Deliu-Kodra në sallën e Kuvendit të Kosovës tha se nuk mund të ketë normalitet në shtetin e Kosovës nga ata të cilët, siç u shpreh ajo, ndonëse i obligon rregullorja, Kushtetuta dhe aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese, nuk e bëjnë atë që sot është domosdoshmëri, konstituimi i kuvendit.

“Po e them, PDK-ja do të jetë përditë në kuvend, do të jemi edhe sot brenda kuvendit për të bërë thirrje dhe po i bëjmë thirrje kryesuesit të seancës plenare që ta thërras seancën plenare siç e obligon rregullorja e punës së kuvendit. Kushtetuta e Kosovës është bërë me mund, gjak e sakrificë. Është cenuar themeli i shtetit dhe PDK-ja përsërit thirrjen e kthimit të rendit kushtetues që sot është domosdoshmëria kryesore. Nuk do t’i ndalim veprimet demokratike, institucionale, ligjore që duhet t’i ketë një përfaqësues i zgjedhur i qytetarëve të Kosovës për ta kthyer këtë vend në normalitet. Thirrja jonë është që të kthehet rendi kushtetues dhe t’i kthehemi punimeve të kuvendit”, tha ajo.


Tutje, Deliu-Kodra paralajmëroi se Partia Demokratike e Kosovës do të ndërmarrë edhe veprime të tjera për ta ruajtur rendin kushtetues.

“Asgjë sot më të rëndësishëm nuk ka sesa kthimi i rendit kushtetues. Po e mbyllim këtu sot, por do të vazhdojmë të jemi në Kuvendin e Kosovës dhe nuk do t’i ndalim veprimet tona politike, institucionale, demokratike por edhe veprime të tjera për ta ruajtur rendin kushtetues”, tha ajo, raporton KosovaPress.

Gjatë ditës, deputetë të PDK-së dhe Aleancës kanë kërkuar nga Lëvizja Vetëvendosje që të thirret vazhdimi i seancës konstituive. Gjatë kësaj kohe pati disa raste ku pati shtyrje fizike në mes deputetëve të partive ish-opozitare dhe të Lëvizjes Vetëvendosje. /KP/