Ora e ndalur e njohjeve për Kosovën

Prandaj çelësi për rrotullimin e numrit 63 edhe më tej në numrin 64, 65, 66, 67, 68, 69, 70... të njohjeve, në situatën në të cilën gjendemi tani, do të mund të arrihej përmes një bashkëpunimi edhe më të ngushtë me Turqinë, Arabinë Saudite, Malajzinë, Emiratet e Bashkuara Arabe... etj, të cilat do të ndikonin në shtetet, si: Mauritania, Katari, Omani, Jemeni, Kuvajti, Pakistani, Siria, Bangladeshi, Indonezia...etj., të njohin më shpejtë Kosovën, meqenëse edhe vetë e kanë njohur atë.
Në fazën më të rëndësishme të konsolidimit të shtetit më të ri në botë dhe në kohën kur kanë mbetur edhe pak ditë deri në fillimin e seancave gjyqësore në GJND, kur Kosova do të përballet drejtpërsëdrejti me Serbinë në Hagë; ora e njohjeve e Kosovës qe ndalur në numrin 62 për katër muaj rresht, që prej kohës kur më 11 korrik 2009 Republika Dominikane e kishte njohur Republikën e Kosovës për herë të fundit si shtet. Mirëpo fal miqve ndërkombëtarë që e kanë mbështetur Kosovën që nga fillimi e deri më tani, dhe kësaj radhe veçanërisht fal Britanisë së Madhe, Kosova para pak kohe me njohjen e Zelandës së Re e lëvizi numrin e njohjeve nga 62 në numrin 63.
Mirëpo, ngadalësimi i ritmit të njohjeve sikur i muajve më parë dhe vazhdimi i ngecjes eventuale i njohjeve në numrin 63 për një kohë edhe më të gjatë, duke mos arritur numrin e njohjeve të nevojshme si kusht për tu anëtarësuar në OKB dhe në organizata të ndryshme ndërkombëtare të karakterit politik, ekonomik, kulturor, sportiv, etj., shtetit më të ri të botës po vazhdon edhe me tutje t’i shkaktojë shumë vështirësi në rrafshe të ndryshme.
Por fatmirësisht jo gjithçka duket se është ngadalësuar apo ndalur. Pak më herët para njohjes nga Zelanda e Re, Kosova arriti ratifikimin e marrëveshjes së demarkacionit kufitar me Maqedoninë dhe tani realizimin e marrëveshjes për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me Maqedoninë dhe caktimin e ambasadorit të saj në Kosovë –që në sytë e botës është argument i pjekurisë shtetformuese dhe sinjal i mirë për paqen, normalizimin dhe stabilitetin në rajon– gjë që do të reflektojë pozitivisht për Kosovën në GJND gjatë procesit të paraqitjes së argumenteve për shpalljen e pavarësisë së Kosovës dhe ligjshmërisë së saj.
Kjo marrëveshje me Shkupin zyrtar, Kosovës me plot kuptimin e fjalës i jep imazhin e një shteti të pavarur e sovran. Kurse organizimi i suksesshëm i zgjedhjeve të para pas pavarësisë, e pozicionon edhe më mirë dhe e fuqizon edhe më shumë shtetin e Kosovës në këtë proces të përballjes mes dy blloqeve gjigante të rreshtuara mbrapa Kosovës dhe Serbisë.
Përveç këtyre arritjeve të fundit diplomatike dhe politike, diplomacia e Kosovës po të shënonte edhe disa njohje tjera, për ta lëvizur nga vendi edhe më tutje numrin 63, për kohën sa ende ka mbetur deri para fillimit të seancave dëgjimore në GJND më 1 dhjetor 2009; Kosova me aleatët e saj do të mund të pozicionoheshin edhe më mirë në GJND përballë Serbisë dhe përkrahësve të saj. Arritja e njohjeve të reja në këto çaste, do të ishin pa dyshim të një rëndësie të veçantë, sepse padinë që Serbia e ka ngritur ndaj Kosovës në GJND, ndër tjerash, e ka ngritur edhe me qëllimin për ta frenuar ritmin e shpejtë të njohjeve që kishte Kosova në fillim dhe, për ta penguar në këtë mënyrë anëtarësimin e saj në OKB. Dhe si duket deri më tani ia ka dal të ndalë lëvizjen e akrepave të njohjeve të reja.
Kush dhe ku po e ndal orën e njohjeve për Kosovën?
Shtetet e mëdha si Rusia dhe Kina në kontinentin e Azisë, Argjentina dhe Brazili në kontinentin e Amerikës latine, se bashku me Spanjën - të cilat do të paraqiten në favor të Serbisë dhe kundër pavarësisë së Kosovës në GJND -janë duke penguar një numër bukur të madh shtetesh më të vogla të cilat janë nën ndikimin e tyre, për të mos e njohur pavarësinë e Kosovës të shpallur më 17 shkurt 2008.
Rusia si përkrahëse e pa rezervë e Serbisë në dëm të pavarësisë së Kosovës është duke shtruar ndikim ndaj shteteve që ishin pjesë përbërëse të Bashkimit sovjetik, si: Bjellorusia, Kazakistani, Moldavia, Ukraina, Azerbajxhani, Armenia, Uzbekistani, Kirgistani, etj. për të mos e njohur pavarësinë e Kosovës.
Kina e cila po ashtu merr pjesë në disfavor të pavarësisë se Kosovës në GJND, për shkak të problemeve të saj ende të pa zgjidhura politike me Sinkjanin, Tibetin e Tajvanin, është në kundërshtim me pavarësinë e Kosovës dhe, përveç kësaj, si shtet në ekspansion ekonomik në këtë shekull, kur kriza globale financiare i ka katandisur tatëpjetë të gjitha ekonomitë e mëdha botërore, ajo gjithashtu vazhdon të ushtrojë ndikimin e saj politik tek shtetet e vogla aziatike, si Kora Veriore, Kamboxhia, Laosi, Nepali, Vietnami...etj. në dëm pavarësisë së shtetit më të ri në botë.
Një vend tjetër nga i cili do të mund të vinin më shumë njohje për Kosovën është edhe kontinenti i Amerikës Latine. Mirëpo derisa Argjentina dhe Brazili si dy shtetet më të mëdha dhe me më ndikim të këtij kontinenti qëndrojnë në favor të Serbisë dhe përkrah saj edhe në GJND, mbetet pak për të shpresuar se Kosova do të pranojë se shpejti ndonjë njohje nga ky kontinent. Dhe kur këtyre dy supershteteve (të këtij kontinenti) iu shtohet edhe Spanja, si shtet evropian por që ka ndikim të madh gjuhësor, kulturor e politik ndaj shteteve të Amerikës Latine dhe Amerikës së mesme, shpresa për arritjen e ndonjë njohjeje së shpejti nga kjo pjesë e botës zbehet edhe më shumë.
Në këtë rast, diplomacia e Kosovës se bashku me atë të Shqipërisë, do të duhej t’ia përkujtonin Spanjës në takimet e tyre se shqiptarët janë popull liridashës dhe se e duan lirinë e tyre dhe jo vetëm të tyren, por edhe lirinë e të tjerëve; se me dhjetëra mijëra shqiptarë para 60 vitesh patën marrë pjesë në luftën duke e dhënë edhe jetën e tyre për mbrojtjen e lirisë dhe për mbrojtjen e Spanjës kundër regjimit të egër fashist të Frankos të ngjashëm me atë të Millosheviqit që kishim ne; sundimi i të cilit Spanjën e pati rrokullisur për një shekull mbrapa. Dhe me ç’rast t’i kërkohej asaj ta njoh Kosovën dhe të mos e pengojë në këtë mënyrë lirinë e saj si dhe lirinë e të tjerëve për ta njohur Kosovën.
Kush, ku dhe si mund të vihet ora e njohjeve në lëvizje përsëri?
Për ta vënë në lëvizje më shpejtë ritmin e ngadalësuar të njohjeve, diplomacia e Kosovës se bashku me atë të Shqipërisë duhet ta bëjnë të njëjtën gjë që e ka bërë dhe po e bën diplomacia e Serbisë: Ndërmarrjen e një ofensive diplomatike në mobilizimin e aleatëve dhe përkrahësve të pavarësisë së saj, si: SHBA-të, Arabia Saudite, Franca, Turqia, Britania e Madhe, Emiratet e Bashkuara Arabe, Gjermania, Malajzia, etj. që në koordinim dhe bashkëpunim, të hedhen në kërkim të njohjeve të reja, si dhe aktivitetin diplomatik për ndaljen e ndikimit negativ të shteteve kundërshtare që përditë po e dëmtojnë pavarësisë e Kosovës.
Në këtë sferë, Kosova duke bashkëpunuar me fuqitë e mëdha si SHBA-të, Francën, Britaninë e Madhe, Gjermaninë, etj., në njërën anë do të mund të neutralizonte ndikimin negativ të Rusisë, Kinës, Brazilit, Spanjës dhe Argjentinës dhe, në anën tjetër do të mund të realizonte një seri njohjesh të reja që do t’i ndihmonte Kosovës të arrijë numrin e mjaftueshëm të njohjeve për tu anëtarësuar në OKB. SHBA-të do të mund të ndikonin në shumë shtete të vendeve të ndryshme të botës; Franca do të mund të ndikonte në ish-shtetet e saj koloniale, sidomos në shtetet e Afrikës veri-perëndimore dhe gjithashtu edhe Britania e Madhe do të mund të ndikonte në shumë vende të ndryshme ish koloni të saj.
Ndërkaq, diplomacia e Kosovës nuk do të duhej të ndalej vetëm të këto shtete sikur që nuk është ndalur as diplomacia e Serbisë në kërkimin e ndihmës vetëm të Rusia, Kina, Brazili, Argjentina apo Spanja; por aktivitetin e saj lotues do të duhej të zhvillonte në një koordinim më të ngushtë edhe me shtetet mike, si Turqia, Arabia Saudite, Malajzia, Emiratet e Bashkuara Arabe, etj. ; shtete këto të cilat kanë ndikim të jashtëzakonshëm në hiç më pak së gati në një të treten e botës për nga numri i shteteve. Turqia ka ndikim të madh në Konferencën Islamike që gjithsej numëron 57 shtete, kurse Arabia Saudite ka ndikim të fuqishëm të 23 shtetet e Ligës Arabe dhe gjithashtu edhe të shtetet e Konferencës Islamike.
Prandaj çelësi për rrotullimin e numrit 63 edhe më tej në numrin 64, 65, 66, 67, 68, 69, 70... të njohjeve, në situatën në të cilën gjendemi tani, do të mund të arrihej përmes një bashkëpunimi edhe më të ngushtë me Turqinë, Arabinë Saudite, Malajzinë, Emiratet e Bashkuara Arabe... etj, të cilat do të ndikonin në shtetet, si: Mauritania, Katari, Omani, Jemeni, Kuvajti, Pakistani, Siria, Bangladeshi, Indonezia...etj., të njohin më shpejtë Kosovën, meqenëse edhe vetë e kanë njohur atë.
Mundësinë për arritjen e këtyre njohjeve nga këto shtete e përforcon edhe vet fakti i pjesëmarrjes së shtetit më të madh dhe me më ndikim në Ligen Arabe -pra Arabisë Saudite- e cila do të paraqes argumentet e saj në favor të pavarësisë së Kosovës në GJND. Mirëpo, Arabia Saudite nuk është i vetmi shtet nga vendet Islame që pritet të jetë në mbrojtje të pavarësisë së Kosovës përballë Serbisë, por krah saj në mbrojtje të shpalljes së pavarësisë do të jenë edhe Jordania dhe Bahrejni, të cilat po ashtu do të flasin dhe do t’ia parashtrojnë GJND-së argumentet e tyre për të drejtën e popullit të Kosovës dhe të ligjshmërisë për shpalljen e pavarësisë së saj.
Sigurisht se kjo do të ishte një mundësi e mirë për Kosovën që se bashku me këto shtete të vendeve islame që në GJND janë në mbrojtje të shpalljes së pavarësisë; diplomacia e Kosovës të zhvillojë një aktivitet të ngjeshur lobues në vendet e Ligës Arabe dhe të Konferencës Islamike që ende s’e kanë njohur dhe ato që pritet ta njohin së shpejti, gjë që do t’i ndihmonte Kosovës të arrijë numrin e nevojshëm të njohjeve për t’u anëtarësuar në OKB dhe në organizatat tjera relevante. Kurse, fillimi i hapjes së ambasadave në këto vende duke shtrirë rrjetin diplomatik edhe në këtë anë të botë në shtetet që tanimë e kanë njohur Kosovën, si: Jordania, Bahrejni, Emiratet e Bashkuara Arabe, Malajzia,...etj. do t’i ndihmonte Kosovës edhe më shumë në shtimin e numrit të njohjeve të saj.
Për ndryshe, ndalja e orës së njohjeve dhe mosveprimi në praktikë për ta vë atë në lëvizje përsëri me një ritëm më të përshpejtuar, rrezikon të ndalë edhe orën e zhvillimit për Kosovën, gjë që do të vazhdojë ta mbajë atë ende larg dyerve të OKB-së si organizata më e madhe dhe më e rëndësishme në glob. Po ashtu do t’ia pamundësojë anëtarësimin e saj në organizatat e ndryshme, si ato sportive, si UEFA e FIFA, do t’ia pamundësojë gjithashtu të drejtën për marrjen e barkodit shtetëror dhe numrin e prefiksit të telefonisë fikse, që në mungesë të këtij të fundit, Serbia prej pasluftës e deri më tani nga qytetarët dhe shteti i Kosovës ka fituar mbi 150 milion euro. Dhe ky me siguri se nuk është fitimi i vetëm i saj prej Kosovës!
Kështu, fat i mirë -nëse mund të quhet kështu- është se mendimi i GJND-ës nuk është detyrues në lidhje me shpalljen e pavarësisë së Kosovës. Mirëpo fat më pak i mirë është që si pasojë e këtij procesi të GJND-së, vendimi i së cilës pritet të zgjasë deri kah mesi i vitit 2010, është se deri atëherë Kosova vazhdon të mbetet e izoluar politikisht dhe si rrjedhojë edhe ekonomikisht duke e ngadalësuar në këtë mënyrë edhe me tutje ritmin e zhvillimit të saj për një të ardhme dhe perspektivë më të mirë si shteti më i ri në botë.
Prandaj për ta evituar këtë dhe për ta vë në lëvizje orën e njohjeve përsëri, formula e vetme për diplomacinë e Kosovës do të duhej të ishte: Lobim, lobim, lobim në katër anët e botës për Kosovën, deri në anëtarësimin në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.




































