LAJMI I FUNDIT:

Opinionistët: Koalicioni BDI-LSDM jo-parimor, bëhet vetëm për të ruajtur pushtetin qendror

Opinionistët: Koalicioni BDI-LSDM jo-parimor, bëhet vetëm për të ruajtur pushtetin qendror

Zgjedhjet lokale në Maqedoni që duhet të mbahen më 15 dhjetor, nuk kanë rëndësinë vetëm të karakterit lokal por edhe të pushtetit qendror. Këtë cikël zgjedhor e karakterizon koalicion i paralajmëruar LSDM-BDI.

Disa ditë më parë, gjegjësisht nga kryeministri Zoran Zaev dëgjuam se partia e tij është e gatshme të mbështesë kandidatin e BDI-së në Komunën e Çairit dhe është kandidati më i përshtatshëm për garat zgjedhore në nivel lokal. Poashtu edhe zv.kryeministri Bujar Osmani nga radhët e BDI-së u shpres se mes LSDM-së dhe BDI-së mundësia për bashkëpunim në zgjedhjet lokale, është dëshirë e të dyja partive, kjo sipas tij se pas bashkëpunimit në nivel shtetëror, duhet të vazhdojë edhe më tej.


Profesori universitar dhe njohës i çështjeve politike në Maqedoni, Sefer Tahiri, thotë se koalicionet parazgjedhore në mes LSDM-së dhe BDI-së, nuk janë të rastësishme, por pozicionim për zgjedhjet lokale dhe ato të ardhshme.

”Koalicioni parazgjedhor me BDI-në ka përqëllim që të fitojë kreun e Shkupit, pra, në krye me Petre Shilegov. Fitorja eventuale e LSDM-së në Shkup, do ta forconte pozicionin e kësaj partie në skenën politike dhe do t’i hapte rrugën zgjedhjeve parlamentare, meqë në Shkup është i koncentruar një trup i madh votuesish. Mendoj se këto janë motivet kryesore pse u arrit që koalicion i tillë dhe ky koalicion sado që të jetë joformal dhe jo i shpallur publikisht, ka një anë tjetër.

Pavarësisht marrëveshjeve ndërpartiake, duhet thënë që trupi votues i LSDM-së, nuk është trup i disiplinuar, që mund të punojë në bazë të respektimit të sistemit dhe vendimeve të kryesisë së partisë, sepse bëhet fjalë për një strukturë që ka një ngritje edhe të kulturës politike dhe mentalitet tjetër të funksionimit politik. Kjo më tepër e vë në shprehje lirinë individuale dhe jo diktatin partiak nga lideri i partisë. Në këtë prizëm, funksionimin e koalicionit e shoh të përgjysmuar”.

Tahiri më tej shton se kjo marrëveshje do të ketë edhe zbatim të pjesshëm, ku do të përkrahen kandidatët e LSDM-së, siç është në Butel, në Karposh, Çuçer Sandevë dhe në anën tjetër LSDM-ja do të mbështet BDI-në poashtu vetëm në disa Komuna, siç është Tetova, Gostivari, Dibra ose edhe në Strugë.

Edhe ish-ambasadori Alajdin Demiri koalicionin LSDM-BDI nuk e shikon diçka serioze dhe kjo bëhet vetëm për të rehabilituar pozitat partiake dhe për të ruajtur pushtetin qendror.

”Koalicioni LSDM-BDI bëhet për shkak të mungesës së numrave në pushtetin qendror, veçanërisht LSDM-ja. Mendoj se këto zgjedhje lokale do të jenë test dhe për atë sesa do të jetë jetëzgjatja e pushtetit. Nëse OBRM-PDUKM afrohet rreth fitores, në një mënyrë e verifikon humbjen e LSDM-së gjatë zgjedhjeve parlamentare, pavarësisht se bëri koalicion me shqiptarët, atëherë shkohet në zgjedhje të parakohshme, ndoshta në pranverë të vitit të ardhshëm.

Ky koalicion duhet t’i sigurojë viktimës BDI, që me ndihmën e LSDM-së t’i rehabilitojë pak pozitat e veta që të mund ta ruajnë pushtetin qendror. Këto zgjedhje siç thash janë test për pushtetin qendror, mirëpo kanë edhe rëndësinë e zgjedhjeve lokale. Në Komunat ku ndihmohen si Çairi, Tetova dhe Gostivari, janë shumë të rëndësishme për politikën e ardhshme dhe ky koalicion duhet të shihet në kuadër të, që në të vërtetë është joparimor”.

Sipas politologut Xhenis Sulimani, LSDM nuk zgjedh mjete për të fituar shumicën e komunave në Maqedoni, por zgjedhjet lokale i shikon si një lloj ankete.

”Në rast se LSDM merr një komunë më tepër dhe në konton e saj ka më shumë vota sesa OBRM-PDUKM, LSDM në pranverë do të shpallë zgjedhje të reja parlamentare me ç’rast do të tenton ta fuqizojë pushtetin e saj. Në këtë frymë janë edhe koalicionet e saj me BDI-në, partinë që dje e ka cilësuar si të korruptuar, e të cilës i shpalosi edhe “bomba”. Natyrisht që është artificial çdo koalicion i BDI-së me LSDM-në, sepse bëhet për përfitime partiake dhe jo për interes publik. Nga e gjithë kjo, normalisht që fiton më shumë LSDM, ndërkaq BDI ashtu si në koalicionet tjera me parti maqedonase është vetëm vegël. Roli i veglës me OBRM-në ia humbi gjysmën e votave, tani më LSDM-në do t’i vuloset humbja”, thekson Sulimani. /Telegrafi/