LAJMI I FUNDIT:

OEAK: Mungesa e sigurisë juridike të bizneseve në raport me të drejtat pronësore pengon zhvillimin ekonomik të vendit

OEAK: Mungesa e sigurisë juridike të bizneseve në raport me të drejtat pronësore pengon zhvillimin ekonomik të vendit

Çështjet pronësore përbëjnë një aspekt tejet të rëndësishëm në të bërit biznes, derisa sfida të ndryshme burojnë nga legjislacioni i cili rregullon të drejtat mbi pronën e paluajtshme në vend, shkalla e gjerë e informalitetit në sektorin e pronave dhe zbatimi jo-konsistent i këtyre të drejtave.

Kjo u tha, ndër të tjera, në tryezën e fundit virtuale të organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë në bashkëpunim me programin e USAID për Drejtësi Komerciale, ku u trajtua tema e të drejtave pronësore të bizneseve.

Matthew Cullinane, zyrtar për ndërmarrje private në zyrën e USAID për Rritje Ekonomike, tha se qeveria duhet t’u hap rrugë bizneseve përmes krijimit të lehtësirave për procedurat për kryerjen e aktiviteteve të tyre, dhe përmes rregulloreve gjithëpërfshirëse, duke krijuar kështu mundësi më të mira për rritje dhe zhvillim ekonomik. Cullinane informoi pjesëmarrësit për strategjinë e USAID, e cila është e orientuar nga tregu dhe ndërmarrjet private, derisa theksoi se brenda së njejtës rëndësi e veçantë i jepet zbatimit të arbitrazhit, ndërmjetësimit, dhe metodave alternative për zgjidhjen e kontesteve. Sipas tij, sistemet ligjore në çdo vend kanë hapësirë për përmirësim, megjithatë një sistem i besueshëm ligjor brenda shtetit sidomos në aspektin komercial, është kyç për të siguruar zhvillimin e sektorit privat dhe rritjen e atraktivitetit të bizneseve para investitorëve të huaj.

Erblina Krasniqi, avokate dhe përfaqësuese ligjore e kompanisë Tregtia, theksoi se disa nga problemet më kruciale të cilat bizneset i hasin në lidhje me të drejtat pronësore rrjedhin nga burokracia në institucione. Sipas saj, kjo krijon sfida të mëdha sidomos duke marrë parasysh rritjen e numrit të ndërtimeve të reja që nga koha e pasluftës të cilat tani shpeshherë nuk regjistrohen në mënyrë të mirëfilltë. Tutje, ajo shtoi se ekzistojnë kontradikta në mes të ligjeve në vend, ku përmendi sfidat në bartjen e pronësisë. Krasniqi tha se kundërshtimet e tilla ndodhin si pasojë e hartimit të ligjeve nga aspekti individual e jo ai biznesor, gjë që krijon një kolateral të pashfrytëzueshëm pasi që këto prona nuk mund të hipotekohen, shiten apo tjetërsohen. Për fund, Krasniqi cilësoi se themelimi i Gjykatës Komerciale, e cila tani më ka kaluar fazën e konsultimit publik, do të ishte një avantazh i madh për Kosovën në aspektin e zgjidhjes së kontesteve komerciale.

Kujtesa Nezaj-Shehu udhëheqëse e zyrës si dhe avokate në SDP Kosova, potencoi se në asetet e bizneseve përveç atyre monetare dhe pronës së prekshme, pjesë shumë e rëndësishme është edhe pronësia intelektuale, duke shtuar se kjo pronë është ajo që bën dallimin mes një biznesi dhe konkurentëve të tij. Duke u ndërlidhur me sfidat që hasin bizneset në vend, Nezaj-Shehu theksoi se ndërgjegjjësimi ndaj rëndësisë së pronës intelektuale nuk është edhe aq i lartë, gjë që e bën të pamundur identifikimin dhe mbrojtjen e saj. Ajo theks të veçantë i dha mbrojtjes të së drejtave mbi pronën intelektuale, gjersa bëri thirrje tek bizneset që mbrojtjen e të njëjtave ta shohin si investim, dhe të ndjekin procedurat e nevojshme administrative për të siguruar mbrojtjen e pronave intelektuale si të drejtat e autorit, patentat, markat tregtare dhe dizajnet, që duhet të regjistrohen në organet kompetente. /Telegrafi/