LAJMI I FUNDIT:

Orë feste…

Orë feste…

1.

Të kreshpërosur njëj krenie, shpesh, të paligjshme shqiptarët i kanë përtallur serbët pse humbjet i shpallnin ngadhnjime ndër stuhitë e shekujve. Ç’është e drejta, dhe Premieri frëng Klemanso pat thënë njëherë se ata nuk janë veçse ngordhësirë e aletatëve. E shpjeguar më hollë, domethënë se përfitonin duke qenë prorë një bisht i zvargur i të fortëve. Vërtetë, të vetmen luftë që bënë serbët, përballshëm e të vetmuar, kje ajo kundër bullgarëve në fillimshekullin e ikur – por do të disfatoheshin thellë deri në poshtërim…


Po a është kjo cilësi vetëm e tyre?

Sigurisht jo, por janë të vetmit ballkanës që mbi pluhurin humbëtar rishkruajnë historinë.

2.

Oborri i Televizionit të Prishtinës së fundviteve 80-të. Regjimi ariozofik i Sllobodanit jetonte kulmin e tij. Ëndrra serbomadhe hidhte valsin e saj të përgjakur.

Atë natë ndodhi të isha redaktor i lajmeve të mbrëmjes. Më thërrasin me ngut. Skena që do të shihja në platonë e Laboratorit kimik kje groteske. Një përzierje e tragjikës dhe turpit kombëtar. Kryepersonazhi i rrëfimit kishte hequr petkat n’shokë e përpjetë. Dhe, gjithë entusiazëm, e madje, gëzim, thoshte se po t’ishte nëvoja do të zhvishej krejtësisht për të shfaqur gjurmët e dhunës: e paskësh rrahur policia serbe! E ai, jo vetëm ngazëllente, por dhe mburrej. Pse jo? Kamzhiku serb e kishte çertifikuar në patriot. Pa fjalë, pa rezistencë, pa keqardhje…Për ta prezantuar në studio duhej dhe ndihma e një specialisti të vajtimit. Kush tjetër mund ta bënte këtë aq mirë sa Këshilli për të drejtat e njeriut? Kishin ardhur, me po atë ndjesi shansi për promocion nacional, dy prej tyre. Njëri, Profesor Universiteti, e tjetri, gazetar i njohur i Rilindjes. Mezi u morën vesh se cilit do t’i përkiste privilegji të fliste me pietet për njeriun, trup e shpirt të cullakosur.

Por ja, ky ishte aherë “Arti i refuzimit”. Monologu i heshtur kundërshtimor i pushtimit serbian..!

Tani: a nuk përseritet historia po nuk mësove lektyrën e saj?

3.

Tetovë. Vitet 90-të. Daullet dhe kënga përplasen drejt qiellit. Muzika gjëmon në sheshet me qytetarë që shtyhen, lodrojnë e gazmojnë. Shqiptarët e “Iliridës”, tashmë të vdekur, kishin dalur të merrnin pjesë në një akt solemn e madhështor: arrestohej Fadil Sylejmani, Rektori i Universitetit të parë kombëtar. Është parë ndonjëherë që fatkeqësia kolektive të vesh kostumin e lavdisë kremtore ?

Maqedoni sërish. Kohë e dytë. Patericat e shtetit artificial lëkunden. Vetëm shqiptarja, besnike gjithmonë, e mban në këmbë. I rikthehet me mall e devocion po asaj filozofie të qëndrestarisë që personifikonte Lakuriqësi i Prishtinës dhe Daullja e burgut: aureoli i viktimës si fat, status e nder kombëtar.

Një hierark politik shqiptar me emrin Zijadin Sela, është prova e re, e përsëritur si makth, e kësaj komedie të dhimbshme. Me të dalë nga spitali, ku pat kuruar plagët, do të pritej si hero flijimtar. Përse? Sepse e kishin rrahur maqedonësit. I rrahuri festonte. Ishte përulur, përçmuar e shkëlmuar dhe, si meritë për këtë rrafshim njerëzor, stolisej me titullin fisnik të atdhetarit të paepur.

Por, meqë asgjë në botë nuk është e përkryer, teatrit i mungonte diçka. E vlefshme. E bukur. Dehëse. Deliri i triumfit robnor: muzika që shoqëronte udhës për në burg Rektorin e ndjerë.

Por, për ngushëllim, ky s’është akoma fundi. Sazet e haresë le të rrijnë gati. Do të ketë prapë rrëzime shqiptare përtokë e, aherë, do t’bie ora e lumtur e tyre..!