Viti i dytë i pandemisë mund të jetë edhe më i vështirë sesa i pari duke pasur parasysh se sa shpejt po përhapet virusi, veçanërisht në hemisferën veriore, njoftoi Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH).

“Ne jemi duke hyrë në vitin e dytë të pandemisë, e cila mund të jetë edhe më e vështirë për shkak të dinamikës së transmetimit dhe disa gjërave të tjera që shohim”, tha zyrtari i lartë i OBSH-së, Mike Ryan.

Gati dy milionë njerëz vdiqën gjatë epidemisë në të gjithë botën, ndërsa rreth 91.5 milionë u infektuan, raporton reuters.

OBSH-ja ka njoftuar se – pas dy javësh më pak raste – rreth pesë milionë raste të reja të coronavirusit janë raportuar në shtatë ditët e fundit, si rezultat i relaksimit gjatë sezonit të festave.

Mes frikës në rritje të një lloji të ri më ngjitës të coronavirusit që po përhapet në të gjithë botën, qeveritë evropiane prezantuan masa më të rrepta këtë javë për të luftuar pandeminë. /Telegrafi/