Parashikim: Milan – Inter

Koha: 20:45
Vendi: San Siro, Milano
Ecuria
Këtë mbrëmje është një sfidë e madhe për pozitë dhe për krenari, me Milan që pret Interin në një ndër derbit më të flaktë në botë, të ashtuquajturin ‘Derby della Madonnina’.
Kuqezinjtë e drejtuar nga Clarence Seedorf gjenden në pozitën e 10-të në Serie A, me 42 pikë më pak se lideri Juventus, dhe 12 humbje të regjistruara për këtë sezon. Kualifikimi për Europa League është dukur i pamundur për Milanin deri sa nuk i realizoi 5 fitore radhazi para se të mposhtej nga Roma (2-0), mirëpo Rossonerët janë vetëm një pikë larg pozitës së gjashtë që dërgon në Evropë.
Në anën tjetër, skuadra e Interit e ka pothuajse të sigurt kualifikimin në Europa League pasi që gjendet në pozitën e pestë me 57 pikë. Problemi më i madh i skuadrës së Walter Mazzarit për këtë edicion kanë qenë barazimet e shumta. Për momentin, asnjë skuadër në Seria A nuk ka realizuar më shumë barazime se Nerazzurrët, që në total kanë 15. Mirëpo, këtë edicion Interi ka pësuar vetëm 6 disfata, që është numri më i vogël i humbjeve prej edicionit spektakolar të Tripletës së udhëhequr nga i veçanti, Jose Mourinho.
Skuadrat
Të dyja skuadrat kanë të gjithë lojtarët në dispozicion për këtë ndeshje, dhe sonte pritet një koreografi speciale nga Curva Nord në shenjë falënderimi për kapitenin legjendar të Interit, Javier Zanettin, i cili në fund të sezonit do të pensionohet. Pa dyshim, një humbje e madhe për futbollin italian, pas pensionimit të legjendës, Paolo Maldini.
Interi, që e fitoi ndeshjen e parë kundër Milanit këtë edicion me rezultat 1-0, është përforcuar në mbrojtje me rikthimin e Rolandos dhe Walter Samuelit, përderisa Juan Jesus mungon për shkak të një lëndimi.
Milani në anën tjetër mirëpret rikthimin e Stephan El Shaarawyt, i cili kthehet pas një lëndimi të gjatë dhe të mundimshëm në këmbë.
Formacionet e mundshme
Lojtarët për t’u vëzhguar
Milan: Adel Taarabt – Marokeni i huazuar nga QPR, prej se ka ardhur në Milan ka treguar paraqitje të bukura dhe njëherësh është edhe lojtari me paraqitjet më të mira te Rossonerët për këtë edicionin me vlerësim prej 7.59 prej 11 paraqitjeve, ku ka shënuar 4 gola dhe ka bërë 2 asistime.
Karakteristikë e tij janë driblimet spektakolare dhe goditjet nga largësia, të cilat priten të jenë rrezik konstant për zikaltërit.
Inter: Mateo Kovacic – Kroati 19-vjeçar është një perlë në mesfushën e Interit, që magjeps adhuruesit e futbollit me kontrollin e tij të topit. Shpejtësia me top dhe driblimet e bëjnë atë të rrezikshëm për çdo skuadër kundërshtare dhe me paraqitjet e fundit të shkëlqyera, Kovacic pritet ta bëjë diferencën sonte në derbi. Vlerësimi: 6.83.
Fakte për ndeshjen
- Interi e ka mbajtur portën e paprekur në 5 nga 7 ndeshjet e fundit kundër Milanit në të gjitha garat.
- Milani e ka mbajtur portën e paprekur në 3 ndeshjet e fundit në shtëpi në Serie A.
- Milani ka qenë duke fituar si në pjesën e parë ashtu edhe në të dytën në 3 ndeshjet e fundit në shtëpi në Serie A.
- Interi nuk ka pësuar gol në 3 ndeshjet e fundit në Serie A.
- Milani i ka fituar 3 ndeshjet e fundit në shtëpi në Serie A.
- Interi ka shënuar së paku 2 gola në 4 ndeshjet e fundit në Serie A.
- Interi është i pamposhtur në 6 ndeshjet e fundit në udhëtim në Serie A.
- Interi është i pamposhtur në 5 ndeshjet e fundit kundër Milanit në të gjitha garat.
“Unë respektoj Milanin, por nuk kam frikë nga askush"
Ndeshjet e ndërsjella përgjatë historisë në të gjitha garat
Inter: 106 fitore
Milan: 110 fitore
Barazime: 78
Parashikimi
Milani e prishi serinë e 5 fitoreve radhazi me humbjen kundër Romës, duke dhënë një sinjal të qartë se ka vështirësi ndaj ekipeve të mëdha.
Interi në anën tjetër po merr pikë ngadalë, por jo aq shumë sa për të qenë në maje të tabelës, kështu që kanë arritur të rrinë në garë me Fiorentinën për pozitën e katërt.
Derby della Madonnina gjithmonë është i zjarrtë dhe i tensionuar. Milani ka kaluar formë më të mirë rishtazi, mirëpo Interi duket më solid. Për Rossonerët do të jetë ndeshje ‘jetë a vdekje’ për ta siguruar kualifikimin në Europa League, mirëpo nëse Nerazzurrët shënojnë të parët, fitorja do të jetë e tyre.
Parashikimi: Milan 1-2 Inter
Kush do ta fitojë derbin më të madh lokal në botë? Shprehuni në hapësirën për komente dhe votoni në sondazh...




















































