LAJMI I FUNDIT:

Papunësia e grave në Kosovë, më e larta në rajon (Foto)

Papunësia e grave në Kosovë, më e larta në rajon (Foto)

Shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, ambasadori Jan Braathu, tha se shkalla e papunësisë së grave në Kosovë është më e larta në rajon, ku 82 për qind e grave të afta për punë janë të papunësuara.

Ai këto komente i bëri me rastin e hapjes së panairit tregtar dy-ditor në Prishtinë për gratë pronare të bizneseve nga jugu dhe veriu i lumit Ibër.


Braathu me këtë rast kërkoi që gratë të jenë pjesë e ekonomisë.

“Nëse duam të fuqizojmë ekonominë, atëherë nuk ka kurrfarë kuptimi të pengojmë qasjen e grave në ekonomi. Thjesht, nevojitet që gratë të jenë pjesë e ekonomisë. Shkalla e papunësisë së grave në Kosovë është më e larta në rajon. 82 për qind e grave që janë të afta për punë janë të papunësuara,” tha ai.

Ambasadori Braathu u shpreh se dialogu, pajtimi dhe komunikimi është gurthemeli i një shoqërie të shëndoshë në Kosovë.

Ndërsa, ambasadori austriak në Kosovë, Gernot Pfandler, tha se kanë prioritet nxitjen e ekonomisë ku me theks të nënvizuar kanë mbështetjen e grave në të gjithë sektorët e ekonomisë./KP/Telegrafi/