Pacolli: "Liqeni i Dukagjinit” injoroi urdhrin për mbyllje, ndaj pronarit u iniciua procedurë penale

Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli, ka njoftuar se është kryer një inspektim i radhës në restorantin “Liqeni i Dukagjinit”, me asistencën e Policisë së Kosovës.
Pacolli ka bërë të ditur se inspektimi është realizuar pasi, sipas saj, nuk është respektuar urdhri i Inspektoratit të Ministrisë së Mjedisit për ndërprerjen e menjëhershme të veprimtarisë së restorantit.
Ajo ka deklaruar se, për shkak të refuzimit për zbatimin e vendimit për mbyllje dhe vazhdimit të punës, ndaj pronarit të restorantit është iniciuar procedurë penale për vazhdim të kundërligjshëm të operimit.
“Shteti dhe vendimet e institucioneve nuk mund të sfidohen nga askush!”, ka shkruar Pacolli.
Sipas saj, ujërat dhe prona publike e Kosovës nuk duhet të degradohen për interesa private, duke theksuar se sundimi i ligjit dhe mbrojtja e natyrës mbeten prioritet.
“Ujërat dhe prona publike e Kosovës nuk mund të degradohen për interesa private, prandaj sundimi i ligjit dhe mbrojtja e natyrës mbeten pa kompromis!”, ka deklaruar Pacolli. /Telegrafi/






































