Pas dekretimit të dorëheqjeve të prokurorëve serbë, reagon Ambasada britanike

Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në Prishtinë ka reaguar pas zhvillimeve të fundit në sistemin e drejtësisë në Kosovë, pas dekretimit të dorëheqjeve të shtatë prokurorëve serbë nga ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu.
Në reagimin e saj, Ambasada britanike ka theksuar rëndësinë e integrimit të të gjitha komuniteteve në sistemin e drejtësisë dhe ka shprehur shqetësim për zhvillimet e fundit, duke kërkuar që të ruhet besimi i qytetarëve në institucionet e sundimit të ligjit.
“Mbretëria e Bashkuar e mirëpriti Marrëveshjen për Drejtësinë të vitit 2015, e cila integroi strukturat e veriut të Kosovës në kornizën ligjore të Kosovës, duke garantuar njëkohësisht përfaqësim të konsiderueshëm të serbëve të Kosovës”, thuhet në njoftimin e Ambasadës.
Ambasada rikujtoi se dorëheqjet masive të gjyqtarëve, prokurorëve dhe stafit administrativ në vitin 2022 i kishte konsideruar si një hap prapa, që sipas saj dëmtoi interesat e qytetarëve të Kosovës.
“Ne i konsideruam dorëheqjet masive të gjyqtarëve, prokurorëve dhe stafit administrativ në vitin 2022 si një hap prapa, duke dëmtuar interesat e qytetarëve të Kosovës”, thuhet më tej.
Ambasada britanike ka bërë thirrje që komunitetet e ndryshme në Kosovë të jenë pjesë e sistemit të drejtësisë, me qëllim forcimin e besimit publik në institucionet e sundimit të ligjit.
“Ne bëjmë thirrje për integrimin e popullsisë multietnike të Kosovës në sistemin e drejtësisë, për të mbështetur besimin e publikut në institucionet e sundimit të ligjit në Kosovë”, përfundon reagimi. /Telegrafi/



































