LAJMI I FUNDIT:

Oferta e “Dukagjini”-t në Panairin e Tiranës – 29 tituj të rinj

Oferta e “Dukagjini”-t në Panairin e Tiranës – 29 tituj të rinj

Fiks 29 tituj të rinj përbëjnë ofertën që shtëpia botuese “Dukagjini” e sjell për lexuesin shqiptar, në ekspozitën e librit në Tiranë. Prej tyre nëntë prezantohen ekskluzivisht në Panair, ndërsa pjesa tjetër janë tituj të botuar që prej edicionit të kaluar të panairit.

Kanë mbetur vetëm 5 ditë deri në hapjen e perdes së panairit “Tirana 2022” dhe gjithçka është gati për festën e madhe të librit.

Siparin e hap libri “Arti poetik” nga Nikola Bualo. Lexuesit, në panarin më të madh të librit në Shqipëri, i ofrohen edhe katër libra të rinj nga seria unike e kolanës “Anima”, duke nisur nga “Shtrëngimi i vidhës” i Henry James, “Shënimet e një të vdekuri” nga Mihail Bullgakov, “Maitreji” nga Mircea Eliade dhe “Varfanjaku i Zotit” i Nikos Kazanxaqis. Këta libra, i shtohen 4 të tjerëve – “Sonata e Krojcerit” nga Lev Tolstoi, “Zhdukja e mistershme e markezes së re De Loria” nga José Donoso, “Ledi Makbeth nga guberna e Mcenskut” nga Nikolai Leskov dhe “Mjegull” nga Miguel de Unamuno, të cilët “Dukagjini” i kishte prezantuar para publikut shqiptar edhe në edicionin e kaluar të Panairit. Duke mbledhur në këtë seri veprat më të njohura të letërsisë botërore, “Anima” është oferta për lexuesin e dhënë pas vlerave të mirëfillta artistike letrare.

Me kaq nuk përmbyllet oferta e “Dukagjini”-t në librat letrarë. Të shqipëruara mjeshtërisht nga bashkëpunëtorët e kësaj shtëpie botuese, vijnë katër librat e parë të serisë së nobelistit Hermann Hesse, si “Ujku i stepës”, “Peter Camenzind”, “Demiani” dhe “Nën rrotë”. “Dukagjini” do të botojë në një seri 16 libra të Hesses, shkrimtarit,  poetit dhe piktorit gjermano-zviceran që trandi botën me librat e tij.

Ekskluzivisht në Panair promovohet novela “Pranvera romane e zonjës Stoun” nga Tennessee Williams, ndërsa krahas saj, ndërmjet dy panaireve, “Dukagjini” ka botuar edhe romanet “Mëngjes te Tiffanny” nga Truman Capote, “Vepra e saj” nga Alketa Xhafa-Mripa dhe “Në banesën e mishtë” nga Valerio Magrelli. “Dukagjini” prezanton edhe dy libra nga autori Shpëtim Selmani, “Libërthi i dashurisë” dhe “Balada e buburrecit”. Autori do të jetë të shtunën e 19 nëntorit te shtandi i “Dukagjini”-t për të qenë afër lexuesve të tij.

Në shtandin e “Dukagjinit” vend të posaçëm gjejnë librat e filozofit Glauk Konjufca: “Ontologjia e Artit të Shtatë” dhe “Epistema e Dhomës së Zezë”.

Libri “Gjej kohë” nga Jake Knapp dhe John Zeratsky, si dhe libri “Trajneri i mentalitetit të zhvillimit” nga Annie Brock dhe Heather Hundley vijnë për herë të parë në shqip, ekskluzivisht në Panair. Për lexuesin e pasionuar të teknologjisë dhe psikologjisë, ndërmjet dy panairieve “Dukagjini” ka botuar edhe librin “Pse s’ma ka thanë njeri më parë” nga Dr. Julie Smith, si dhe “Mindsight – Vëzhgimi i mendjes” nga Daniel Siegel dhe Tina Payne, autorë të librit “Truri i fëmijës” që vazhdon të ngjallë interesimin e lexuesit në Kosovë.

Pas serisë së lektyrave për klasën e parë dhe atyre për klasën e dytë, “Dukagjini” ka nisur botimin e lektyrave për klasën e tretë. “Shigjeta e kaltër” nga Gianni Rodari, “Si u bënë kafshët siç janë sot” nga Rudyard Kipling dhe “Kallëzimet e gjyshe Pastërtores” nga Bedri Dedja vijnë me ilustrime origjinale dhe të veçanta, ekskluzivisht në Panair. Ofertës së “Dukagjini”-t për lexuesit e vegjël i shtohen edhe librat që janë botuar ndërkohë, si “Ditët e shkronjave” nga Shkëndije Bokshi Nagavci dhe Saranda Kumnova Pozhegu, “Bota e kafshëve” dhe “Eja t’i zgjidhim problemat” nga autoret Rajmonda Kurshumlia dhe Saranda Kumnova Pozhegu si dhe “Gres” nga Bardh Rugova dhe Gresa Rugova.

Panairi i librit “Tirana 2022” mbahet mes datave 16 dhe 20 nëntor, në Pallatin e Kongreseve në Tiranë. Edicioni i 25-të i panairit mbahet me moton “Të gjithë jemi lexues”. Nën organizimin e Shoqatës së Botuesve Shqiptarë, ky është panairi më i madh i organizuar në hapësirën shqipfolëse.

Shtëpia botuese “Dukagjini” ju fton që të ndaleni te shtandi i saj dhe të bashkëbisedoni me ekipin që do të jetë i gatshëm për të dhënë sqarimet e nevojshme për librat që ju dëshironi t’i keni.

Artikull i sponzorizuar