eksperti ad

Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, ka deklaruar se partia e tij do ta bllokojë Kodin e propozuar Zgjedhor, duke vlerësuar se ai përmban zgjidhje serioze që nuk janë as evropiane dhe as demokratike, por krijojnë hapësirë për keqpërdorimin e procesit zgjedhor. “Një ligj i tillë nuk guxon të miratohet nga ky Kuvend. Ne do ta bllokojmë, sepse qytetarët meritojnë një proces zgjedhor të ndershëm dhe demokratik, e jo një proces të kontrolluar siç po përpiqet ta vendosë Hristijan Mickoski, sipas modelit të mentorit dhe, duket, idhullit të tij, Nikolla Gruevski. Ne këtë ligj do ta bllokojmë në Parlament”, deklaroi Filipçe, ndërsa informoi se tashmë janë gati 10.000 amendamente kundër Kodit zgjedhor.

Filipçe rikujtoi se LSDM u tërhoq nga grupi i punës për hartimin e Kodit Zgjedhor për shkak të mënyrës se si pushteti më herët e miratoi Ligjin për Qeverinë, pa konsensus me opozitën, duke ndryshuar rregullat e funksionimit të Qeverisë së Përzhinës.
“Vendosja e Qeverisë së Përzhinës para rreth dhjetë vitesh, si dhe ndryshimet në vitin 2018, u bënë me konsensus dhe me pjesëmarrjen aktive të bashkësisë ndërkombëtare, partnerëve tanë strategjikë – Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian. Ndërsa tani pushteti, në mënyrë të fshehtë dhe me të njëjtën mendësi autokratike si para dhjetë vitesh, e ndryshoi Ligjin për Qeverinë”, tha Filipçe. Ai theksoi se, edhe pas largimit të LSDM-së nga grupi i punës, pushteti vazhdoi përgatitjen e ligjit dhe dorëzoi një tekst që, sipas tij, ngre dyshime serioze për zhvillimin e zgjedhjeve të ndershme. Filipçe veçoi si një nga dispozitat më problematike futjen e votimit elektronik për diasporën, pa mekanizma të qartë për verifikimin e identitetit të votuesve dhe pa garanci ligjore për sigurinë e procesit.


“Propozohet votimi elektronik i diasporës. Kjo do të thotë se, pa asnjë kontroll të identitetit të njerëzve – emigrantëve tanë, për të cilët nuk dihet ku ndodhen – ata do të mund të votojnë nga kompjuteri dhe vota e tyre do të ketë të njëjtën peshë si vota e qytetarëve në vend. Kjo hap rrezikun për votim masiv dhe të pakontrolluar, ashtu siç ndodhte gjatë qeverive të Nikolla Gruevskit. Është një sistem shumë i rrezikshëm, që hap derën për manipulime dhe vjedhje zgjedhore nga kjo qeveri”, tha Filipçe. Sipas tij, zgjidhja e propozuar cenon edhe fshehtësinë e votimit.

“Ndryshe nga praktika e deritanishme, kur fletëvotimi konsiderohej i vlefshëm vetëm nëse rrethohej numri para emrit të kandidatit ose partisë, tani lejohet edhe një mënyrë tjetër e shënimit të votës. Çfarë do të thotë kjo? Më kujtohen bisedat ku një ish-funksionar i qeverive të Nikolla Gruevskit thoshte: ‘Mirë, ata votues le ta rrethojnë me trekëndësh’. Kjo nënkupton rikthim të kontrollit mbi procesin zgjedhor dhe rikthim të praktikave të regjimit në procesin e votimit”, deklaroi ai. Filipçe kritikoi edhe propozimin që ankesat për procesin zgjedhor të shqyrtohen vetëm nëse janë regjistruar në procesverbalet zyrtare, duke vlerësuar se kjo kufizon mundësinë e Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve për të shqyrtuar të gjitha parregullsitë eventuale.

“Ankesat për procesin zgjedhor do të merren në konsideratë dhe do të shqyrtohen vetëm nëse, sipas propozimit të ligjit të ri, janë futur në procesverbal. Kjo e kufizon mundësinë që Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve të shqyrtojë të gjithë materialin zgjedhor. Nëse një përfaqësues partiak vendos që një ankesë të mos futet në procesverbal, ajo nuk do të konsiderohet ankesë e vlefshme dhe nuk do të jetë bazë që KSHZ-ja ta shqyrtojë”, përfundoi Filipçe.

Në ndërkohë, edhe Lidhja Shqiptare e Ziadin Selës është shprehur kundër Kodit zgjedhor. Në një reagim drejtuar mediave, LSH thotë se parimi mbi të cilin bëhen ndryshimet në Kodin zgjedhor, është konsensusi mes partive politike ndërkohë që pikërisht ky parim nuk u përfill dhe shumica.

“Ky parim nuk u përfill dhe shumica, në stilin e deritanishëm me keqpërdorim të numrave, pa përfilljen e partive tjera do te tentojnë ta kalojnë ligjin për Kodin zgjedhor! Nuk arritëm konsensus për çështjet kryesore siç është modeli zgjedhor, ku Lidhja Shqiptare propozoi 8 njësi zgjedhore. Propozuam që votat e mërgatës të numërohen në Njësitë zgjedhore brenda vendit dhe të eliminohet zona e 7 zgjedhore. Te ‘Financimi i prezantimit mediatik gjatë fushatës’, propozimi ynë ishte model i kombinuar ose ndarje proporcionale në bazë të numrit të deputetëve. Gjithashtu, nuk u pranua propozimi për lista të hapura! Lidhja Shqiptare do të shfrytëzojë mundësitë që i ofron rregullorja e Parlamentit për ti bllokuar propozim ndryshimet në Kodin Zgjedhor!”, thuhet në reagimin e ASH-së. (koha.mk)