LAJMI I FUNDIT:

Osmani: Gratë promovojnë arsimimin duke qëndruar kundër dhunës në baza gjinore

Osmani: Gratë promovojnë arsimimin duke qëndruar kundër dhunës në baza gjinore

Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Gruas, UN Women në partneritet me Zyrën e Presidentes dhe Fondacionin IPKO, të mbështetur nga Ambasada britanike në Kosovë, organizuan sot një aktivitet me gra dhe vajza nga komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian, për t’i frymëzuar ato të vazhdojnë arsimin e tyre dhe bëhen udhëheqëse të së nesërmes.

Gjatë aktivitetit u hap edhe ekspozita me punimet e vajzave të pranishme, duke treguar se si arti mund të jetë mjet i thyerjes së barrierave, stereotipeve gjinore dhe fuqizimit të vajzave.


Në fjalimin e saj hyrës, ushtruesja e detyrës së presidentes Vjosa Osmani tha se gratë dhe vajzat e reja promovojnë arsimimin duke qëndruar kundër dhunës në baza gjinore.

“Vetëm së bashku do të bëjmë që zëri i grave dhe vajzave të reja të dëgjohet në çdo tryezë ku merren vendime për to, për shoqërinë dhe për të gjithë botën,” tha Osmani.

Ambasadori britanik në Kosovë, Nicholas Abbott nënvizoi ndikimin disproporcional të pandemisë mbi gratë dhe vajzat.

“Barra e kujdesit për fëmijët dhe të moshuarit ka rënë mbi gratë dhe vajzat, ndërsa në të njëjtën kohë ato kanë vazhduar të punojnë nga shtëpitë e tyre. Dhe kjo situatë ka qenë edhe më e vështirë për ato vajza dhe gra të reja që tashmë kanë qenë në disavantazh edhe para pandemisë. Ne po flasim për gratë dhe vajzat nga komunitetet më të rrezikuara, të cilat jo gjithmonë kanë qasje të lehtë në arsim, trajnim dhe punësim”, tha Abbott.

Vlora Tuzi Nushi, udhëheqëse e Zyrës së UN Women tha se gratë ende përballen me diskriminim kur bëhet fjalë për udhëheqje.

“Prandaj, ne kemi nevojë për më shumë gra në vendimmarrje që përfaqësojnë gratë dhe vajzat në të gjithë diversitetin dhe aftësitë e tyre, dhe në të gjitha situatat kulturore, sociale, ekonomike dhe politike”, tha Nushi.

Ky event u organizua në përputhje me temën globale të këtij viti për Ditën Ndërkombëtare të Grave “Gratë në udhëheqje: Arritja e një të ardhme të barabartë në botën e COVID-19”, ditë kjo e cila vlerëson përpjekjet e jashtëzakonshme të grave dhe vajzave në të gjithë botën në formësimin e një të ardhme më të barabartë dhe rimëkëmbje nga pandemia COVID-19, duke nxjerr në pah boshllëqet që mbeten.

Në bazë të një Vlerësimi të Shpejtë i kryer në Kosovë në maj 2020 nga UN Women, UNDP, UNFPA dhe UNKT zbuloi se pandemia ka përkeqësuar barrën e punës së kujdesit të papaguar mbi gratë dhe vajzat duke penguar dhe kufizuar performancën e tyre profesionale dhe arsimore. /Telegrafi/