LAJMI I FUNDIT:

Pas shkarkimit të Hajdarit, pritet dorëheqja edhe e kryetarit të bordit të AKP-së

Pas shkarkimit të Hajdarit, pritet dorëheqja edhe e kryetarit të bordit të AKP-së

E patën votuar për drejtor të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP), njëzëri të gjithë tetë anëtarët e Bordit, kurse vetëm dy vite më pas shtatë nga tetë anëtarët e Bordit e votuan shkarkimin e tij.

Kjo i ndodhi Ekrem Hajdarit, i cili ishte drejtor në AKP deri ditën e premte. Për dy vite Hajdari i humbi shtatë vota të anëtarëve të Bordit, nga tetë anëtarë sa i ka gjithsej Bordi i AKP-së, shkruan ORAinfo.


Një nga anëtarët e Bordit në kushte anonimiteti tha se në mbledhjen e të premtes së Bordit, shtatë anëtarë: Avni Ajdini, që është edhe kryetar i BSPK-se, Hasime Mazreku-Krasniqi, Bajram Zejnullahu, nënkryetar i Bordit, Qemajl Behrami, Bekim Selimaj, përfaqësuesi i komuniteteve Ranko Djokiç dhe Skender Komoni kërkuan ta qesin në rend dite shkarkimin e tij dhe që të gjithë njëzëri e votuan shkarkimin e tij.

I vetmi që ishte kundër shkarkimit të Hajdarit ishte drejtuesi i Bordit, Petrit Gashi, ai i cili edhe e kishte propozuar shokun e tij Hajdarin dy vite më parë për drejtor në AKP. Hajdari ishte caktuar në maj 2016 në këtë pozitë pa konkurs dhe pa iu nënshtruar kurfarë konkurrence.

Tani, pasi që i përzgjedhuri i tij u shkarkua dhe ai nuk pati përkrahjen e anëtarëve të tjerë të Bordit, burime të ORAinfo bëjnë të ditur se edhe Petrit Gashi pritet të ofroj dorëheqjen nga pozita e drejtuesit të Bordit. Edhe ashtu mandati i tij skadon në fund të vitit dhe vështirë t’i vazhdohet mandati nga ana e Kuvendit të Kosovës, kur kihet parasysh se ishte LDK-ja në pushtet e Isa Mustafa kryeministër koha kur Gashi ishte propozuar për të udhëhequr Bordin.

Hajdari u shkarkua për disa arsye që i kanë renditur anëtarët e Bordit, e që lidhen kryesisht me mosefikasitet në punë e neglizhencë në veprimtarinë e përgjithshme të Agjencisë. Kujtojmë se drejtori i AKP-së ka pagën më të lartën në vend, mbi 5000 euro në muaj. Duke bërë një llogaritje të thjeshtë del se Hajdari për 2 vjet në këtë pozitë ka përfituar një shumë rreth 120 mijë euro, pa llogaritur këtu edhe përfitimet e benificionet e tjera që i ka pasur. /ORAinfo/Telegrafi/