LAJMI I FUNDIT:

Panxha: Kosova të ofrojë më shumë kushte e më pak burokraci për investitorët (Video)

Panxha: Kosova të ofrojë më shumë kushte e më pak burokraci për investitorët (Video)

Drejtori i Klubit të Prodhuesve të Kosovës, Astrit Panxha, ka thënë se Kosova duhet të fokusohet në stimuj të tjerë ekonomik, pasi që vendi ynë është në konkurrencë me vendet e tjera të rajonit.

Panxha, në emisionin “Përballje” të gazetarit Muhamet Hajrullahu në RTV Dukagjini, ka thënë se prioritet e qeverisë në fushën e ekonomisë janë të gabuara duke u munduar të krijojnë një paqe sociale.


“Përveç infrastrukturës, Kosova duhet të fokusohet edhe ne stimuj të tjerë ekonomik, duke e ditur se Kosova është në konkurrencë me vendet e tjera të rajonit se kush do të tërheq më shumë investime të huaja”, ka thënë Panxha.

Ai thotë se përveç infrastrukturës, Kosova duhet të fokusohet edhe ne stimuj të tjerë ekonomik.

Sipas Panxhës, nga burokracia e tepërt për kompanitë e mëdha që vijnë në Kosovë nuk po ofrohet siguria juridike.

“Kompanitë e mëdha vijnë në Kosovë për infrastrukturë, për fuqinë punëtore dhe për sigurinë juridike që duhet ofruar shteti, për momentin ne sigurinë juridike për fat të keq nuk ofrohet, sepse ka burokraci të tepërt. Sa do që është vullneti i mirë i kryeministrit me tërheq investitor, pengesat nuk ndodhin gjithmonë në qeveri, pengesat ndodhin shpesh në qeveritë lokale dhe në agjencionet që konsiderohen të pavarura”, tha Panxha.

Ai tregoi se humbjet vjetore të bizneseve kosovare në energji elektrike janë rreth 300 milionë euro.

“Për ne është me rëndësi që çështje që kanë të bëjnë me energji iu është kushtuar një rëndësi të veçantë, sepse prodhimit humbjet më të mëdha i shkaktohen nga mungesa dhe jo qëndrueshmëria në energji. Sipas disa studimeve që janë përgatitur nga USAID-i amerikan, humbjet vjetore janë diku 300 milionë euro, do të thotë se çdo euro që ne e fitojmë në eksport kompensohemi që t’i mbulojmë humbjet nga energjia”, deklaroi ai.

Panxha thotë se duhet të ketë përshpejtim të reformave dhe aktiviteteve ekonomike.

“Neve na intereson përshpejtimi i reformave apo përshpejtimi i aktiviteteve ekonomike. Kosovës i nevojitet një rritje ekonomike vjetore prej 8 për qind që ta ul papunësinë dhe për ta arritur këtë janë disa parametra dhe reforma strukturore që duhet të ndërmerren”, përfundoi ai. /Telegrafi/