LAJMI I FUNDIT:

​Opozita parlamentare në Shqipëri kërkon rezolutë që dënon gjenocidin e kryer në Kosovë

​Opozita parlamentare në Shqipëri kërkon rezolutë që dënon gjenocidin e kryer në Kosovë

Presidentja në detyrë, Vjosa Osmani, gjatë tri ditëve të qëndrimit të saj në Tiranë kërkoi që Shqipëria të miratojë një rezolutë që dënon krimet dhe gjenocidin serbë të kryer në Kosovë.

Mirëpo, edhe pse është ngritur kjo çështje më herët gjatë mesit të nëntorit, Kuvendi i Shqipërisë vendosi vetëm për ngritjen e një Komisioni të Posaçëm për administrimin e dokumentacionit dhe hartimin e një raporti përmbledhës dhe informues për gjetjet dhe konkluzionet që kanë nxjerrë verifikimet e kryera nga institucionet përkatëse në Shqipëri për çështjet e raportit të Dick Martyt.


Deputetët nga opozita parlamentare në Kuvendin e Shqipërisë thonë se nuk duhet të ketë asnjë problem për miratimin e një rezolute që dënon gjenocidin serb të kryer në Kosovë, ndërsa e quajnë lojë politike ngritjen e komisionit të posaçëm.

Deputeti nga opozita parlamentare, Ralf Gjoni, i cili ishte ai që kërkoi miratimin e rezolutës që dënon gjenocidin serb në Kosovë në Kuvendin e Shqipërisë, tha për KosovaPress, se nuk ka hequr dorë nga iniciativa e tij dhe muajin tjetër do të depozitojnë kërkesën pranë Kuvendit për rezolutën, pavarësisht komisionit të posaçëm të cilën e ai e quan teatër politik.

“Jemi në bisedime me disa deputetë të Kuvendit që kanë shprehur gatishmërinë dhe duan që ta bëjmë këtë (rezolutë) sa më profesionale dhe me një mbështetje sa më të madhe të mundshme dhe besoj që në javët në vazhdim, ndoshta nga janari e tutje, ne t’i futemi punës për ta formalizuar një kërkesë zyrtare në Kuvend për një rezolutë të tillë, pavarësisht komisioneve politike dhe kolpove teatrale të cilat i ka zakon Partia Socialiste”, deklaroi Gjoni.

Gjoni thotë se nuk e kupton hezitimin nga Partia Socialiste që ka shumicën në Kuvendin e Shqipërisë për të miratuar një rezolutë të tillë ndërsa fton që interesi kombëtar duhet të tejkalojë atë partiak.

Ai thotë se momentalisht ka një lobim të madh të Serbisë kundër Kosovës që kërkon të përmbysë historinë duke u hequr ata si viktima dhe duke çuar në Hagë ish-udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Janë vrarë njerëz të pafajshëm, fëmijë, gra, burra, pleq, janë vëllezërit tanë, janë populli ynë, ne kemi detyrim moral, kemi detyrim kushtetues, kemi edhe detyrim qytetar që ta ngremë zërin dhe t’i bëjmë ballë këtij presioni dhe këtij lobimi kaq të madh serb për të kthyer mbrapsht faqen e historisë. Shihe çfarë po ndodhë sot, kriminelët serbë po hiqen si viktima duke çuar në Hagë ish-udhëheqësit e UÇK-së, është e papranueshme. Unë si deputet nuk e njoh Gjykatën Speciale, por as gjithë këtë aktivitet anti-shqiptar që po ndodhë në këto momente, nuk më interesojnë fare lojërat politike të brendshme të Prishtinës, lojëra politike kemi edhe ne në Tiranë, kur të vijë puna për kombin ne duhet të jemi një, kombi është mbi gjithçka”, deklaroi Gjoni.

Deputetja tjetër nga radhët e opozitës parlamentare, Rudina Hajdari, i tha KosovaPress-it se Shqipëria është e vonuar në miratimin e një rezolute të tillë. Sipas saj, Shqipëria duhej t’i jepte këtë mbështetje Kosovës shumë kohë më parë.

Sipas saj, Shqipëria dhe Kosova duhet të ndihmojnë njëra-tjetrën në të gjitha fushat dhe çështja e rezolutës nuk duhet të jetë ndryshe.

“Në mendimin tim, është një akt i vonuar por asnjëherë nuk është vonë për ta bërë këtë si hap, ndaj mbështesim totalisht dhe uroj dhe shpresoj që do e gjejë mbështetjen e të gjithë deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë sepse ne me Kosovën ecim me një hap përpara dhe Kosova duhet të ndihmojë Shqipërinë por dhe Shqipëria Kosovën në të gjitha fushat përfshirë edhe për ato gjëra që kanë ndodhur në kohën e luftës. Ndaj, nuk shikoj absolutisht asnjë lloj problemi që të bëhet kjo rezolutë dhe të rendisim sa më shumë shtete për t’i dalë përkrah Kosovës në këtë betejë morale që ka Kosova për shqiptarët që kanë qenë në atë kohë dhe kanë luftuar në emër të lirisë dhe në emër të çlirimit të pavarësisë së Kosovës”, u shpreh Hajdari.

Më 26 nëntor, Kuvendi i Shqipërisë vendosi për ngritjen e Komisionit të Posaçëm për administrimin e dokumentacionit dhe hartimin e një raporti përmbledhës dhe informues për gjetjet dhe konkluzionet që kanë nxjerrë verifikimet e kryera nga institucionet përkatëse në Shqipëri për çështjet e raportit të Dick Martyt.

Anëtari i këtij komisionit, njëher deputeti i Partisë Socialiste, Adnor Shameti, deklaroi për KosovaPress se kalendari i veprimtarisë së këtij komisioni i miratuar ditë më parë parasheh që deri në muajin mars të vitit të ardhshëm ky komision duhet të paraqesë para deputetëve raportin dhe projektrezolutën në seancë plenare.

Objektet e punës së Komisionit të Posaçëm janë administrimi i dokumentacionit dhe konkluzioneve të nxjerra nga verifikimet e kryera nga institucionet përkatëse në Shqipëri për çështjet e raportit të anëtarit të APKiE-s, Dick Marty; hartimi i një raporti të plotë përmbledhës dhe informues për gjetjet dhe konkluzionet që kanë nxjerrë këto institucione nga verifikimet e kryera për bashkëpunimin dhe rolin për të cilin pretendohet se kanë luajtur përfaqësues politikë shqiptarë ose institucione publike shqiptare, nëpërmjet veprimeve dhe mosveprimeve, në ndihmë të së ashtuquajturës veprimtari kriminale e drejtuesve të UÇK-s në territorin e Republikës së Shqipërisë.

“Komisioni i Posaçëm i Kuvendit i ka të përcaktuara detyrat dhe objektivat që duhet të arrijë përmes veprimtarisë së tij dhe nëse do ta shikoni me vëmendje do të konstatoni që objekti i veprimtarisë është analiza, po të shikoni draft-axhenden e miratuar të komisionit, do të shikoni se objekti i veprimtarisë është mbledhja e dokumentacionit, analizimi i dokumentacionit dhe analiza e të gjithë projektit, procesit legjislativ për miratim të ligjit të posaçëm shqiptar për marrëdhënie juridiksionale me EULEX-in i vitit 2012 dhe të gjitha aktet apo veprimtarinë e pasqyruar në akte të organeve shtetërore shqiptare brenda territorit të Republikës së Shqipërisë për të kontestuar të gjitha ato pretendime që janë ngritur në raportin e Dick Martyt”, deklaroi Shameti.

Megjithëse projektrezoluta që pritet të paraqitet para Kuvendit të Shqipërisë mund të mos jetë saktësisht ajo çfarë kërkoi Osmani në Parlamentin shqiptar për të dënuar gjenocidin serb në Kosovë, Shameti deklaron se ajo do të jetë një akt shumë i rëndësishëm.

“Më i rëndësishmi akt që do të dalë pas kompletimit të punës së komisionit të posaçëm është projektrezoluta që do t’i çohet për miratim Kuvendit të Republikës së Shqipërisë dhe rezoluta që do të miratojë Kuvendi i Republikës së Shqipërisë do të jetë padyshim akti më i rëndësishëm që mund të kryhet në këtë kontekst”, u shpreh Shameti.

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, partia e të cilit nuk ka asnjë deputet në Parlament pas djegies së mandateve, premtoi gjatë konferencës për shtyp me presidenten në detyrë, Vjosa Osmani, se Kuvendi i ri, që do të dalë pas zgjedhjeve të 25 prillit e në të cilin synon të ketë shumicën, do të miratojë një rezolutë që dënon gjenocidin serb në Kosovë.

“Zotohem se Kuvendi i ri i Shqipërisë do të miratojë jo thjeshtë dhe vetëm, me vonesë madje, rezolutën për të dënuar gjenocidin serb në Kosovë, por edhe një kuadër të veçantë që do të obligojë të gjitha institucionet e Republikës të Shqipërisë të jenë edhe një herë në mbështetje totale të institucioneve të Republikës së Kosovës, siç ka qenë rasti deri para pak vitesh, me sukses dhe me prova suksesi të demonstruar”, deklaroi Basha.

Ndryshe, Kuvendi i Kosovës në maj të vitit të kaluar kishte miratuar rezolutën për gjenocidin, krimet kundër njerëzimit dhe krimet e luftës të ish-regjimit shtetëror serb në Kosovë. Në rezolutë, përpos tjerash, përmenden të gjitha vendet ku janë kryer masakrat, vrasjet, dhunimet seksuale si dhe dëbimi i më shumë se 1 milion shqiptarëve nga Kosova. Aty kërkohet që kryerësit e krimit të njerëzimit, krimit të luftës dhe gjenocidit e dhunës, të dalin para drejtësisë. Në rezolutë, përmenden edhe dëmet materiale, shkatërrimi i objekteve të ndryshme fetare e kulturore.