LAJMI I FUNDIT:

Paqartësi për modelin franko-gjerman, i mirë apo i keq për Kosovën – çfarë thonë liderët e partive politike?

Paqartësi për modelin franko-gjerman, i mirë apo i keq për Kosovën – çfarë thonë liderët e partive politike?

Në kohën kur ka shumë paqartësi dhe mos transparencë sa i përket propozimit që u është dorëzuar Kosovës dhe Serbisë nga Franca dhe Gjermania lidhur me marrëveshjen finale, më në fund për këtë propozim janë deklaruar edhe nga partia në pushtet LVV dhe partitë opozitare.

Për planin franko-gjerman i cili ende nuk është publikuar zyrtarisht, ka folur kryeministri Albin Kurti, i cili për herë të parë e ka pranuar se ekziston një propozim i tillë dhe se i njëjti ka bazë të mirë, shkruan Telegrafi.


Kurti ka thënë se ai që po quhet plani franko-gjerman ka edhe mbështetjen e Brukselit dhe Uashingtonit.

“Unë e kam vlerësuar këtë propozim si hap në drejtimin e duhur. Konceptet dhe nocionet që përdoren aty janë vlera për dallim prej dakordimeve të mëhershme që ishin përbrenda si ideologji të zgjidhjes së problemeve, ku thuhet se Kosova e ka këtë problem të veçantë në veri të Mitrovicës ose në Graqanicë dhe do t’ia bëjmë një zgjidhje të veçantë. Tash nuk jemi te ajo. Tashmë jemi të vlerat”, u shpreh Kurti të hënën në një konferencë para gazetarëve.

Kryeministri Albin Kurti në konferencë për media (07.11.2022) – Foto: Ridvan Slivova

Kryeministri ka deklaruar se ai nuk e ka refuzuar këtë propozim, ani pse ka pasur vërejtjet e tij.

“Më 9 shtator, pa u bërë një muaj pas këtij takimi patën ardhur në zyre te unë këshilltarët e lartë të Kancelarit Scholz dhe Macron bashkë me ndërmjetësin e njohur Lajçak. Ata kanë sjellë përmbledhje të ideve, modeleve që unë nuk i kam refuzuar dhe kam thënë se janë bazë e mirë. Unë i kam vërejtjet e mia dhe ua kam thënë edhe atyre, por unë nuk e kam kundërshtuar atë propozim”, tha Kurti, duke shtuar se i njëjti është refuzuar nga Serbia dhe se ky është thelbi i situatës së krijuar ditëve të fundit në vend.

Për modelin franko-gjerman janë deklaruar edhe liderët e partive opozitare në Kosovë.

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi tha se Qeveria po merret me tema shumë teknike në vend se të fokusohet në marrëveshjen finale gjithëpërfshirëse me Serbinë.

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi deklarim për media pas takimit me kryeministrin Albin Kurti (08.11.2022) – Foto: Ridvan Slivova

“Kemi diskutuar gjerë e gjatë edhe për dialogun dhe normalisht ka pasur diskutime edhe për propozimin të ashtuquajtur franko-gjerman, por unë e kam thënë edhe shumë herë të tjera se në vend që të vazhdojmë të fokusohemi si shtet në arritjen e një marrëveshje finale gjithëpërfshirëse me Serbinë, e cila do të sillte njohje të ndërsjellë, ne sot po merremi me tema shumë më sporadike dhe më teknike”, u shpreh Krasniqi të martën pas takimit me Kurtin, shkruan Telegrafi.

E kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku nuk ka komentuar shumë për këtë propozim. Ai tha se në takim me kryeministrin folën për dialogun dhe konceptet e Kurtit për marrëveshjen finale.

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku deklarim për media pas takimit me kryeministrin Albin Kurti (08.11.2022) – Foto: Ridvan Slivova

“Diskutuam çështjen e dialogut. Kosova duhet të insistoj në një marrëveshje të mbështetur ndërkombëtarisht që në thelb ka njohjen reciproke dhe që ruan integritetin territorial dhe rendin kushtetues të Kosovës. Biseduam për konceptet e kryeministrit sa i përket marrëveshjes, dhe pikëpamjet tona në këtë drejtim, thelbi i takimit të sotëm ishte situata e sigurisë dhe nevoja për koordinim”, tha Abdixhiku.

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj një ditë më parë në një konferencë për media kishte theksuar se Kosova e pati mundësinë që ta merrte njohjen e Serbisë, por kjo sipas tij , nuk u bë pasi Kurti “nuk e pezulloi vendimin për targat”.

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj në konferencë për media – Foto: Ridvan Slivova

“Në tetor në Prishtinë dhe në Beograd ka ardhur marrëveshja që në qendër ka pasur njohjen reciproke. Reagimi i Serbisë ishte mospajtim me këtë marrëveshje. Në nëntor, Qeveria ka vendosur ta zbatojë vendimin për targat në veri. Aleati ynë më besnik, SHBA-ja, duke e ditur skenarin e Serbisë që ka për qëllim dështimin e dialogut, i ka kërkuar Kurtit ta pezullojë këtë vendim deri në marrëveshje, që ta mbajë presionin në Beograd e në Serbi”, tha Haradinaj.

Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, më 3 nëntor ka konfirmuar se ekziston plani franko-gjerman, që është raportuar se është një propozim për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve midis Kosovës dhe Serbisë. /Telegrafi/

Në trend Lajme

Më shumë
Buleshkaj: Vitin e kaluar jemi njoftuar për një politikan që i ka pasë 5 milionë euro në një bankë në Zvicer

Buleshkaj: Vitin e kaluar jemi njoftuar për një politikan që i ka pasë 5 milionë euro në një bankë në Zvicer

Lajme
“E çela vrimën në mur, i preva tre palë tela dhe ika arave deri në Lipjan”- Arratisja e Faton Hajrizit nga Bondsteel-i dhe Burgu i Pejës

“E çela vrimën në mur, i preva tre palë tela dhe ika arave deri në Lipjan”- Arratisja e Faton Hajrizit nga Bondsteel-i dhe Burgu i Pejës

Siguri
Server: Qeveria e re e Serbisë me bashkëpunëtorë të sulmit terrorist të Banjskës

Server: Qeveria e re e Serbisë me bashkëpunëtorë të sulmit terrorist të Banjskës

Lajme
Knaus

Knaus "godet" sërish: Kushtëzimi i anëtarësimit të Kosovës në KiE me krijimin e Asociacionit pamundëson realizimin e të dyjave

Lajme
Fruti i pasionit mbillet në Shkodër - Familja Ndoja nga 1 dynym, sot mbjell 15 hektarë

Fruti i pasionit mbillet në Shkodër - Familja Ndoja nga 1 dynym, sot mbjell 15 hektarë

Lajme
Konjufca i zhgënjyer me BE-në: Me padurim doni të punoni me qeverinë serbe pro-ruse, e neve nuk na hiqni masat

Konjufca i zhgënjyer me BE-në: Me padurim doni të punoni me qeverinë serbe pro-ruse, e neve nuk na hiqni masat

Lajme
Kalo në kategori