LAJMI I FUNDIT:

Pas taksës, Shqipëria dyfishon eksportin në Kosovë, Serbisë i bie eksporti mbi 98% (Infografikë)

Pas taksës, Shqipëria dyfishon eksportin në Kosovë, Serbisë i bie eksporti mbi 98% (Infografikë)
Krahasimi i importit sipas vendeve të origjinës (janar-mars 2018-2019) | Burimi: Dogana e Kosovës

Nga vendosja e taksës 100 për qind për produktet nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina, ka pasur rënie të importit nga këto dy vende.

Sipas të dhënave që i ka siguruar Telegrafi nga Dogana e Kosovës, për periudhën janar-mars 2018 dhe 2019, del që Serbia nga kjo taksë ka humbur 98.15 për qind të importit, ndërsa Bosnja dhe Herzegovina ka humbur 89.51 për qind.


Në tremujorin e parë të 2018-së, Serbia në vendin tonë kishte eksportuar 97.8 milionë euro mallra, ndërsa këtë vit vlera e eksportit është afër 2 milionë euro.

Po ashtu, Bosnja dhe Hercegovina në pjesën e parë të vitit 2018 kishte eksportuar 14.3 milionë euro, mirëpo kjo vlerë në vitin 2019 është 1.5 milionë euro, shkruan Telegrafi.

Krahasimi i importit sipas vendeve të origjinës (janar-mars 2018-2019) | Burimi: Dogana e Kosovës

Por ndryshe ndodhi me shtetet tjera. Në listën prej dhjetë importuesve sipas vendeve të origjinës për vitin 2018-2019, del se Sllovenia është në vend të parë me një rritje të eksportit në raport me Kosovën me 134.47 për qind, pasuar nga Maqedonia e Veriut me 58.73 për qind dhe Greqia me 54.91 për qind. Për sa përket Shqipërisë ka një rritje prej 49.28 për qind, ku në tremujorin e parë të 2018-së, vlera e importuar nga ky vend ishte afër 28 milionë euro, ndërsa në të njëjtën periudhë të 2019-së është rritur në 42 milionë euro.

Në listën e vendeve me të cilat Kosova ka rritur importin janë edhe Kina, Italia, Turqia, Bullgaria dhe Polonia.

Në emisionin “Përballje” me gazetarin Muhamet Hajrullahu në RTV Dukagjini, drejtori i Doganës së Kosovës, Bahri Berisha, ka thënë se Serbia e Bosnja janë dëmtuar me qindra miliona euro që nga vendosja e taksës.

“Sllovenia ka rritur eksportet në Kosovë për 134 për qind në krahasim me tre muajt e vitit të kaluar. Rritje po ashtu ka edhe Bullgaria 47 për qind, Gjermania është rritur me 21 për qind, Turqia 37 për qind, Kina me 15 për qind, Maqedonia me 58 për qind, Italia me 2 për qind, Greqia me 55 për qind dhe Shqipëria me 49 për qind”, ka thënë Berisha.

Krahasimi i importit sipas vendeve të origjinës (janar-mars 2018-2019) | Burimi: Dogana e Kosovës

Kujtojmë se Qeveria e Kosovës më 21 nëntor 2019 kishte marrë vendim që ta rrisë në 100 për qind taksën doganore ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnjës e Hercegovinës. /Telegrafi/