Shumëkush e di se data 9 nëntor shënon për kombin gjerman ditën e “rënies” së murit të Berlinit, por në fakt për Gjermaninë kjo datë ka shënuar fatin e saj katër herë, për të mos u fshirë lehtë, dhe jo gjithmonë për mirë. Orakulli kishte vendosur që më 9 nëntor të vitit 1918 një revoltë popullore të rrëzonte nga froni mbretin Kaiser Wilhelm II, duke ndryshuar formën e qeverisjes nga një monarki në një demokraci, me të ashtuquajturën Republika e Weimarit.

Historia 15 vjet më vonë rikthen edhe një herë 9 nëntorin e vitit 1933, pikërisht aty ku Hitleri me partinë e tij naziste kërkoi me një grusht shteti përmbysjen e kësaj demokracie të brishtë, edhe pse pa sukses. Viti 1938 e gjen Gjermaninë e 9 nëntorit përsëri me një ngjarje historike. Rrugët ishin plot qelqe të thyera të dyqaneve dhe sinagogave të hebrenjve, arsye për të cilën kjo datë u pagëzua si “nata e kristaleve të thyera”. U vranë aty 97 hebrenj të Gjermanisë dhe 30 mijë të tjerë u nisën në kampet e përqendrimit. Ky ishte fillimi, i cili u pasua vite më vonë, nga një shoah ndaj hebrenjve me gjashtë milionë viktima, duke shpëtuar pjesa tjetër prej kujtesës së vonë të Fyhrerit që e nisi shfarosjen prej vitit 1943, pasi në të kundërt numri do të kishte qenë progresivisht më i lartë.

Në pranverën e vitit 1945, Hitleri vetëvritet në bunker, ndërkohë që i gjithë vendi i ngjante tanimë një fushë grumbullimi mbeturinash prej betoni. Konferencat e Jaltës dhe të Potsdamit, drejtuar nga liderët botërorë Churchill, Roosevelt (pasuar nga Truman) e Stalin, kishin paracaktuar fatin dhe ndarjen e Gjermanisë, ende pa mbaruar lufta, në katër zona influence: amerikane, angleze, franceze dhe të Bashkimit Sovjetik. Tashmë gjermanët nuk kishin më asgjë në dorë për të vendosur fatin e tyre të pasluftës, madje ministri amerikan i Financave mbërriti deri aty sa propozoi që emblema e industrisë së “Krupit” të shndërrohej totalisht në një vend bujqësor. Planet e tyre kishin në emërues të përbashkët: qëllimin për t’i penguar Gjermanisë mundësinë e ribërjes si potencial ushtarak, gjë e cila me gjasë do të çonte në një luftë të tretë rruzullin. Gjithsesi, superuar këtë fazë fillestare, interesat për zona influence të nisura nga BS me pretendimin për dëmshpërblime lufte, çuan në përdorimin tanimë të tokës gjermane, për dislokimin e strategjive të paramenduara gjeopolitike.

Fati i vështirë i Gjermanisë, e cila në atë kohë ishte e pamundur për të pasur një faktor të saj politikë, do të shihte pikërisht këtu, në përfundim të Luftës së Dytë Botërore, nisjen e një tjetër lufte po aq të frikshme ku u përfshinë dy superfuqitë, ShBA dhe BRSS, tanimë e tëra e zhvilluar mbi territorin e Gjermanisë. Kjo luftë ndau fizikisht Berlinin në dy pjesë dhe gjithë globin në dy kampe, ku dy superfuqitë përfaqësuan njëra traktatin e Varshavës dhe tjetra NATO-n. U quajt Lufta e Ftohtë dhe falë fatit që ishte e tillë, pasi postblloku “Charlie check-point”, i vendosur në “Friedrichstraße” mu në zemër të Berlinit, pa të vendosura egërsisht ftohtë përballë njëri-tjetrit tanket amerikanë dhe rusë, në një distancë shumë të shkurtër. Ata prisnin vetëm një sinjal dhe qyteti i rrënuar së afërmi nga bombardimet e aleatëve do të kishte të vetmen alternativë ekzistence, shkrumbimin deri në hi.

Berlini historik tanimë i kontrolluar nga bolshevikët u nda në kampin e Lindjes dhe atë të Perëndimit, duke krijuar në këtë mënyrë dy Gjermani të ndara jo shpirtërisht, por të ndara politikisht dhe ekonomikisht nga një humnerë e pashembullt ideologjike. Vija ndarëse që përshkonte tërësisht atë, e cila u vendos fillimisht si tel me gjemba e më pas u ngrit në një mur të mirëfilltë, pa në të dyja anët e Gjermanisë familjarë që valëvitnin shamitë e lamtumirës duke memorizuar imazhet e fundit të lotëve, nëpërmjet një të çare në mur. Secili krah ishte me të drejtën, e tregojnë vrasjet e atyre njerëzve, përfshirë edhe fëmijët e tyre disa muajsh, në tentativën për të kaluar murin nga lindja drejt perëndimit. E simbolizon vrasja e 18-vjeçarit Peter Fechter i cili tek vraponte po në të njëjtin kah lindje-perëndim, u qëllua dhe mbeti i plagosur në këmbët e murit. Policia perëndimore ishte e ndaluar që të ndërhynte, ndërkohë që forcat e aleancës perëndimore gjithashtu nuk do të mund të bënin dot asgjë. Trupi u tërhoq pas rreth një ore nga policia kufitare lindore, por gjakderdhja nuk i kishte lënë shteg për mbijetesë të riut.

Gjermanisë Lindore, një ditë shkurti të ftohtë të vitit 1950, iu komunikua në pak rreshta te “Neues Deutschland” se pas aprovimit nga “Dhoma e Popullit”, drejtoria e paracaktuar për ruajtjen e ekonomisë popullore tanimë do të shndërrohej në një Ministri për Sigurimin e Shtetit. Kështu lindi Stasi ose Policia Sekrete, vegël e përdorur nga sistemi diktatorial për të ushtruar reprezalje, vrasje e burgosje për të gjithë kundërshtarët politikë, disidentët, sipërmarrësit apo njerëzit e thjeshtë që donin të largoheshin nga lindja. Por, linja Rusi-diktaturë komuniste për t’u instaluar në Gjermaninë Lindore, daton më herët se krijimi i Stasit, pikërisht atëherë kur në prill të 1945, në një Gjermani akoma të padorëzuar, një aeroplan sovjetik takon tokën e Meseritzit në prapavijat e Armatës së Kuqe, me disa personazhe të spikatura më parë në politikën e saj. Janë ata komunistë gjermanë të cilët kërkuan azil politik në Rusi, që prej vitit 1933, atëherë kur Hitleri kërkoi me çdo kusht mos votimin e partisë komuniste, duke kërkuar t’i nxirrte jashtë Parlamentit. Këta u bënë mentorët strategë të Stasit, të drejtuar direkt nga Kremlini dhe Policia e saj sekrete nën drejtimin e Lavrenti Berias, qëkur lufta ende nuk kishte përfunduar.

Detyra e Stasit ishte spiunazhi dhe persekutimi i kundërshtarëve, por edhe kur kapej individi shpeshherë përdorej nga i njëjti institucion si informator, pra, bëhej njëkohësisht viktimë dhe persekutor. Vetë forma e funksionimit të Stasit ishte e mbuluar nga sekreti shtetëror dhe si i tillë as ata që punonin për të nuk kishin dijeni për mënyrën e funksionimit në hierarkinë nga poshtë-lart. Nuk dihet me saktësi numri i punonjësve brenda tij, por me rënien e murit të Berlinit rezultoi se as vetë qeveria gjermane nuk e dinte me saktësi se sa numëroheshin realisht. Hamendësohet rreth 90 mijë punonjës dhe diku te rreth 110 mijë informatorë shtesë në organikë. Statistikat flasin se si pasojë e Luftës së Ftohtë dhe aktivitetit të Stasit mbi 17 milionë gjermanë u persekutuan nga diktatura komuniste e Republikës “Demokratike” Gjermane. Por, ajo çfarë bashkon të gjitha sistemet postdiktaturë është pikërisht fakti i mbijetesës, madje i riintegrimit të ish-agjentëve dhe persekutorëve në pushtetin aktual politik dhe ekonomik të këtyre vendeve. Ky fakt ka ndodhur edhe në Gjermani. Akuzat ndaj ish punonjësve të Stasit që pas rënies së murit kanë punuar për qeverinë apo ndërmarrje të rëndësishme shtetërore, janë me emra dhe mbiemra.

Kësaj radhe, data e 9 nëntorit shënoi prishjen e murit të Berlinit dhe u bë sipari i unifikimit të Gjermanive, gjë e cila u zyrtarizua një vit më vonë, në 3 tetor 1990. Spekulohet se shumë dosje mund të jenë prishur edhe nga vetë agjentët e Stasit në grahmat e tij të fundit, ndërkohë masat e irrituara të Gjermanisë Lindore u drejtuan në zyrat e tij, duke marrë përpara çdo gjë gjenin e duke shkatërruar kësodore edhe shumë dosje. Paçka këtij fakti, të kuptueshëm në kontekstin e kohës, Bundestagu Gjerman më 29 dhjetor të vitit 1991 miratoi ligjin me anë të të cilit u lejua hapja e të gjitha dosjeve, të cilat kishin qenë në dorë të Stasit. Shteti gjerman, tanimë i ndodhur në udhëkryqin e pajtimit në politikën e brendshme, diti me pjekuri të kërkojë rrugët për të pajtuar viktimat me dhunuesit. Ai diti të përdorë transparencën dhe drejtësinë dhe u përfshi në vetë të parë, në mënyrë të drejtpërdrejtë si një faktor rregullator, duke legjitimuar krijimin dhe funksionimin e dy komisioneve të ashtuquajtura “Komisione të së vërtetës”. Komisioni i parë u mandatua në periudhën 1992 deri më 1994, me detyrën për të njohur historinë dhe të vërtetat e sistemit komunist në Gjermaninë Lindore. Ky komision u pasua nga një i dytë në vitet 1995-1998 me të njëjtin objektiv, por me synimin për t’i shkuar edhe më thellë statistikave të së parit.

Po ashtu, shteti gjerman, grupet e interesit dhe shoqëria civile janë përfshirë në strategjinë kombëtare të pajtimit, duke pasur bashkëveprimin e ministrive. Kjo strategji ka pasur dhe vazhdon të ketë si objektiv njohjen e së shkuarës dhe pajtimin për të ardhmen dhe janë përfshirë në një blog të krijuar posaçërisht, shkrimet dhe opinionet e shoqërisë civile e të akademikëve, brenda dhe jashtë Gjermanisë, si pika referimi, sugjerimi apo edhe reflektimi ndaj strategjisë dhe mënyrës operacionale se si po zhvillohet ajo. E, megjithatë, po në këtë proces, qeveria federale gjermane ka përcaktuar një afat rishikimi, në vitin 2025, për të parë se si ka ecur, për të bërë vërejtjet dhe sugjerimet në lidhje me përmbushjen e objektivit.

Strategjia kombëtare nga pikëpamja konkrete përpiqet të vërë në jetë këto synime, nëpërmjet implementimit të mekanizmave dhe mjeteve të drejtësisë tranzitore. Këto të fundit nuk mund të konkretizoheshin pa iu përgjigjur disa parimeve të përcaktuara mirë dhe të pranuara nga të gjitha grupet e interesit. Parimet kryesore ose nëse do të shpreheshin ndryshe, linja udhërrëfyese duhet të përfshijnë: të drejtën e viktimave për të njohur dhunuesit apo spiunët e tyre; të drejtën e viktimave për të “marrë drejtësi” duke futur këtu tri shtylla: dënimin e persekutorëve, kthimin e pronave dhe kompensimin ekonomik; dhe, së fundmi, t’u garantohet moskthimi ose mos përsëritja e së shkuarës. Në lidhje me përmbushjen e tyre, strategjia kombëtare parashikon disa linja, të cilat kërkojnë domosdoshmërisht procesin gjyqësor, duke cilësuar se nuk mund të shmangen njohja dhe ndëshkimi i persekutorëve, rikthimi i pronave dhe kompensimi monetar pa u legjitimuar nëpërmjet një procesi të rregullt ligjor. Ndërkohë, linja tjetër, ose rruga jogjyqësore, do të përdoret për të vendosur dialogun në gjetjen e së vërtetës dhe në “shërimin shpirtëror” të viktimave. Filli moral që duhet të përshkruajë të dyja këto procese nuk duhet të humbasë lajtmotivin se dhimbja dhe padrejtësia që iu është shkaktuar viktimave nuk duhet harruar kurrë.

Gjithashtu, jo në fund për nga rëndësia, por një rol të jashtëzakonshëm në këtë proces pajtimi kombëtar ka luajtur dhe vazhdon të luajë feja dhe besimi. Sot, në mes të Berlinit, aty ku ishte njëherë e një kohë muri ndarës, ndodhet “Kisha e Pajtimit” e cila gjatë kohës së Luftës së Ftohtë mbeti në territorin lindor dhe u përdor vetëm nga rojet kufitare si një kullë vrojtimi. Ajo kishte në themelet e saj edhe një bombë të Luftës së Dytë Botërore, e cila nuk kishte shpërthyer. Por, shenjtërinë e ruajti kur në kohën e luftës së ftohtë ajo u prish për qëllime të përforcimit të mbrojtjes dhe kryqi i saj, i cili ra, u fsheh nga punonjësit brenda dhe u ruajt për shumë kohë. Sot, kjo kishë e rindërtuar, së bashku me monumentin “Statuja e Pajtimit”, e vendosur disa metra më larg saj, simbolizojnë në Berlinin e pas komunizmit, kujtesën dhe pendesën si dhe dëshirën drejt faljes e pajtimit kombëtar.