Pas sulmit me dronë ukrainas ndaj rafinerisë së naftës në qytetin rus Tuapse më 20 prill, shpërtheu një zjarr i madh që përkeqësoi ndjeshëm cilësinë e ajrit.

Banorët raportuan frikë dhe pasiguri, ndërsa situata në qytet vazhdonte të përkeqësohej, shkruan Kyiv Independent.


Zjarri shpërtheu menjëherë pas sulmit në impiantin e naftës dhe tymi i dendur u pa duke u ngritur mbi rafineri.

Banorët publikuan në rrjetet sociale foto dhe video të ndotjes së madhe, përfshirë edhe blozë në rrugë dhe oborre, si dhe pamje të ndotjes në Detin e Zi. Zjarri nuk ishte shuar as pas tre ditësh.

Me përkeqësimin e kushteve mjedisore, shumë banorë u ankuan se në qytet “nuk mund të merret frymë”, ndërsa disa e përshkruan situatën si katastrofë ekologjike dhe kërkuan të largohen menjëherë nga Tuapse.

Një banore tha se qyteti është mbuluar nga një shtresë e zezë dhe se ndotja nuk pastrohet, duke e quajtur gjendjen “një makth”. Një tjetër qytetare, në video të publikuara në Telegram, shprehu zhgënjim të thellë ndaj autoriteteve ruse, duke thënë se besimi i saj te qeveria është shkatërruar.

Në rrjetet sociale dhe kanalet pro-ruse u bënë krahasime të forta, duke e quajtur situatën “Hiroshimë pa rrezatim” dhe duke e krahasuar me katastrofën e Çernobilit, edhe pse në zonë nuk ka objekte bërthamore dhe Ukraina nuk posedon armë bërthamore.

Përfaqësues pro-rusë pretenduan se qyteti “është shkatërruar” dhe se toka, uji dhe ajri janë të ndotur rëndë, duke përdorur gjuhë dramatike për të përshkruar pasojat e zjarrit dhe ndotjes.

Autoritetet lokale reaguan me vonesë, duke pranuar më vonë se substanca nga djegia janë përhapur në atmosferë dhe kanë rënë me shi, duke lënë shtresë bloze në qytet. U raportua gjithashtu rritje e ndjeshme e ndotësve si benzeni dhe ksilen.

Banorëve u është rekomanduar të kufizojnë qëndrimin jashtë, të mbajnë maska dhe të pastrojnë ambientet me metoda të lagështa, ndërsa autoritetet thonë se situata do të normalizohet sapo të shuhet zjarri. /Telegrafi/