LAJMI I FUNDIT:

Pacolli dëshiron që të mbyllet AKP–ja

Pacolli dëshiron që të mbyllet AKP–ja

Presidenti i Aleancës Kosova e Re (AKR), Behgjet Pacolli, thotë se është mirë që Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP), të mbyllet. Ai në një shkrim në Facebook, ka propozuar të hapet një agjencion i participimeve publike, i cili si bazë do ta kishte partneritetin publiko-privat.

“Një iniciativë e tillë është për t’u përshëndetur. Është shumë e vonuar, por më mirë vonë se kurrë. Që nga 2006, kur unë hyra në politikë kam kërkuar një model tjetër privatizimi, privatizim për zhvillim dhe jo rrënim si ky që ka sjellë Agjencioni. Ekonomia e Kosovës është rrënuar, pasuria e brezave është zhvlerësuar, punësimi ka rënë ndjeshëm kryesisht prej këtij Agjencioni. AKP-ja nuk i ka shërbyer ekonomisë dhe tash sa moti unë e kam përsëritur këtë. Për këto mendime, për këtë shtyllë të programit ekonomik të AKR-së unë jam sulmuar egërsisht, por kurrë s’kam hequr dorë. Madje në mënyrë të padrejtë më kanë akuzuar dhe për privatizime, një shpifje monstruoze. Unë dhe kompanitë e mija qe nga hyrja ime ne politik nga viti 2006 kurrë s’kam blerë asgjë prej këtij Agjencioni. Si ndërmarrës me fuqi financiare mbase më leverdiste ta mbështesja, pse unë kisha gjithmonë mundësi të blija, por e kam refuzuar për parimet e mia”, shkruan Pacolli.


Ai thotë se pas nëntë viteve Qeveria është kthyer tek ideja e tij. “Nuk di si do vijohet më tej me pjesëmarrjen e shtetit në ndërmarrje të caktuara publike, por unë qeverisë do i bëja një rekomandim: Themeloni një Agjencion të participimeve publike. Ky Agjencion jo në duart e qeverisë, por me bazë të gjerë, i ngritur me ekspertë, do të ishte baza e Partneriteteve Publiko private, ndërmarrje që do të punonin mbi kushtet e tregut dhe parimit të efektivitetit ekonomik. Unë jam kundër shtetëzimeve dhe kjo që kërkoj është diçka kalimtare në kushtet e Kosovës. Ne jemi në një fazë zhvillimi që shtete të tjera e kanë kaluar prej kohësh dhe që kërkojnë forma bashkëpunimi kësisoj!”, ka shkruan Pacolli i cili nuk ka mundur të hynë në Kuvendin e Kosovës me partinë e tij. /Telegrafi/