LAJMI I FUNDIT:

Papagjoni: Nga mitizimet dhe zbukurimet e dikurshme, kaluam te shtrembërimet dhe deformimet

Papagjoni: Nga mitizimet dhe zbukurimet e dikurshme, kaluam te shtrembërimet dhe deformimet

Kritiku i artit, Josif Papagjoni, flet për zhvillimin e kinemasë shqiptare ndër vite dhe për vështirësitë me të cilat u përballën kineastët shqiptarë. Sipas tij, tani ka një tjetër lloj “censure”, ajo e parave, e financimit të produktit.

– Keni sjellë botimin tuaj më të fundit për filmin shqiptar. Pse këtë herë filmi në punën tuaj studimore?

Vazhdimisht kam shkruar për filmin shqiptar, kam shoqëruar me shkrime kritike pjesën më të madhe të prodhimit kinematografik cilësor shqiptar. Lënda u rrit e u rrit dhe në vitin 1999 unë botova, mbase, librin tim më të vështirë dhe më serioz, “Enciklopedia e teatrit dhe e kinematografisë shqiptare” nga Shtëpia Botuese Toena, një vëllim i gjerë me rreth 900 faqe ku u përfshinë vetëm nga kinemaja mbi 300 zëra, ato mbi figurat e shquara të saj dhe artikuj e nyja të zgjeruara për dukuri, procese, problematika, histori dhe fenomenologji estetike të këtij arti, me pushtet të pakonkurrueshëm mbi audiencën krahasuar me artet e tjerë. Dhe teksa vitet rridhnin, e pashë se një studim gjithëpërfshirës, edhe më i thelluar që të nxirrte në spikamë diç nga talenti, vullneti, puna, pasioni, djersa dhe mundimi i atyre mijëra artistëve me emër të madh si dhe shumicës tjetër të heshtur, modeste, të pabëzaj e në “hije”, që i shërbente spërndritjeve të artit mbi pelikul, e gjykova se duhej ndërmarrë medoemos, qoftë për kënaqësinë time si studiues, qoftë për të hedhur disa ide pohuese për kinematografinë shqiptare, qoftë dhe për të debatuar, paçka se në udhë të tërthorta, mbi ndoca akuza të pavenda si prej kalamajsh grindavecë të bëra ndaj vlerave artistike, që kjo kinematografi kishte shënjuar në mbi gjysmë shekulli e më tutje.

– Po sot, si po zhvillohet kinemaja shqiptare për ju?

Teksa e këqyrim si periudha historike zhvillimi, si dhe artet e tjerë, edhe kinematografia mund të ndahet në atë para vitit 1990 dhe atë pas këtij viti. Nuk ka ndonjë ndryshim parimor a stilistik në vitet rrjedhëse pas 1990 e deri sot, kur liria krijuese është e ligjëruar dhe mundësitë e qasjeve i kanë shpëtuar syrit ciklopik të censurës, sa dhe të autocensurës. Por, nëse sot syri i kineastit është i çlirët dhe në optikën e tij ai mund të fut shumëçka nga përjetimet, mendimet, shqetësimet dhe dëshpërimet e tij, nuk e ka po këtë liri në mundësitë e realizimit të një filmi që mund e duhet t’i ofrohen. Pra. tani ka një tjetër lloj “censure”, ajo e parave, e financimit të produktit të shtrenjtë kinematografi.

“Qesja e parave” është kthyer sot në një makth për kineastët, thuajse në pamundësi të njëmendësimit të projekteve të tyre. Pikërisht mungesa e parave që mund të vinte nga buxheti i shtetit apo burime të tjera financiare, çoi vetiu në kërkimin e udhëve alternative të bashkëprodhimeve me studio të tjera kinematografike në botë. Por. kjo, krahas një gulshi ajri mbijetese që dha për kineastët tanë, solli dhe një fenomen parazitar: diktimin, thënë më ëmbël, orientimin dhe parapëlqimin e subjekteve, personazheve, mesazheve që filmi duhej të përcillte. Dhe prandaj në disa filma u teprua shumë me kinse natyrën e “krisur” të shqiptarëve, sjelljet dhe gjestet e tyre të paarsyeshme, gjysmë të marra, duke ofruar një antropologji të gjymtë, thuajse primitiviste, veprime prej idiotësh e të ndërkryerish dhe, herë-herë, ngjarje, episode e gjësende anekdodike.

Nga mitizimet e dikurshme dhe zbukurimet u kalua në një skaj tjetër, ndonjëherë më të keq, te shtrembërimet dhe deformimet, shndërrimin e lëndës (subjekte, personazhe, konflikte, bëma) në diçka pa sens, të shtirur, të sajuar, sëmundje foshnjarake të kinse gjuhës së re moderniste, mohimit me tërësej të gjithçkaje, zërimit edhe të pjesës njerëzore të sjelljes së njerëzve, qoftë ajo edhe në kushte represioni, cungimi e mbijetese. Por, shpejt kjo “sëmundje” kaloi dhe kineastët kërkuan integritetin e tyre artistik dhe intelektual, duke dhënë konflikte e dukuri të mprehta të realitetit postkomunist, ose atij komunist, madje edhe më tutje në histori, ku nuk mund të rri pa përmendur filma të tillë si “Vdekja e kalit”, “Kolonel bunker”, “Sloganet”, “Gjoleka, djali i Abazit”, “Shqiptari”, “I dashur armik”, “Amnistia” etj. Tanimë e vërteta, dhembja, dëshpërimi dhe zhgënjimi janë më të besueshme, i bishtnojnë klisheve që vijnë nga jashtë apo keqkuptimet estetike.

– Ku qëndrojnë sipas jush problematikat në filmat sot?

Unë po e këqyr këtë në dy rrafshe: a) problematika në kuptimin e temave të rrahura, e dukurive që preken dhe që shndërrohen në subjekte, në personazhe dhe lëndë filmike përgjithësisht; b) rrethin e problemeve me të cilat ndeshet sot kinematografia shqiptare si prodhim, gjer dhe si mënyrë administrimi, organizimi dhe funksionimi.

Sa i përket të parës, afërmendsh se në pikëpamjen estetike ajo është një fushë e hapur, vështrimi i kineastit është i lirë të futet kudo, mjaft që të ketë mprehtësinë e vëzhgimit dhe zbulimit. Jo pak telashe e shqetësime kanë pasur kineastët nga periudha e diktaturës, dhe kur liria e krijimit trokiti, ata donin ta derdhnin në ekran atë shqetësim, atë mllef, atë inat, zemërim dhe refuzim ndaj realizmit socialist si dhe të realitetit që jetuan nën ngujim, dhunë e frikë. Dhe u bënë disa filma të mirë, që kishin brenda mëri, denoncim, dramatizëm, gjer dhe shpoti, ironi, satirë, tallje me gjithë pjesën e zymtë të diktaturës, me mekanizmin e saj shtypës, por dhe me pjesën qesharake të saj. Por, nëse kjo gjë deri-diku u bë mirë, unë mendoj se denoncimi i diktaturës komuniste nuk ka arritur të bëhet dot si mendësi, si doktrinë e tretur në përjetim, në sjellje, në bindje; pra të preket fenomeni më thelbor i diktaturës ndër njerëzit, tjetërsimi i skajtë.

Them se filmi, si dhe mjaft nga gjinitë e artit e letërsisë, ende i kanë qëndruar në syprinë këtij fenomeni, atje ku prishet qeliza, ku zhbëhet protoplazma dhe lind kanceri social e moral. Ne nuk e kemi dhënë dot akoma fuqinë e këtij tjetërsimi të tmerrshëm, që ndodhi jo gjerësisht në shoqërinë tonë të tubuar si kope kolektive me rregulla të forta, jo vetëm në indoktrinimin masiv i kthyer në fenomen shpirtëror vetjak, por më së pari te vetë të menduarit e njeriut brenda lirisë së tij, brenda vetvetes, në dialogun që ai bënte me këtë vetvete, kur utopitë dhe dukuritë sociale përthitheshin nga ndërgjegja e njeriut dhe shndërroheshin në bindje, në besim, në mënyrë të kuptuari e të jetuari, në reagim social.

Ja, unë e heq pjesën e shqiptarëve që kishin vuajtur burgjet, internimet dhe diferencimin e pamëshirshëm social, klasor e politik. Po, ata e urrenin regjimin, urrenin sloganet ideologjike të servirura si norma jetese dhe të menduari dhe për të mbijetuar, aplikonin, sitë thuash, një lloj tjetër tjetërsimi: heshtjen, përuljen, përshtatjen, bindjen dhe jo rrallë herë, për të fituar simpatinë dhe besimin e të pushtetshmëve, edhe tradhtitë e vogla, spiunimin. Le t’u themi të gjitha këtyre fenomeneve “mbijetesë”, ose “tradhti” në kushtet e gijotinës. Dakord. Po shumica, ç’bënte, pse ishte aq fort e tjetërsuar sa, madje, krejt ajo antropologji, ta quajmë “socialiste” e jetës dhe mënyrës së sjelljes dhe reagimit social në periudhën e diktaturës ishte kthyer në mënyrë të menduari, në normë veprimi. Pse? Mos vallë i impononin me urdhër, me dekret?

Jo, kjo ngjante sepse mekanizmi tjetërsues i diktaturave dhe sistemeve totalitare, si dhe te fetë, revolucionet dhe lëvizjet fundamentaliste është jashtëzakonisht i sofistikuar dhe veprues, pasi lidhet me shndërrimin e “dogmave” në ideale që përqafohen dhe që duken shpëtimtare; pra me vetëmashtrimin, me iluzionet e rrejshme dhe utopitë sociale. Dhe shkalla e këtij tjetërsimi mbërrin gjer në kupolat e larta, tek “çobanët” politikë dhe ideologjikë që i prodhojnë. A e merrni dot me mend që një udhëheqës i lartë partiak ndër ne, sikundër thuhet, teksa e pushkatonin thërriste “Rroftë shoku Enver”, ose “Këtë nuk e di shoku Enver, shoku Stalin, shoku Lenin, z. Bakir Abu Xhabllaja, imam Hysein Hasani, sekretar filani etj.?” E shikoni se sa paradoksale dhe e përçudshme është kjo gjë?! E pra, një qasje e tillë e përafërt i ka munguar filmit shqiptar dhe nuk e di se kur do të mbërrij, me subjekte drithëruese e të besueshme, për ta parë veten tonë në pasqyrë, për të kuptuar deformimin që kemi pësuar. Dhe, një film realist është ku e ku më tronditës dhe terapeutik se sa hapja e qindra e mijëra dosjeve mbushur përplot pisllëqe e spiunime ndaj shoqi-shoqit, gruaja ndaj burrit, djali ndaj babait dhe anasjelltas… Bota ka prodhuar filma të tillë që janë vërtet tronditës, që të shkundin nga themelet dhe të bëjnë të mendohesh thellë, me qëllim që fenomeni i diktaturave dhe inkontaminimit të lirisë të mos përsëritet kurrë më…

– Skenari i filmit është një nga më të diskutuarit. Për ju çfarë problemesh ka shkrimi i skenarit?

Një mori problemesh, por unë po i shmangem pyetjes, pasi ajo ka natyrë teorike dhe do të më duhet të bëj një ligjëratë të gjatë për parimet e hartimit të një skenari dhe cilësinë e tij. Përkundrazi, do desha të sillja në vëmendje të kineastëve nevojën e shfrytëzimit të letërsisë shqipe. Janë shkruar shumë romane të bukur, tregime e gjini të tjera, ku mund të merret ngasja e një subjekti filmik interesant, e një konflikti a personazhi që ofron trajtime të bukura ideore e shpirtërore. Pak kineastë i afrohen bashkëpunimit me shkrimtarët. Them se krahas asaj sëmundjes së vjetër për t’i marrë vetë honorarët e skenarit, më tutje edhe famën, lavdinë, meritën, emrin, kam përshtypjen se kineastët që bëhen njëherit edhe skenaristë të filmave të tyre nuk kanë besim te shkrimtarët, u duket sikur ata s’e njohin gjuhën e filmit, imazhin, karakterin dinamik të tij. Nuk funksionojnë shoqatat e kineastëve. Njerëzit duken sitë veçuar, gjithkush për vete. Por unë mendoj se bashkëpunimi prandaj është i tillë, që kineasti falë këshillimeve të vazhdueshme ofron edhe vizualitetin, edhe dinamikën e veprimit të veprës letrare, e cila kthehet në skenar filmi duke u rimodeluar estetikisht e duke ndryshuar trajtë, strukturë. Dikur kishte ekipe, skenaristë dhe redaktorë që paguheshin për këtë gjë dhe e bënin punën në grup, sot këto hallka nuk funksionojnë më.

– Jeni shprehur jo pak herë për mungesën e kritikës në art. Vijon ky problem…

Po, vijon dhe kam frikë se do të vijojë ca si gjatë. Përpos produktit të kufizuar kinematografik që kemi si hapësirë shqiptare Shqipëri-Kosovë-Maqedoni, këtu në Tiranë, në Universitetin e Arteve ne nuk kemi çelur ende një degë për dramaturgë-skenaristë dhe kritikë teatri dhe kinematografie. Dhe mesa duket, jo gjuha lesh të të zërë, por as e luan dot murin e indiferencës dhe pakuptimësisë që e ka përfshirë këtë lami. Kritika është shumë e vështirë, sepse bart në thelb të vet, përpos vlerësimit estetik të një vepre kinematografike, edhe një aspekt mirëfilli etik, moral e, madje, të karakterit të njeriut. Pasi kërkohet sinqeritet, dëlirësi, një marrëdhënie mirëkuptimi me krijuesit, jo marrëdhënie ofendimesh, përjashtimesh e moskuptimesh. Nuk është e lehtë të jesh sot kritik në një klimë, shpesh sharjesh, shpotish etj, aq më pak kur kritika nuk paguhet dhe mbetet e shpërfillur, rrjedhimisht e pavlerësuar. Prandaj dhe kritika nuk shndërrohet dot në profesion nëse nuk ka shkollë për të dhe nëse nuk paguhet. /Julia Vrapi/SOT/