Lucio Dalla e konsideronte si gjeniun e violinës. Virtuozi i muzikës, Olen Çezari, i cili ka interpretuar me gjigantët e muzikës botërore, si Bob Dylan, sjell në Pallatin e Kongreseve emrat më të mirë të muzikës botërore

Anila Dedaj

Muzikën e tij plot kontraste, që i përcjell emocionet e njeriut në të gjitha ngjyrat, e kërkojnë kudo. Çdo vend që virtuozi shqiptar i muzikës klasike prek, lë një shenjë të thellë në shpirtin e tij, që mandej jetësohet në tinguj gëzimi e trishtimi, në tinguj violine.

Çezari rikthehet në Tiranë në në Pallatin e Kongreseve, për t’i dhuruar publikut të tij, tinguj nga e gjithë bota. Udhëtimin drejt Shqipërisë ai e ndjen si një domosdoshmëri.

“Është diçka që vlon brenda meje, dëshiroj që muzikën që çojmë nëpër botë ta ketë edhe Tirana, ta bëjmë në njëfarë mënyre tonën. Për të na shoqëruar dhe për t’i bërë notat sa më reale unë kam ftuar Alessandro Mannarinon, kantautorin e famshëm italian. Nga Kina do të vijë Guo Gan, një instrumentist i cili do të luajë një nga meloditë më të famshme të Azisë. Vjen po ashtu për herë të parë në Tiranë bateristi që ka performuar për vite me Santanën, Pepe Sanchez. Do të jetë Eden, Shama Milan nga Kuba dhe Lavinia Mancusi”, shprehet artisti.

Në këtë rikthim të tretë në Tiranë, nuk do të mungojnë pjesë të kompozuara nga vetë Çezari të shoqëruara me momente virtuozizmi total, por edhe gjallëri spontane, duke përfshirë të ftuarit që sigurisht do të dialogojnë përmes muzikës me artistin shqiptar.
Improvizimet skenike të artistit, si të fundit herë që Çezari i dhuroi Tiranës një koncert kur i gjithë publiku u ngrit në këmbë, premtojnë edhe kësaj here ndërveprim.

“Është diçka që vjen natyrshëm. Siç ndodhi në 2017-ën. Publiku ngarkohet me energji dhe mandej shpërthejnë shkëndijat. Në momente të tilla nuk ka shumë vend për të menduar për programin, ndaj tejkalohet”.

Do ta shoqërojë “gjeniun” e violinës në skenën e Pallatit të Kongreseve grupi i tij “I clandestini internazionali” (Klandestinët ndërkombëtarë) me të cilin ai bën xhiron e botës prej 10 vitesh, duke shfaqur koncerte në SHBA, Kanada, Zvicër, Francë, Vietnam, Tailandë, Kinë etj. Një grup, emri i të cilit mbart një copëz histori të anëtarëve, pasi pavarësisht se kanë nënshtetësi italiane, vijnë nga vende të ndryshme, duke u bërë ambasadorë të muzikës në botë.

Pjesëmarrja e këngëtares (gjithashtu kërcimtare) Lavinia Mancusi, ndër emrat më të njohur të muzikës popullore në Itali, premton se do të këndohet shqip.

“Më shoqëron e vetmja këngëtare italiane që këndon shqip në të gjithë botën dhe kësaj here ajo do të performojë një këngë shumë të famshme shqiptare. Se cila do të jetë, do ta zbulojmë nesër (sot)”, shprehet Çezari.

Muzika e Olen Çezarit është aktualisht në kërkim të “7 mrekullive të botës së re”. Artisti shqiptar, duke luajtur në violinë në supin e statujës së Krishtit në Rio de Zhaniero, është hapi i parë i këtij projekti dhe padyshim një nga performancat më sugjestive të tij.

“Ne udhëtojmë shumë, pasi na vijnë propozime për koncerte, kështu pata fatin dhe nderin të interpretoj edhe aty. Ishte një mundësi e mirë, madje ndonjëherë më duket e pabesueshme. Kur shikoj videon, në supën e Krishtit në Rio pyes veten: Unë jam ai?!”

Për violinistin, “Ave Maria in Rio” është një udhëtim shpirtëror dhe introspektivë në një vend të fshehur në zemrën tonë.

“Një dhomë e vogël që ne kemi harruar se ekziston ‘dashuria e pastër’. E pastër, si dashuria e një nëne për fëmijën e saj, që e ndjek në eksplorimin e botës hap pas hapi”.

Dashuria është një nga elementët që njerëzit kanë më së shumti nevojë, për më tepër një vend si Shqipëria, ku sipas tij, marrëdhëniet janë më të ftohta e urat e komunikimit më të largëta.

“Njerëzit në vendin tonë kanë nevojë t’i shprehin më shumë dashuri njëri-tjetrit. Kjo do t’i bënte disi të zbuteshin, pasi janë gati të egërsuar, të tendosur si telat e një violine”.

Dashurinë për Shqipërinë Oleni e tregon duke lartësuar emrin e saj dhe vlerave kulturore e historike që mbart. Si gjatë fundit të vitit që lamë pas, ku në 550-vjetorin e ndarjes nga jeta të heroit tonë kombëtar Skënderbeut ai bëri bashkë emra të njohur artistësh shqiptarë në mbarë botën, në teatrin “Argentina” në Romë. Një ngjarje që u shoqërua edhe me praninë e Papa Françeskut.

Ka interpretuar përpara shumë personaliteteve shtetërore në botë, mes të cilëve Giovanni Paolo II, Ratzinger dhe Papa Francesco. Lucio Dalla e konsideronte Olen Çezarin si “gjeniun e violinës”. Kantautori i madh bolonjez ishte vetëm një nga shumë artistët që kanë dashur ta kenë në krahë në skenë apo në sallë të regjistrimit: nga Bob Dilan, tek Michel Petrucciani, Lenny Kravitz, Maroon 5, Sheryl Crow, Sergio Cammariere, Franco Califano, Claudio Baglioni, Simone Cristicchi (luan në violinë tek “Ti regalerò una rosa”) apo Anna Oxa dhe Zucchero.

Komunizmi ishte në rënie kur violinisti nga Durrësi, falë një burse, u largua për të studiuar në Santa Cecilias në Romë. Gjeniu që mundi të performojë para publikut kur ishte vetëm pesë vjeç, e të bëhet pjesë e Institutit të Arteve në moshën 10- vjeçare, e kishte përfunduar të gjithë repertorin në dispozicion në periudhën e diktaturës, duke u bërë kjo një tjetër arsye e transferimit të tij jashtë shtetit, së bashku me emrat si Tedi Papavrami, Klodiana Skënderi etj.

Ishte i pari i diplomuar në Konservatorin e Tiranës në moshën 14-vjeçare. Mirëpo, edhe pse në Itali do t’i propozonin të kalonte direkt në provimet finale, ai do të zgjidhte të thellonte studimet e tij, duke shënuar një tjetër record: studenti i parë i diplomuar në konservatorin Santa Cecilia kur ishte vetëm 17 vjeç. Më tej do t’i vijonte studimet në Mozarteum të Salzburgut, por Roma do ta thërriste përsëri. Kësaj here për të jetuar do të performonte në rrugë. Aty do të njihej edhe me një muzikant që do ta ndihmonte të çonte muzikën e tij në SHBA. E priste një udhëtim plot sfida, të cilin e nisi në New York me vetëm një violinë dhe një dollar në xhep. Por, talenti e parapriu fatin e tij, e pas punëve në kafene do të bashkëpunonte me emra të njohur të muzikës. Të parin album e publikoi pas 20 vitesh karrierë dhe si zë përfaqësues në të zgjodhi muzikantin e njohur italian, të ndjerin Lucio Dalla. Virtuozi i violinës interpreton në të gjitha zhanret e muzikës nga klasikja, muzika pop, rok etj.

Sot pohon se ndihet i lumtur që përfaqëson popullin shqiptar përmes artit të tij, po ashtu edhe Italinë.

“I bëj të dyja dhe ndihem sikur krijoj një tjetër urë mes këtyre dy vendeve që kanë një vëllazëri shekullore”. /Shekulli/