LAJMI I FUNDIT:

Pakoja e re e Qeverisë, Rukiqi: Shpërndarje e parasë publike pa asnjë plan

Pakoja e re e Qeverisë, Rukiqi: Shpërndarje e parasë publike pa asnjë plan

Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, ka kritikuar Qeverinë Kurti lidhur me pakon për përballje me inflacionin që e prezantoi sot kryeministri Albin Kurti bashkë me ministrin e Financave, Hekuran Murati.

Sipas tij, kjo pako është e nxitur nga presioni dhe paniku, si dhe ka për synim jo adresimin e problemit të inflacionit, por “paqen sociale afatshkurtër”, “pas menaxhimit amatoresk, me krizën energjetike dhe së fundmi me grevën në sektorin publik”.


Masa mbështetëse për subvencionimin e faturave të energjisë, Murati jep detajet
Lexo po ashtu Masa mbështetëse për subvencionimin e faturave të energjisë, Murati jep detajet

“Sot, në vend që të shohim një plan serioz për parandalim të thellimit të krizës gjatë muajve të dimrit, ne po shohim edhe një veprim të radhës të shpërndarjes së parasë publike pa asnjë plan”, ka shkruar Rukiqi në Facebook.

“Për pako të tilla, të shpërndarjes së parasë, në të majtë e në të djathtë, nuk na nevojitet të kemi as Kryeministër e as Qeveri. Do të mjaftonte një arkëtar dhe një zyrtar i thesarit”.

Ndryshe, Qeveria e Kosovës përmes pakos së re, duke filluar nga ky muaj për zyrtarët publikë do të ndajë shtesën prej 50 euro, kurse për punëtorët në ndërmarrjet publike do të ndajë shumën e njëhershme prej 100 euro. Për pensionistët do të ndajë shumën e njëhershme prej 100 euro (në tetor), ndërkaq familjet në asistencë sociale do t’i mbështesë duke dyfishuar shumën e asistencës për një muaj.

Kryeministri përmendi edhe sektorin privat duke thënë se 80 për qind janë të punësuar në këtë sektor, e që është prekur më së shumti nga inflacioni.

“Do të mbështesim secilin biznes që i rritë pagat e punëtorëve. Duke subvencionuar 50 për qind të rritjes së pagës për punëtorë, maksimumi 100 euro për tre muajt e parë”, bëri të ditur Kurti.

Përkrahje do të ketë edhe për studentët, ku siç u bë e ditur, do të ndahet shuma e njëhershme prej 100 euro në nëntor kur viti akademik është duke u zhvilluar.

Ndërkaq, ministri Hekuran Murati tha se subvencionimi i faturave të energjisë, shtesat në sektorin publik, ndihma e familjeve në asistencë sociale do të fillojnë këtë muaj, ndërsa procedimi i mjeteve për pensionistët do të bëhet në muajin tetor. /Telegrafi/