LAJMI I FUNDIT:

Paralajmërimi se Ligji për zgjedhjet do të dërgohet në Kushtetuese, deklarata e Avokatit të Popullit dhe takimi me presidenten Osmani

Paralajmërimi se Ligji për zgjedhjet do të dërgohet në Kushtetuese, deklarata e Avokatit të Popullit dhe takimi me presidenten Osmani

Një ditë më parë Avokati i Popullit, Naim Qelaj në një konferencë për media sërish paralajmëroi se Ligjin për zgjedhjet do ta dërgojë për vlerësim në Gjykatën Kushtetuese.

Një deklaratë e tillë ishte bërë “mollë sherri” disa ditë më parë në një konferencë, ku në një video të publikuar vërehej “tensionim” në diskutimin ndërmjet presidentes Vjosa Osmani dhe kryeministrit Albin Kurti.


Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu përmes një postimi në Facebook, kishte sqaruar “tensionin” ndërmjet Osmanit dhe Kurtit, gjatë diskutimit të tyre në mbledhjen e Këshillit për Demokraci dhe të Drejtat e Njeriut.

Kryeziu kishte shkruar se kryeministri Kurti ishte duke folur me presidenten Osmani për Avokatin e Popullit, Naim Qelaj dhe deklaratës së këtij të fundit për dërgimin në Gjykatë Kushtetuese të Ligjit të ri për Zgjedhje.

“Tensione” gjatë diskutimit mes Kurtit e Osmanit, zëdhënësi i Qeverisë tregon se për çfarë bëhej fjalë
Lexo po ashtu “Tensione” gjatë diskutimit mes Kurtit e Osmanit, zëdhënësi i Qeverisë tregon se për çfarë bëhej fjalë

E po të martën, Avokati i Popullit, Naim Qelaj, në një konferencë për media ka paralajmëruar sërish se Ligjin për Zgjedhje do ta dërgojnë në Gjykatën Kushtetuese.

Qelaj para gazetarëve tha se lidhur me këtë i ka dërguar letër edhe presidentes Vjosa Osmani.

“Unë kam njoftuar të gjithë të pranishmit, në mënyrë publike që jemi duke e shqyrtuar mundësinë e nënshtrimit të vlerësimit të kushtetutshmërisë të këtij ligji në raport me listat zgjedhore të subjekteve politike ngase logjikisht si dhe në aspektin praktik Avokati i Popullit konsideron se është e domosdoshme…”, tha ai, duke shtuar se Ligji për Zgjedhjet ka kaluar në seancë pa një diskutim publik dhe pa e përfshirë një aspekt të rëndësishëm, atë të barazisë gjinore.

Shoqëria civile kritikon Ligjin e ri për zgjedhjet e përgjithshme: Pasojat do të shihen në procesin e ardhshëm zgjedhor
Lexo po ashtu Shoqëria civile kritikon Ligjin e ri për zgjedhjet e përgjithshme: Pasojat do të shihen në procesin e ardhshëm zgjedhor

Ai shtoi se i kanë dhënë mundësinë Qeverisë dhe Kuvendit që deri në afatin e ushtrimit të kërkesës në kushtetutshmërisë të bëhet amendamentimi i Ligjit.

Pas konferencës së Avokatit të Popullit, po të martën Qelaj është pritur në takimin nga e para e shtetit, Vjosa Osmani.

Në njoftimin e Presidencës, thuhet se në këtë takim presidentja Osmani u informua edhe për analizën që e ka bërë ky institucion rreth Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, përkitazi me barazinë gjinore, çështje, të cilën Avokati i Popullit e ka ngritur edhe në takimin e fundit të Këshillit për Demokraci dhe të Drejta të Njeriut.

Me këtë rast, Avokati i Popullit e njoftoi Presidenten Osmani për rastet më të shpeshta që adresohen në këtë institucion sa i përket shkeljes së të drejtave të njeriut, ndërkohë që u diskutua edhe për bashkëpunimin ndërinstitucional me qëllim të garantimit të të drejtave të qytetarëve.

“Presidentja dhe Avokati i Popullit po ashtu diskutuan edhe për rritjen e bashkëpunimit ndërkombëtar me institucionet homologe në vende të tjera, si dhe për aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës”, thuhet në komunikatë.  /Telegrafi/