LAJMI I FUNDIT:

Paralajmërimi i FMN-së për ekonominë botërore

Paralajmërimi i FMN-së për ekonominë botërore

Shefja e Fondit Monetar Ndërkombëtar, Christine Lagarde, tha se është optimiste rreth perspektivës së ekonomisë globale, megjithatë ajo ka paralajmëruar për disa rreziqe të cilat mund ta godasin ekonominë.

Lagarde tha se prioritetet kryesore për ekonominë globale duhet të jetë mbrojtja ndaj rreziqeve financiare dhe fuqizimi i rritjes ekonomike në periudha afatgjate.


“E shkuara ka treguar se kufizimet në importe dëmtojnë të gjithë, veçanërisht konsumatorët e varfër. Ato sjellin produkte më të shtrenjta, limitojnë alternativat si dhe parandalojnë rolin e tregtisë në nxitjen e produktivitetit dhe përhapjen e teknologjive të reja”, theksoi Christine Lagarde.

Mënyra më e mirë për të trajtuar pabarazitë globale, sipas saj, është përdorimi i mjeteve fiskale dhe reformave strukturore. Fondi paralajmëroi se rregullat e Organizatës Botërore të Tregtisë rrezikojnë shpërbërjen dhe shtoi se politikëbërësit duhet të angazhohen në krijimin e një konkurrence të drejtë për firmat dhe të zgjidhin përplasjet pa përdorur masa të papranueshme.

Situata në këtë vit edhe tjetrin, sipas fondit, është se pritet të humbasë vrulli ekonomik për shkak të ngadalësimit të stimujve fiskalë, rritjes së normave të interesit dhe tkurrjes së kushteve financiare. Një analizë e re e FMN tregoi se borxhi global ka arritur nivelin më të lartë të të gjitha kohërave prej 164 trilionë dollarë, apo 40% sipër nivelit të 2007-ës, ndërkohë që Kina ka kontribuar për gjysmën e kësaj rritjeje.

Lagarde tha se ekonomitë në të gjithë botën duhet të reduktojë deficitet qeveritarë, fuqizojnë kuadrin fiskal dhe vendosin borxhin publik në një trend rënës. /Telegrafi/