Olly Alexander kthehet në skenë pas largimit nga shtëpia diskografike

Këngëtari dhe aktori, Olly Alexander, do të rikthehet në aktrim me një rol në "West End", pasi u largua nga kontrata e tij diskografike.
Ai do të luajë rolin e Algernonit në komedinë klasike të Oscar Wilde, "The Importance of Being Earnest", e cila do të transferohet në Teatrin Noel Coward në Londër këtë shtator.
Kjo është hera e parë që Alexander rikthehet në aktrim që prej suksesit të serialit "It’s A Sin" në vitin 2021, ku u nominua për një çmim Bafta, shkruan BBC.
Ai tha për BBC se ndarja nga shtëpia diskografike i ka dhënë më shumë liri për të provuar gjëra të reja: “Është koha për një kapitull të ri. Dua ta ul ritmin dhe të përqendrohem te aktrimi”.
Alexander zëvendëson aktorin Ncuti Gatwa, i cili luajti të njëjtin rol kur shfaqja u dha për herë të parë në Teatrin Kombëtar në 2024.
Produksioni është pritur mirë nga kritika, duke u cilësuar si “i zgjuar, lozonjar dhe plot finesë”.
Këngëtari u bë i njohur me grupin Years & Years, me të cilin pati disa hite dhe albume të suksesshme. Në vitin 2024, përfaqësoi Mbretërinë e Bashkuar në Eurovision. Albumi i tij i fundit “Polari” nuk pati suksesin e pritur, dhe pas 10 vitesh, kontrata e tij muzikore nuk u rinovua.
Megjithatë, Alexander thekson se nuk po largohet nga muzika përgjithmonë: “Do të vazhdoj të krijoj, por pa presionin e mëparshëm”. /Telegrafi/































































