0Shares

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, pak ditë pasi mori detyrën si kryeministër i vendit, nuk ka hezituar t’i fyejë gazetarët.

Gjatë një konference për shtyp, një pyetje të gazetarëve rreth Demarkacionit me Malin e Zi, kryeministri nuk është përgjigjur por u ka sugjeruar që të kryejnë shkollë dhe të lexojnë më shumë, sepse sipas tij, nuk po i kuptojnë gjërat.

Reagimi i kryeministrit erdhi pas një pyetje që iu bë lidhur me qëndrimin e SHBA-ve, për çështjen e Demarkacionit, ku mediat raportuan se SHBA-të kanë pohuar se ata do ta njohin vetëm versionin e tanishëm të demarkacionit dhe asnjë version tjetër.

Ndërkohë, përmes një komunikate nga Zyra e Kryeministrit thuhet se Haradinaj ka kërkuar vetëm profesionalizëm dhe etikë prej disa gazetarëve dhe asgjë më shumë.

“Sot pasdite kemi marrë një letër nga AGK, e cila një apel të Kryeministrit Haradinaj që disa gazetarë të jenë më profesionistë dhe më të shkolluar, e ka konsideruar si ofendim ndaj gazetarëve dhe mediave.

Z. Haradinaj ka kërkuar vetëm profesionalizëm dhe etikë prej disa gazetarëve dhe asgjë më shumë.

Na vjen keq nëse dikush, nga mosdija apo qëllimisht, ka bërë cilësime të pasakta të kësaj natyre.

Kryeministri Hardinaj dhe kabineti i tij e kanë filluar punën duke qenë më të hapur se cilado Qeveri e mëparshme ndaj mediave dhe gazetarëve, dhe kështu do të jetë deri në fund të mandatit.

Transparenca jonë duhet të jetë e mjaftueshme që gazetarë dhe media të caktuara po ashtu të jenë korrekte dhe profesionale në raport me Kryeministrin Haradinaj dhe Qeverinë e tij”, thuhet në komunikatën e Kryeministrisë. /Telegrafi/

Të Ngjajshme
Shfaq Komentet (0)