LAJMI I FUNDIT:

Oda Amerikane shënoi 20-vjetorin e themelimit, Hovenier thekson kontributin në zhvillimin ekonomik të Kosovës

Oda Amerikane shënoi 20-vjetorin e themelimit, Hovenier thekson kontributin në zhvillimin ekonomik të Kosovës
Foto: Arkiv

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë shënoi njëzetvjetorin e themelimit me një pritje ku morën pjesë mysafirë dhe personalitete të shquara, përfshirë anëtarët themelues.

Me këtë rast, Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, theksoi arritjet dhe kontributin e rëndësishëm të Odës Amerikane në zhvillimin ekonomik të Kosovës.


Duke reflektuar mbi rrugëtimin e Odës Amerikane që nga themelimi i saj në vitin 2004, ambasadori Hovenier nënvizoi rritjen e saj të jashtëzakonshme, nga 21 anëtarë themelues në një komunitet prej 260 anëtarësh sot.

Ai vlerësoi qëndrueshmërinë dhe adaptueshmërinë e organizatës, veçanërisht gjatë kohërave sfiduese siç ishte pandemia e fundit, ku Oda Amerikane demonstroi përkushtimin e saj duke kaluar me shpejtësi në platformat virtuale dhe duke organizuar mbi 100 ngjarje online, thuhet në komunikatë.

Duke folur për mjedisin ekonomik të Kosovës, ambasadori Hovenier theksoi potencialin për tregti dhe investime, duke iu referuar edhe sfidave ekzistuese. Ai lavdëroi Odën Amerikane për përpjekjet e saj avokuese në angazhimin me qeverinë për adresimin e këtyre shqetësimeve, duke riafirmuar mbështetjen e palëkundur të Shteteve të Bashkuara për rritjen dhe prosperitetin ekonomik të Kosovës.

Duke folur për të ardhmen, ambasadori Hovenier artikuloi dy aspirata kyçe për Odën Amerikane dhe anëtarët e saj. Së pari, ai inkurajoi promovimin më të madh të iniciativave të përgjegjësisë sociale korporative, duke mirënjohur ndikimin pozitiv të bizneseve në shoqërinë dhe ekonominë e Kosovës. Së dyti, ai theksoi rëndësinë e diversitetit, barazisë dhe gjithëpërfshirjes brenda Odës Amerikane, duke u kërkuar anëtarëve që të angazhohen për përfaqësim dhe gjithëpërfshirje më të madhe.

Në përfundim, Ambasadori Jeffrey Hovenier shprehu optimizmin për të ardhmen e Odës Ekonomike Amerikane, duke u kërkuar anëtarëve që të vazhdojnë punën e tyre shembullore për një organizatë që është kampione e përgjegjësisë sociale, rritjes gjithëpërfshirëse dhe e cila fuqizon pozitën e Kosovës në ekonominë globale, thuhet në komunikatën e Odës Ekonomike Amerikane .