LAJMI I FUNDIT:

Osmani takohet me zv.presidentin e MCC: Granti prej mbi 200 milionë euro do ta transformojë sektorin e energjisë

Osmani takohet me zv.presidentin e MCC: Granti prej mbi 200 milionë euro do ta transformojë sektorin e energjisë

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka pritur në takim Cameron Alford, zëvendëspresident në Korporatën e Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC).

Në njoftimin e bërë nga presidenca thuhet se  Osmani, në prag të fillimit zyrtar të Programit Kompakt, ka pritur sot në takim Cameron Alford, zëvendëspresident në Korporatën e Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC), transmeton Telegrafi.


“Në takim u diskutua për fillimin zyrtar të Programit Kompakt, me ç’rast, Presidentja Osmani theksoi se granti prej mbi 200 milionë euro nga MCC-ja do ta transformojë thellësisht sektorin tonë të energjisë. Tutje, Presidentja Osmani tha se ky program do të japë kontribut strategjik në përmirësimin e infrastrukturës energjetike, fuqizimin e sektorit privat, si dhe do t’i nxisë mundësitë ekonomike për qytetarët e Kosovës”, bëhet e ditur në njoftim.

Në këtë frymë, presidentja Osmani shprehu mirënjohjen e saj për mbështetjen e vazhdueshme të MCC-së, ndërsa theksoi se Programi Kompakt është investimi më i madh në fushën e energjisë dhe shërben si dëshmi e fuqisë së partneritetit Kosovë-SHBA.

Presidentja, po ashtu, theksoi se ky program do ta garantojë një të ardhme energjetike ku gratë do të kenë rol kyç dhe do të jenë kontribuuese aktive në adresimin e sfidave të së ardhmes në fushën e energjisë./Telegrafi/