Prebreza për protestën e AKK-së: Mjetet nuk janë “marrë” nga Qeveria, dëmi erdhi nga Kontrata Kolektive të nënshkruar gjatë qeverive Mustafa dhe Haradinaj

Sot Asociacioni i Komunave të Kosovës mban një protestë në Prishtinë, për siç thonë kundërshtuar ndërhyrjet e nivelit qendror në kompetencat e komunave, obligimet financiare dhe mungesën e mbështetjes institucionale.
E lidhur me këtë protestë ka reaguar sot kryetari i komunës së Fushë Kosovës, Valon Prebreza.
Ai thekson se Asociacioni i Komunave të Kosovës është organizimi që, në parim, mbron dhe përfaqëson interesat e komunave, por ai nuk është i ndërtuar për t’iu kundërvënë nivelit qendror.
“Komunat dhe Qeveria nuk janë palë në anë të kundërta. Përkundrazi, bashkëpunimi ndërmjet nivelit lokal dhe atij qendror është në interes të qytetarëve.
Faktet flasin qartë, nga 546 milionë euro buxhet i ndarë për komunat në vitin 2021, në vitin 2027 ky buxhet pritet të arrijë në 907 milionë euro. Kjo është një rritje prej 66%.
Mjetet për komunat nuk janë zhdukur dhe as nuk janë “marrë” nga Qeveria siç thuhet në pretendimet e Drejtorit Ekzekutiv Sazan Ibrahimi. Ato kthehen sërish në komuna, përmes projekteve investuese që kanë për qëllim përmirësimin e drejtpërdrejtë të jetës së qytetarëve. Dhe për këtë jemi vet dëshmitar si qeverisje komunale në këto vite”, shkruan ai.
Sipas tij, dëmi më i madh që u është shkaktuar komunave vjen nga papërgjegjësia lidhur me kontratën kolektive të nënshkruar gjatë qeverive Mustafa dhe Haradinaj.
“Për këtë kontratë dhe pasojat financiare që ajo ka shkaktuar për komunat. Për këtë Asociacioni asnjëherë nuk është deklaruar kundër dhe nuk kanë ngritur zërin për dëmet e shkaktuara. Asociacioni duhet të jetë zëri i të gjitha 38 komunave, jo zë selektiv i disa prej tyre. Roli i tij duhet të jetë bashkëpunimi dhe përfaqësimi i interesave të pushtetit lokal, jo ndërtimi i një fronti politik kundër Qeverisë.
Kosova ka nevojë për punë, bashkëpunim dhe zhvillim, jo për protesta pa kauzë. Interesat e komunave nuk mbrohen me dezinformim, alarm të rremë apo thirrje për protestë puro politike”, shkruan Prebreza. /Telegrafi/







































