LAJMI I FUNDIT:

Papunësia si rrezik botëror – fantazma masive po rishfaqet

Papunësia si rrezik botëror – fantazma masive po rishfaqet
Foto: Ilustrim

Çfarë rreziqesh shohin menaxherët si kërcënimin më të madh për ekonominë? World Economic Forum ka një përgjigje befasuese – përgjigjen e vjetër: fantazma e papunësisë masive po rishfaqet.

Çdo vit Forumi Ekonomik Botëror hulumton rreziqet, që i kanosen ekonomisë në pjesë të ndryshme të botës si dhe pasojat që mund të kenë ato ndaj këtyre rajoneve. Organizata me seli në Gjenevë për raportin e saj “Regional Risks for Doing Business Survey” që pyet mbi 12 mijë menaxherë dhe drejtues në ekonomi në mbarë botën se si e vlerësojnë ato riskun. Sivjet në krye të listës sërish ka dalë një ndër të njohurat e vjetra, rreziku i papunësisë masive.


Kryesisht në jug të Azisë dhe në vendet jugore të Saharasë dominon frika prej papunësisë masive në dhjetë vitet e ardhshme, sikurse pohojnë me shqetësim të intervistuarit. Por edhe në Amerikën Latine dhe në Karaibe ky shqetësim është në rendin e dytë në listë, ndërsa në Evropë në rend të tretë.

Sipas vlerësimit të ekspertëve të ekonomisë në shumë rajone të botës, pasojat ekonomike të pandemisë COVID-19 duket të jenë edhe më të rënda se vetë pandemia.

Sëmundjet infektive në mbarë botën konsiderohen në përgjithësi si rreziku numër dy.

Lidhur me rezultatet e studimit, Saadia Zahidi, drejtor menaxhimi pranë World Economic Forum thotë, se “tronditja që pëson punësimi prej pandemisë, rritja e automatizimit dhe kalimi në një ekonomi më ekologjike e ndryshojnë në mënyrë fondamentale tregun e punës”.

Faktikisht edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar së fundi tërhoqi vëmendjen se pandemia do të shkaktojë një recesion të rëndë botëror.

Kjo do të bëjë që të rritet varfëria dhe papunësia. Në parashikimin e koniunkturës nga FMN për vitin 2020 pritet një rënie e rendimentit ekonomik botëror me 4.9 për qind.

“Një rënie botërore e ekonomisë nënkupton një goditje katastrofale për tregun e punës”, shpjegon FMN-ja.

Të prekur janë kryesisht të punësuarit më të varfër dhe me më pak arsimim, të cilët në përgjithësi nuk mund të punojnë nga shtëpia. /Deutsche Welle/