LAJMI I FUNDIT:

Palmer: Vendimi për Berishën, mjet i luftës së SHBA-së kundër korrupsionit

Palmer: Vendimi për Berishën, mjet i luftës së SHBA-së kundër korrupsionit

Zëvendës Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit për Evropën, Matthew Palmer, ka thënë se vendimi i Sekretarit të Shtetit, Antony Blinken për të përcaktuar publikisht ish-presidentin e Shqipërisë, Sali Berisha si të përfshirë në korrupsion, është një prej mjeteve që SHBA-ja vë në përdorim për të luftuar korrupsionin.

“Ky është një ndër instrumentet që ne kemi për të luftuar korrupsionin publik. Ne i qëndrojmë në krah popullit shqiptar kundër korrupsionit publik dhe përcaktimi i zotit Berisha, që e bën atë të pakualifikuar për një vizë për në Shtetet e Bashkuara, i bën anëtarët e afërm të familjes së tij të pakualifikuar për viza drejt Shteteve të Bashkuara, është një dëshmi e këtij angazhimi”, tha Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit.


“Berisha abuzoi me pozitën e besimit të publikut për të pasuruar veten, për të pasuruar anëtarët e familjes së tij, për të pasuruar aleatët politikë dhe mbështetësit. Shtetet e Bashkuara e marrin çështjen e korrupsionit publik shumë seriozisht”, tha Palmer, për Zërin e Amerikës.

Zyrtari i lartë amerikan u pyet edhe në lidhje me kohën e publikimit të këtij vendimi për ish-kryeministrin Berisha.

“Nuk do t’i kushtoja rëndësi momentit kohor, por ajo që ka rëndësi është serioziteti me të cilin e marrin Shtetet e Bashkuara çështjen e korrupsionit publik. Kjo është një dëshmi e angazhimit tonë për të përdorur ato instrumenta që kemi të disponueshme, përfshirë sanksione sipas nevojës, me qëllim forcimin e luftës ndaj korrupsionit publik dhe për t’u siguruar se ka llogaridhënie për ata që abuzojnë me besimin e publikut”, tha Palmer.

Të mërkurën (19 maj) Departamenti i Shtetit i SHBA-së njoftoi se u ka ndaluar hyrjen në territorin amerikan ish-presidentit dhe ish-kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha dhe anëtarëve të familjes së tij të ngushtë, për shkak të përfshirjes së tij në korrupsion të gjerë.

Ish kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha dhe familjes së tij i ndalohet hyrja në SHBA
Lexo po ashtu Ish kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha dhe familjes së tij i ndalohet hyrja në SHBA

Në deklaratën e Sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken, thuhet se Berisha, në cilësinë e tij zyrtare, në veçanti si kryeministër i Shqipërisë, ishte i përfshirë në veprime korruptive, të tilla si shpërdorim i fondeve publike dhe ndërhyrje në proceset publike.

Sipas, DASH-it, ish-kryeministri shqiptar, ka përdorur pushtetin e tij për përfitimet dhe për të pasuruar aleatët e tij politikë dhe anëtarët e familjes së tij.

Rrjedhimisht, u është ndaluar hyrja në SHBA, Berishës, bashkëshortes së tij, Liri Berisha, djalit të tij, Shkelzen Berisha dhe vajzës, Argita Berisha Malltezi.

Berisha: Vendimi i DASH-it nuk ka bazë konkrete

Në një reagim publik Berisha, tha se për ndalimin e hyrjes së tij dhe të familjes së tij në SHBA, ka mësuar përmes mediave.

Përmes një postimi në Facebook, Berisha kërkoi që të bëhen publike të gjitha dokumentet që e përfshin atë në korrupsion, duke shtuar se sa ka qenë në postin e presidentit dhe kryeministrit, ai ka mbrojtur interesin publik kombëtar.

“Unë kam denoncuar më shumë se kushdo tjetër në këtë vend publikisht brenda dhe jashtë vendit, krimin e organizuar shqiptar dhe bandat e tij, kartelet e drogës, lidhjet e tyre me zyrtarët më të lartë shqiptarë, por edhe të huaj, korrupsionin e papërmbajtur qeveritar në Shqipëri. Po kështu unë kam mbështetur reformën në drejtësi e te gjitha ndryshimet kushtetuese, por kam kritikuar dhe denoncuar çdo akt të ndërmarrë në kundërshtim flagrant me amendamentet kushtetuese për vendosjen e kontrollit të plotë politik mbi sistemin e drejtësisë”, tha Berisha.