LAJMI I FUNDIT:

Papunësia, kjo plagë që po na vret

Papunësia, kjo plagë që po na vret

Na ka sjellë varfëri dhe dëshpërim. Na ka humbur besimin dhe na ka vrarë shpresën. Po na vret edhe të ardhmen.

Kosova, edhe pse ka popullsinë me të re në kontinentin e vjetër, edhe pse qytetarët e saj flenë mbi ar, argjend, plumb, zink, krom, nikel e minerale tjera; edhe pse flenë mbi thëngjill, prapë se prapë gjysma e popullsisë është e papunë dhe e pa shpresë.


Edhe pse nëntoka e Kosovës është shumë e pasur, qytetarët e saj kanë mbetur të varfër. Shkalla e papunësisë në vendin tonë, përgjatë këtyre viteve pothuajse ka mbetur e njëjtë dhe e pandryshuar. Të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës për ketë fenomen nuk kanë paraqitur gjendjen reale. Papunësia, sipas ASK-së, është 35.3 për qind, gjë që nuk është një shifër që reflekton realitetin. Shifrat e papunësisë janë shumë me të mëdha, fakt të cilin e kanë paraqitur edhe raportet e ndryshme vendore dhe ndërkombëtare.

Para disa muajsh, në panairin e punës të organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, vetëm për dy ditë sa ka qëndruar i hapur panairi, mbi 1000 persona kanë kërkuar punë.

Përndryshe, Kosova ka shkallën më të lartë të papunësisë në rajon edhe sipas shifrave zyrtare edhe pse nuk janë reale dhe atë Kosova me 35.3 për qind, Bosnja dhe Hercegovina me 27.5 për qind, Shqipëria me 17.9 për qind, Serbia me 18.9 për qind dhe Mali i Zi me 18 për qind.

Të gjitha këto shifra dhe të dhëna tregojnë që papunësia në Kosovë në vend se të ulet, ajo po rritet dhe ky do të duhej të ishte alarm për institucionet e Kosovës. Në vendet e Perëndimit, nëse norma e papunësisë do të kalonte mbi 15 për qind, institucionet do të alarmonin, gjë që në vendin tonë nuk po ndodh.

Niveli i lartë i papunësisë dhe kriza ekonomike ka ndikuar edhe në rritjen e numrit të vetëvrasjeve. Rastet me të shumta të vetëvrasjeve në Evropë janë regjistruar në Itali, në Greqi dhe në Irlandë, të cilët për shkak të pamundësisë se përballimit të shpenzimeve të tyre, si rrugëzgjidhje kanë zgjedhur vetëvrasjen. Një ndër faktorët kryesor që qytetarët e Kosovës bëjnë vetëvrasje është kriza ekonomike dhe papunësia. Vetëm gjatë viteve 2001 deri në vitin 2014, janë evidentuar 855 raste të vetëvrasjeve dhe 2967 të vetëvrasje në tentativë. Ky fenomen është në rritje dhe shumë shqetësues për vendin tonë.

Institucionet e vendit duhet të kenë një plan konkret për hapjen e vendeve të reja të punës. Zbutja e papunësisë mund të bëhet duke përkrahur bizneset vendore, posaçërisht në sektorin e prodhimtarisë. Bizneset që do të merrnin përkrahje nga Qeveria e Kosovës, do të duhej që se paku të punësonin nga një anëtar të një familje që nuk e ka askënd të punësuar. Një gjë e tillë mund të arrihej duke ulur normat tatimore apo lehtësira në politikën e tregtisë se jashtme.

Ulja e papunësisë e rrjedhimisht zbutja e varfërisë mund të bëhet vetëm nëse Qeveria i orienton politikat në zhvillimin e sektorit privat.

Ndalimi i punësimit të shumëfishtë do të jepte shpresë se megjithatë diçka po lëviz për qytetarët.
Krijimi i politikave të favorshme për tërheqjen e investitorëve jo vetëm që do të krijonte vende të reja të punës, por do të nxiste edhe zhvillim ekonomik. Autoritetet e vendit investitorëve duhet që t’ua garantojnë kapitalin dhe të ju krijojnë lehtësime tatimore, duke eliminuar kështu edhe burokracinë.

Pengesat kryesore ndaj investimeve që na mundësojnë hapjen e vendeve të reja të punës janë pengesat administrative dhe burokratike, mos garantimi i kapitalit, si dhe taksat e larta që nuk lejojnë hapësirë investitorëve të shtrijnë aktivitetin e tyre.

Investitorët që shkojnë për të investuar në Malajzi, priten aq mirë nga nëpunësit qeveritarë sa që do të bëjnë ç’është e mundur për t’i përmbushur kërkesat tyre. Madje, edhe nëse shërbimi që do të kërkojnë nuk do të jetë i mundur në zyrën e tyre, ata do t’i telefonojnë një nëpunësi nga një zyrë tjetër, që mund t’ju ofrojnë atë shërbim. Pse mos të marrim shembuj të tillë kur më shumë se kurrë i duhen Kosovës.

Një shtet nuk mund të shënojë asnjëherë progres dhe zhvillim ekonomik, derisa administrata publike dhe Qeveria janë ato që krijojnë vende të reja të punës. Sa më shumë që Qeveria të krijojë vende të reja të punës, aq më tepër do të shtohet papunësia e rrjedhimisht edhe varfëria.

Është interesante të potencohet se shumëkush, duke arsyetuar papunësinë, thotë se gjyshërit tanë kanë jetuar duke punuar tokën dhe se kanë jetuar pa marrë ndonjë pagë. Është e vërtetë që Kosova në të kaluarën ishte vend krejtësisht bujqësor, por edhe kërkesat për produkte ishin shumë të vogla dhe punësimi nuk ishte aq problematik. Të mirat që do të duhej të prodhoheshin, si qumështi, rrobat, mishi etj., prodhoheshin në ekonomin familjare. Për prodhimin e këtyre mirave kapitale nuk kërkoheshin mjete të veçanta dhe kësisoj të gjithë ishin të punësuar.

Në rast se e krahasojmë ketë periudhë me kohën në të cilën jetojmë, ku kërkesat i tejkalojnë nevojat elementare, atëherë mund ta kuptojmë që punësimi është jetik për qytetarët.

Individi në kohën bashkëkohore ka kërkesa të shumta që përfshijnë telefonat mobilë, televizorët, veturat, kompjuterët, frigoriferët etj. Këto janë më shumë se elementare dhe luksoze nëse krahasohen me të kaluarën, por që tanimë janë bërë domosdoshmëri.

Në një mjedis si ky i yni, shumë të rinj të diplomuar në universitete ose janë të papunë ose merren me punë të paqena. Në kuadër të këtij mjedisi, si në asnjë vend të botës, mu në pikë të ditës qytetet e Kosovës janë shndërruar në shëtitore te të papunëve. Të rinjve nuk u ka mbetur gjë tjetër vetëm të “dëfrehen” kafetërive të stërmbushura, në çdo kohë dhe në çdo cep të qyteteve.

Prandaj, si të arrijmë ta pranojmë ketë të vërtetë kaq të hidhur? Si ta pranojmë ketë të vërtetë, ku resurset njerëzore, më të kërkuara në gjithë botën, tek ne bredhin rrugëve duke u shëtitur nga një kafeteri në tjetrën të pashpresë se një ditë do të ndryshojë diçka.

Në fytyrat e rinisë sonë vërehet një gjendje depresive dhe shqetësuese, ku gëzimi i tyre nuk zgjat më tepër se një gllënjkë e një filxhani kafeje. Kështu ndodh kur je pjesë e një shoqërie të paorganizuar, e cila vazhdon të prodhojë pasiguri ekonomike dhe sociale.

Pyetja e cila dëgjohet më se shpeshti viteve të fundit nuk është tjetër pos: A je duke punuar? Kjo pyetje ka marrë formën e një përshëndetje të zakonshme edhe në mes të atyre që ndoshta nuk njihen aq shumë.

Shqetësimi i yni kryesor tanimë është papunësia, e cila ka kapluar çdo mendje njeriu. Duke mos pasur mundësi që të rinjtë të punojnë po ndihen të padobishëm dhe të tepërt në rrethin ku jetojnë, të nënvlerësuar e të nënçmuar, të tensionuar e stresuar e madje edhe të depresionuar.

Me të drejtë Frojdi thoshte: “Puna është faktor kyç që kontribuon në shëndetin psikologjik dhe mirëqenien e individit”.

Deri kur të rinjtë do të vazhdojnë të sorollaten rrugëve? Deri kur të vazhdon kjo gjendje e mjerë për qytetarët e Kosovës? Deri kur vendi i punës do të jetë luks? Deri kur hyrja në një vend pune do të konsiderohet mrekulli? Deri kur kështu!?