LAJMI I FUNDIT:

Partitë politike në ‘luftë’ për koalicion me AKR-në

Partitë politike në ‘luftë’ për koalicion me AKR-në

Derisa Aleanca Kosova e Re (AKR), po përgatitet për zgjedhjet e parakohshme, brenda saj ka mendime të ndryshme se me kë duhet të lidhet koalicioni parazgjedhor. Partia e Pacollit, po kërkohet me ngulm nga partitë opozitare dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), që të jetë pjesë e koalicioneve parazgjedhore.

Burime të Telegrafit mësojnë se koalicioni komunal në mes AKR-së dhe Lëvizjes Vetëvendosje (VV), në komunën e Mitrovicës, dhe shpallja e Agim Bahtirit si kandidat i përbashkët – në mes këtyre dy partive – për zgjedhjet e ardhshme lokale, si duket është duke e ndikuar edhe koalicionin në nivelin qendror.


Por, i njëjti propozim sipas këtyre burimeve nuk po konfirmohet nga shefi i partisë, Behgjet Pacolli, i cili ka marrë ofertë për koalicion parazgjedhor nga partia e Mustafës.

Disa muaj më herët shefi i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, kishte thënë se janë duke biseduar më partinë e Pacollit, që ta bëjnë një bosht opozitar, përmes të cilit do të mund t’i fitonin zgjedhjet.

Por, nga ajo kohë e deri më tash nuk ka pasur asgjë konkrete në krijimin e një parneriteti në mes AKR-së dhe AAK-së.

Ndryshe, AKR dhe VV, përveç Mitrovicës, koalicionin në nivelin komunal, e kanë edhe në Komunën e Prishtinës, ku partia e Pacollit drejton dy prej drejtorive të Komunës së Prishtinës.

Pacolli, në një prononcim për media të para disa ditëve ka thënë se ai nuk do ta mohonte mundësinë që të jetë kandidat për të parin e kryeqytetit, gjë për të cilën ka thënë se do t’i pëlqente si ide. /Telegrafi/