LAJMI I FUNDIT:

OJQ-të: Falja e borxheve nuk mund të bëhet pa aprovimin e Kuvendit

OJQ-të: Falja e borxheve nuk mund të bëhet pa aprovimin e Kuvendit

Instituti GAP, Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GSJP) dhe Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP) konsideron se falja e borxheve për shfrytëzuesit e ujit është në kundërshtim me parimet dhe legjislacionin në fuqi, dhe se falja e tyre nuk mund të bëhet me vendim ekzekutiv të qeverisë, pa marrë aprovimin e kuvendit.

Duke përkujtuar se më 3 tetor, Qeveria e Kosovës mori vendim për faljen e borxheve për detyrimet që kanë ambalazhuesit e ujit ndaj buxhetit të Kosovës që nga viti 2008, GSJP, INDEP dhe Instituti GAP kundërshtojnë këtë vendim duke e cilësuar si të kundërligjshëm, të padrejtë dhe i cili dëmton qëndrueshmërinë e sektorit të ujërave dhe buxhetin e Kosovës.

“Sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe Ligjit për ujërat e Kosovës, burimet ujore janë pasuri me interes të përgjithshëm dhe pronë e Republikës së Kosovës. Vendimi për faljen e borxheve për ambalazhuesit e ujit është në kundërshtim me përcaktimin e pronësisë së burimeve ujore të Republikës së Kosovës, sepse nga ky vendim ka përfituar një grup shumë i vogël nga kjo pasuri shtetërore”, thuhet në reagim.

Instituti GAP, INDEP dhe GSJP kërkojnë që vendimi për faljen e borxheve ndaj ambalazhuesve të ujit të revokohet dhe i bëjnë thirrje Prokurorisë së Kosovës të fillojë hetimin e personave dhe zyrtarëve të përfshirë në këtë vendim të jashtëligjshëm dhe motivet financiare të këtij vendimi. /Telegrafi/