LAJMI I FUNDIT:

Papunësia – arsyeja e emigrimit tek të rinjtë, a mund të ndalohet ikja e tyre?

Papunësia – arsyeja e emigrimit tek të rinjtë, a mund të ndalohet ikja e tyre?

Raporti i dytë kombëtar “Rinia në Shqipëri 2019” flet për shifra shqetësuese të fenomenit të largimit të rinjve nga Shqipëria. A është thjesht papunësia arsyeja që i motivon të rinjtë të largohen?

Edison Hoxha po bën përgatitjet e fundit për t’u nisur drejt Gjermanisë. 26-vjeçari nga Durrësi i cili një vit më parë kreu studimet Master për arkitekturë, profili Urbanistikë, ka siguruar një kontratë pune në Munih. Të njëjtën kontratë, morën edhe dy miqtë e tij. Nga muaji dhjetor i këtij viti, ai do të ndërtojë një jetë të re larg familjes.


“Dëshira për të punuar jashtë vendit ka qenë gjithmonë aty, por nuk është se po bëja përpjekje konkrete për të ikur. Derisa në gushtin e këtij viti mora një ofertë për të punuar në një zyrë arkitekture në Munih. Aty nisi gjithçka”, tregon i riu për Deutsche Welle.

“Të ardhurat e mia në Gjermani do të jenë shumëfish më të mëdha”

Me ndjesi të përziera, mes entuziazmit dhe frikës nga jetesa dhe puna e re, Hoxha shpjegon se pas marrjes së kontratës nga Gjermania, nisi edhe procedurat për marrjen e Kartës Blu (Blue Card) dhe për më pak se tre muaj pati vizën e punës në pasaportën e tij.

“U gëzova, sepse mendoj që andej do të zhvillohem më shumë nga ana profesionale, do të mësoj një gjuhë të re dhe në planet e mia kam edhe një Master të dytë”, shpjegon Hoxha.

Prej rreth një viti Edisoni punonte në një studio arkitekture në Tiranë. Çfarë e shtyu të ikte?

“Punoja më shumë se 12 orë në ditë dhe paguhesha më pak se 350 euro në muaj. Të ardhurat e mia në Gjermani do të jenë shumëfish më të mëdha”, rrëfen 26-vjeçari.

Ai shpreson që do të sistemohet mirë andej dhe në të ardhmen të mund të hapë edhe një studio të tijën të arkitekturës.

Raportet: Shifra shqetësuese

Edisoni është vetëm një nga mijëra të rinjtë e kualifikuar që po lënë vendin gjatë kohëve të fundit. Raporti i dytë kombëtar “Rinia në Shqipëri 2019” flet për shifra shqetësuese të këtij fenomeni.

Ervjola Osmanaj, presidente e Rrjetit Kombëtar për të Rinjtë në Shqipëri thotë për Deutsche Welle se, “ikja e trurit të të rinjve e rendit Shqipërinë në vendin e parë në Evropë për dëshirën e të rinjve për të ikur dhe studiuar jashtë vendit. 35 për qind e studentëve me një diplomë Bachelor dhe 30 për qind e studentëve në përgjithësi synojnë të studiojnë jashtë vendit, ndërkohë që niveli i gjendjes ekonomike të studentëve shqiptarë është sërish në përmasa alarmante krahasuar me vendet e tjera”.

Edhe raporti i kaluar, tregonte gjithashtu situatë aspak të mirë.

“Sipas raportit të parë Kombëtar ‘Rinia në Shqipëri 2018’, mbi 70 për qind e të rinjve në Shqipëri dëshironin të largoheshin për shkak të varfërisë, papunësisë, përjashtimit social dhe korrupsionit. Ndërkohë, po në vitin 2018, pas disa muajsh nga publikimi i këtij raporti, Gallup adresoi se shifra e emigracionit tek të rinjtë ishte rritur në shifrën 79 për qind”, thekson Osmanaj.

Ndër gjetjet më kritike të raportit shkaku kryesor është papunësia. Duke iu referuar të dhënave të nxjerra nga takimet me të rinj në 12 qarqe të vendit dhe plotësimit online të një pyetësori ku u përfshinë 1210 persona, rezulton se, “niveli i papunësisë tek të rinjtë mbetet në nivele shumë të larta, nivel ky që ndryshon nga 20.9 për qind në vitin 2019 sipas INSTAT, në 32.8 për qind sipas Organizatës Botërore e Punës, ndërkohë që sipas Anketës Kombëtare ‘Rinia në Shqipëri 2019’, 73 për qind e të rinjve të intervistuar e kanë adresuar atë si problemin e tyre më shqetësues”.

Mungesa e besimit tek politika është një tjetër faktor i rëndësishëm.

“Në nivel kombëtar, 62 për qind e të rinjve nuk kanë besim tek partitë politike shqiptare, ndërsa rreth 57 për qind e tyre e vlerësojnë me zero pikë punën e pushtetit vendor. Rritja e mosbesimit ndaj politikës dhe konfliktualitetit që ushtroi ngërçi parlamentar e politik, krijuan terrenin e mosushtrimit të së drejtës së votës për të rinjtë. Në zgjedhjet e fundit vendore mbi 50 për qind e të rinjve nuk kishin dëshirë të votonin”, shprehet Osmanaj.

Papunësi apo depresion shoqëror?

Ervin Goci, pedagog në departamentin e Gazetarisë në Universitetin e Tiranës dhe njëkohësisht një zë i fuqishëm i shoqërisë civile, ka një këndvështrim ndryshe rreth fenomenit të ikjes së të rinjve të kualifikuar jashtë vendit. Rrjedhimisht, edhe argumentet që ai parashtron pas pyetjes “pse po ikin këta të rinj”, janë ndryshe.

“Kurrsesi për ato arsye që jepen rëndom, domethënë kushtet ekonomike apo papunësia e momentit. Të dyja këto arsye janë shumë pak që dikush të braktisë vendin, të shkëputet nga familja, nga rrethi shoqëror, nga rrethi fisnor, thjesht për shkak të gjendjes ekonomike – pasi e dimë që gjendja ekonomike, sidomos për një të ri, është e ndryshueshme. Arsyeja që ikin është pikërisht sepse ata e perceptojnë gjendjen si të pandryshueshme, kanë një mur përpara syve që nuk dinë si ta hedhin, është një dorëzim para një gjendjeje të papërballueshme, që nuk është thjesht pakënaqësi, por është depresion social, një shkëputje shpirtërore nga vendi si një mundësi për të ndërtuar të ardhmen. Kjo është kaq e fortë, saqë dhe individë apo familjarë me gjendje ekonomike të mirë, janë duke bërë të njëjtën gjë, pra gjendja është me të vërtetë shqetësuese”, argumenton Goci për Deutsche Welle.

Ky fenomen, për Gocin nuk është krizë personale për secilin të ri që largohet, por është një krizë sistemi që përfshin të gjithë vendin.

“Në tridhjetë vite Shqipëria pritej që t`i afrohej Evropës, ndërkohë që ajo që konstatohet, është se ne i jemi më shumë larguar se sa afruar, dhe për të rinjtë Europa apo vende të tjera ruhen akoma në mendjen e tyre dhe emocionalisht si destinacione eskapiste, shpëtimi, diferencë e thellë vlerash dhe modeli mes realitetit shqiptar dhe atij të Evropës së Bashkuar”, thekson Goci.

A mund të ndalohet ikja e të rinjve?

“Më së pari dhe që është urgjente, duhet pranuar fenomeni. Kujtoj këtu qasjen e qeverisë aktuale, që këtë fenomen e quan normal dhe e lidh me lirinë e mobilitetit, por sot ka shtete të tjera si Hungaria për shembull, që e quan gangrenë ikjen e të rinjve, bjerrje e resurseve, fatkeqësi kombëtare. Këtë fenomen e vuajnë shtete si Italia me 60 milionë banorë, imagjino ne me më pak se tre. Hapi i parë është pranimi, pastaj ka me mijëra forma se si ne mund ta evitojmë rrjedhjen e mëtejshme të popullsisë, por dhe politika se si të afrohen të larguarit me një platformë politike të posaçme. Në mendimin tim, nuk mjafton që qeveria thjesht mos të korruptohet, as thjesht të rrisë shanset ekonomike. Duhen politika të posaçme për të afruar të gjithë llojet e emigrantëve, ata ekonomikë dhe ata të intelektit. Kërkohen politika integrimi, të afta për ta ftuar shqiptarin e larguar që të tranzitojë në realitetin shqiptar, jo si nostalgjik, por si investitor, si kontribuues i dallueshëm në ekonominë dhe intelektin kombëtar, ndoshta duke i njohur një status të veçantë dhe duke ofruar politika lehtësuese”, rekomandon Ervin Goci.

Ndërsa, Rrjeti Kombëtar për të Rinjtë në Shqipëri ka disa rekomandime për qeverinë dhe ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë.

“Për qeverinë dhe Këshillin e Ministrave, rekomandojmë krijimin e programeve të reja duke përfshirë nxitjen e punësimit dhe bizneset rinore, me qëllim uljen e papunësisë. Rekomandojmë hartimin e Planit të Ri të Veprimit për Rininë dhe miratimin në buxhetin e ministrisë së Arsimit të zërit buxhetor për Rininë, ku ai të zërë 10 për qind të totalit të fondeve të ministrisë”, përfundon Osmanaj. /Deutsche Welle/