LAJMI I FUNDIT:

Pak interesim për ecjen “Dhëmbë të shëndoshë, fëmijë të lumtur”

Pak interesim për ecjen “Dhëmbë të shëndoshë, fëmijë të lumtur”

Me qëllim të informimit të fëmijëve dhe nxënësve mbi rëndësinë e shëndetit oral, të dielën është organizuar ecja e pestë “Dhëmbë të shëndoshë, fëmijë të lumtur”, ku fëmijët dhe lepuroshi kanë dhënë mesazhe e këshilla në mënyrë që fëmijët të kenë përkujdesjen e duhur dhe të vazhdueshme për dhëmbë të shëndoshë e fëmijëri të lumtur.

Por organizatorët e këtij projekti u shprehën të pakënaqur me numrin e pjesëmarrësve në këtë ecje.


Xheladin Ujkani, udhëheqës i këtij projekti e po ashtu edhe dentist i fëmijëve, thotë se qëllimi i këtij projekti është informimi i fëmijëve për shëndetin e dhëmbëve. Duke numëruar kështu edhe disa këshilla, të cilat i ka bartuar kjo ecje.

“Është ecje tradicionale tashmë, në kuadër të projektit” Dhëmbë të shëndoshë, fëmijë të lumtur”, që ka për qëllim informimin e fëmijëve, nxënësve, të prindërve, familjarëve mbi rëndësinë e shëndetit të dhëmbëve, të shëndetit të gojës në përgjithësi….Prindërit duhet të kenë kujdes që me i eduku fëmijët e tyre që dhëmbët me i pastru, në mëngjes, gjatë ditës sipas nevojës, por edhe në mbrëmje gjithmonë para gjumit. Këshilla e dytë e lepuroshit ka qenë që prindërit me i eduku në atë mënyrë fëmijët me i largu sa më shumë prej ushqimit që kanë shumë sheqer, shumë kripë, shumë biber edhe prej pijeve të gazuara”, tha ai.

Ujkani tha se me këtë ecje, kanë bartur mesazhin po ashtu që prindërit të përgatisin fëmijët e tyre para se të shkojnë te dentisti, në mënyrë që këtyre të fundit t’u largohet frika gjatë kontaktit që kanë me dentistin.

Ujkani u shpreh i pakënaqur me interesimin e pjesëmarrësve në këtë ecje.

“Vitin e kaluar ka qenë ditë me borë, ditë me shi, 20 marsi edhe kanë qenë mbi 2000 fëmijë, pjesëmarrës në ecje. Por, ka qenë ditë pune, do të thotë kanë ardhur në mënyrë të organizuar prej institucioneve parashkollore, fillore. Këtë vit e kemi lënë qëllimisht për shkak edhe të kohës më të mirë edhe ditë vikendi që fëmijët me pas mundësi me dal me prindërit. Po mungojnë. Fëmijët nuk e kanë ditur që është ecja”, tha ai.

Ujkani mes tjerash tha se numri jo i madh i të interesuarve në këtë ecje, ka të bëjë edhe me neglizhencën e prindërve për fëmijët dhe shëndetit të tyre oral.

Përkundër kësaj, si ditë të veçantë po e shohin këtë të sodit, prindër pjesëmarrës në këtë ecje.

Astrit Gashi thotë për KosovaPress, se nuk është i lehtë vetëdijesimi i fëmijëve sa i përket shëndetit të dhëmbëve.

“Kjo ditë ka rëndësi shumë të veçantë, sepse dhëmbët kur janë të shëndoshë, fëmijët janë çdo herë më të lumtur, më të sigurt, më të mirë. Si për nga shëndeti, si për nga të gjitha gjërat tjera… Është vështirë se duhet të punojmë me shumë me ta. Për ngrënie me pa se çfarë me përdor , çfarë të hanë, çfarë të pinë. Mos me përdor pije të gazuara, mos me hangër ëmbëlsira”, tha Gashi.

Se shëndeti dhe mirëmbajtja e dhëmbëve është me rëndësi, po e thonë edhe vet fëmijët.

Arona Ziberi, thotë se përveç asaj që kanë mësuar nga ky projekt edhe është argëtuar.

“Unë kam kaluar shumë mirë… Unë kam dalur për t’u argëtuar edhe për me mësua për projektin edhe jam ambasadore e projektit… Është shumë e rëndësishme që në qoftë se nuk kujdesemi për dhëmbët, atëherë na prishen”, tha ajo.

Para fillimit të ecjes, fëmijët, lepuroshi por edhe të pranishmit tjerë, kanë pastruar dhëmbët, ndërsa gjatë ecjes kanë kënduar këngën “Dhëmbë të shëndoshë, fëmijë të lumtur”.

Ndryshe, ky projekt është i Organizatës për Arsim, Shkencë dhe Shëndetësi “KISCOMS“ dhe realizohet në bashkëpunim me Komitetin ndërministror të programit ”Shkollat Promovuese të Shëndetit”. /Telegarfi/