, por unë nuk do të thosha se boshnjakët i rregulluan të gjitha punët. Shumë gjëra duhet të diskutohen me akterët politikë në vend. Boshnjakët dhe myslimanët në Sanxhak shumë gjëra nuk i kanë zgjidhur. Para së gjithash, mendoj në gjendjen ekonomike“.

Çoroviq ka shtuar se “një nga çështjet që duhet përmendur është edhe se si do të reagojë për këto ndryshime, jo vetëm opinioni në Sanxhak, por edhe zyrtarët në Sarajevë dhe Beograd.

Si duket të gjithë ia kanë frikën liderit fetar, Zukorliqit, i cili kësaj radhe e ka shumë seriozisht garën për t’u futur në Parlamentin serb dhe për të marr pushtetin lokal.

Derisa aktivistët e listës “Muamer Zukorliq – për pajtim” për disa ditë me radhë mbledhin nënshkrime në qendër të qytetit, në të njëjtin vend janë shfaqur edhe aktivistët e listës “SDA e Sanxhakut – Dr. Sulejman Ugljanin”.

Sot, siç mund të lexojmë në mediet e Sanxhakut, të rinjtë e Bashkësisë Demokratike Boshnjake (BDZ), lider i së cilës tashmë edhe zyrtarisht është Zukorliq, në frymën e sloganit të tyre nderuan aktivistët dhe zyrtarët e PAD-it me ëmbëlsira dhe i uruan fat në mbledhjen e nënshkrimeve dhe fushatën e ardhshme zgjedhore. Pas kësaj, përfaqësuesit e PAD-it, këndshëm të befasuar, ua kthyen atyre peshqeshin me një flamur të Sanxhakut. Nga shtabi i listës “Muamer Zukorliq – për pajtim”, thonë se do të vazhdojnë të promovojnë idenë e pajtimit, fushatë të drejtë, korrekte dhe shtrirje të dorës së pajtimit për të gjithë pjesëmarrësit tjerë në garën e ardhshme zgjedhore.

Edhe pse nuk u arrit ndonjë marrëveshje në mes Zukorliqit (myftiut të Sanxhakut), i cili ka ngrirë funksionin e tij për të marrë pjesë në zgjedhje, dhe Uglaninit – lider politik deri më tani i pakontestuar i Sanxhakut – sloganet dhe sjelljet e të rinjve nga të dy palët lënë të kuptojnë se ekziston një përafrim dhe se Lajiq është kundërshtar i përbashkët i tyre.

Votuesit në Sanxhak, tashmë e kanë kuptuar se politikës proserbe të Rasim Lajiqit i ka ardhur fundi. Një gjë e tillë u vërejt edhe nga gjesti i lartëpërmendur i të rinjve të të dy palëve, i cili mori admirimin e shumë qytetarëve të cilët shpresojnë për një bashkim të këtyre dy partive për ta marrë pushtetin lokal dhe për t’u futur me numër më të madh në Parlamentin serb dhe në Qeveri.