Aplikimi për viza pune nga punëtorët aktual dhe ikja e të rinjve drejt Evropës janë disa nga problem që bizneset pritet t’i kenë pas liberalizimit të vizave.

Sipas Odës Ekonomike të Kosovës (OEK) nga tremujori i tretë i vitit 2017 e deri tash Kosova ka humbur 24 mijë e 100 vende të punës.

“Që nga tremujori i tretë i vitit 2017 e deri tash Kosova ka humbur 24 mijë e 100 vende të punës. Këtë e keni zyrtarisht në tabelat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës. Supozimet janë që një pjesë e madhe e njerëzve kanë marrë viza pune dhe këto vende të punës nuk i kanë zëvendësuar kompanitë”, ka thënë OEK, gjatë publikimit të indikatorit matës të Klimës së Biznesit në vend për tremujorin e dytë të vitit 2018, shkruan Telegrafi.

Kryetari i OEK-ut, Berat Rukiqi, për Telegrafin tha se për shkak të liberalizimit të vizave pritet të largohet një numër i madh i qytetareve të Kosovës, e po ashtu mund të largohet edhe një pjesë e të punësuarve nëpër kompani.

Rukiqi tha se tendencë të largimit të punëtorëve për këtë pjesë të vitit ka pasur sektori i ndërtimtarisë dhe tregtisë me pakicë.

“Supozimet janë që një pjesë e madhe e njerëzve kanë marrë viza pune dhe këto vende të punës nuk i kanë zëvendësuar kompanitë. Ka edhe një supozim tjetër se për shkak për çdo rast të liberalizimit të vizave, shumë kompani kanë drojën që një numër i madh i njerëzve do të largohen. Largimi i këtyre punëtorëve ka qenë e mundur që të jetë e lidhur me punësimin sezonal. Prej asaj që e kemi parë në anketën tonë, prirje më negative për këtë pjesë të vitit ka pasur sektori i ndërtimtarisë dhe tregtisë me pakicë”, tha Rukiqi.

Pronari i Kompanisë “Frutex”, Shaqir Palushi, ka thënë për Telegrafin se ikja e të rinjve do ta rrezikoj numrin e të punësuarve.

“Tendenca e të rinjve të Kosovës të ikin jashtë vendit është shumë e madhe dhe kjo në njëfarë mënyre do ta rrezikoj numrin e të punësuarve, por prapë se prapë do të vijnë ditë më të mira dhe në mënyra të tjera ne do të detyrohemi t’i rrisim pagat edhe pse jo gjithmonë është pengesë kjo”, tha për Telegrafin, Palushi.

Ai tha se marrja përvojave të reja nga të rinjtë do të rris konkurrencën në kompanitë kosovare.

“Dalja e të rinjve jashtë Kosovës duke marr eksperienca të reja ku pastaj do të rritet mundësia që ata me një përvojë të re do të rris konkurrencën dhe cilësinë e shërbimeve në radhë të parë të kompanive në Kosovë”, ka thënë biznesmeni Shaqir Palushi.

Por, Bashkim Osmani, pronar i kompanisë “Laberion”, ka thënë për Telegrafin se ikja drejt Evropës do të zgjas shumë shkurt dhe jo aq gjatë që të ketë pasoja të mëdha.

“Do të jetë një fluks i madh i atyre që do t’ia mësyjnë Evropës, por mendoj se kjo do të zgjas shumë shkurt dhe jo aq gjatë që të lë pasoja të mëdha, sepse shumica e tyre do t’i shfrytëzojnë lidhjet e veta familjare dhe kur të shkojnë atje e shohin se duhet punë dhe angazhim, përpjekje e madhe që të sigurojnë një punë, atëherë shumica prej tyre do të kthehen mbrapa dhe do të janë më të përkushtuar për punën. Nga përvoja e vendeve të tjera, kjo do të jetë një tranzicion”, tha Osmani.

Sipas tij, të gjithë atë punëtorë që nuk trajtohen mirë, do të ikin nga Kosova.

“Punëtorët duhet të trajtohen dhe paguhen mirë. Nëse kjo bëhet, atëherë nuk besoj se do të gjendet edhe më mirë në Evropë, ndërsa ata që nuk janë trajtuar mirë nëse gjejnë punë dhe kushte më të mira atëherë do të ikin nga vendi”, tha Bashkim Osmani.

Ndërkaq, Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), në raportin “Anketa e Fuqisë Punëtore, tremujori i dytë 2018”, tregohet se papunësia e të rinjve është mjaftë e lartë.

“Shkalla e papunësisë tek të rinjtë është 55 për qind. Papunësia afatgjate e të rinjve, grupmosha 15-19 vjeç, që kanë qenë të papunë për më shumë se 12 muaj për këtë tremujor është 38.2 për qind. Përqindja e të rinjve që nuk janë të punësuar, as në shkollim, as në trajnim është 30.2 për qind. Bazuar në tremujorin e dytë të vitit 2018, 28.4 për qind e të papunëve në Kosovë ishin të rinj, grupmosha 15-24 vjeç, me 16.1 pikë diferencë midis meshkujve dhe femrave”, thuhet në raportin e ASK-së.

Sipas ASK-së, shkalla e papunësisë është rritur për 2.9 për qind.

“Krahasuar me tremujorin e parë 2018, në Kosovë kemi rritje të shkallës së papunësisë me 2.9 për qind, ku kjo rritje te meshkujt ishte 3.2 për qind, përderisa te femrat kemi rritje me 1.9 për qind. Nga 40.4 për qind e popullsisë, që është ekonomikisht aktive me 29.4 për qind apo 142 mijë e 550 persona janë të papunë. Kjo do të thotë se 59.6 për qind apo 484 mijë e 160 e personave ekonomikisht aktivë janë të punësuar, duke krijuar një raport punësimi ndaj popullsisë prej 28.5 për qind”, thuhet vijon raporti. /Telegrafi/