LAJMI I FUNDIT:

Omicron apo “Princi i vogël” që pritet t’i jap fund pandemisë së koronavirusit

Omicron apo “Princi i vogël” që pritet t’i jap fund pandemisë së koronavirusit

Përhapja marramendëse me shifër eksponenciale e variantit të ri Omicron, që në fillim shkaktoi frikë dhe panik, si duket do të jetë shpresa dhe rruga dalëse nga tuneli i zi i shkaktuar nga pandemia dyvjeçare e Covidit-19.

Observimet dhe të dhënat e studimeve klinike nga Afrika e Jugut ku u paraqit fillimisht ky variant dhe pastaj ato në Danimarkë e Britani të Madhe, e ditëve të fundit edhe në Francë, tregojnë se ky variant hiperkontagjioz prek të gjitha moshat dhe kategoritë, me një preferencë për personat e vaksinuar, sipas Dr. Martin Blachierit, i cili bazohet në studimin e fundit të publikuar nga Ministria e Shëndetësisë së Danimarkës.


Mirëpo, e mira në këtë të keqe është se ky virus është shumë më pak virulent edhe përkundër numrit shumë të madh të të infektuarve; jep shumë më pak forma të rënda dhe më pak spitalizime në raport me format paraprake e në veçanti krahasuar me variantin Delta.

Dhe, si shpjegohet ky fenomen i hiperkontagjiozitetit dhe dobësimit kaq të ndjeshëm të virulencës së variantit Omicron ?

Mutacionet natyrale të viruseve ndodhin çdoherë dhe janë të natyrave të ndryshme. Viruset nuk mund të jetojnë e as shumëzohen jashtë nikoqirit, meqenëse nuk kanë sistem metabolik komplet që mundëson replikimin e tyre dhe për këtë ata përdorin ribozomet e sistemin metabolik intraqelizor. Pra, për të mbijetuar, virusi duhet të futet brenda qelizës. E, për t’u futur në qelizë duhet të gjejnë çelësin i cili do të kapet nga receptorët përkatës (në këtë rast në qelizat e mukozave të sistemit të sipërm respirator). Lidhja e “çelësit” me “bravën” do të shkaktojë një reaksion kimik i cili do ta shpërthejë membranën qelizore dhe virusi futet në qelizë ku do të shumëzohet (inkubacioni).

Dhe, pikërisht Omicroni ka pësuar mutacione të shumta për të gjetur çelësin që hapë çdo bravë, edhe nëse ato janë të mbrojtura nga “ushtarë” të krijuar nga infeksioni natyror apo nga vaksina e administruar.

Mirëpo, pas çdo mutacioni në proteinën S, e cila forcon depërtueshmërinë, virusi do të humbë nga fuqia apo virulenca. Dhe, ky është fati i mirë.

Omicroni është një variant i SAR-Cov-2-shit, një linjë e re poligjenetike B.11.529 – sipas nomenklaturës Pango – e cila karakterizohet nga numri i shumtë i mutacioneve. Deri tani ka shënuar 60 mutacione e prej tyre 30 vetëm në proteinën S (Spike).

Proteina Spike e cila gjendet në sipërfaqen e virusit është çelësi që mundëson futjen e virusit brenda qelizës ku ai lidhet me receptorët specifikë qelizorë të mukozës së rrugëve të sipërme të frymëmarrjes. Pasi të futet në qelizë, virusi liron ARN-në e vet dhe fillon replikimi i ti. Pra, viruset janë parazitë intraqelizor që nuk mund të shumëzohen pa përdorur metabolizmin e nikoqirit. Dhe, i gjithë sistemi imunitar i provokuar nga infeksioni apo nga vaksina është i përqendruar në krijimin e antitrupave kundër kësaj proteine, për ta penguar pikërisht futjen e virusit në qelizat tona.

Fakti se virusi Omicron ka pësuar 30 mutacione vetëm në proteinën S, flet se virusi ka dashur dhe ka arritur t’i ikë mbrojtjes imunitare fituar përmes infeksioneve apo vaksinimeve. Kjo e ka bërë variantin Omicron tepër kontagjioz, dhjetë herë më shumë se varianti inicial i Wuhanit. Ky variant “shëtit” lirshëm te personat e vaksinuar edhe me tre doza, te moshat e reja, te fëmijët dhe te personat që janë infektuar me variantet paraprake. Andaj, sipas të gjitha gjasave nuk ka metodë efikase që mund ta ndalojë përhapjen eksponenciale të këtij varianti.

Cunami Omicron shpejtë pritet të kontaminojë gjithë planetin me çmimin e një ftohjeje banale të rrugëve të sipërme të frymëmarrjes e që shumë më pak prekë mushkëritë për dallim nga variantet paraprake.

Të gjitha projeksionet janë se Omicroni shpejtë do të krijojë imunitetin kolektiv. Imuniteti post-Omicron pritet të jetë më solid dhe në bashkëveprim me imunitetin post-vaksinal do të jetë më i qëndrueshëm dhe mund t’i jap fund pandemisë.

P.S. Mikrobota është univers në vete dhe funksionimi ynë është i lidhur ngushtë me të. Si duket, çdo prishje e këtij balanci që zakonisht bëhet jo nga pa dija, por nga egoizmi njerëzor, dosido do të vë në aksion mikrobotën e cila do të luftojë për ekzistencën e saj dhe në fund do të vë rregull. Të shpresojmë se gjeneratat e reja do të jenë më koshiente dhe më të ndërgjegjshme se tonat.