OBSH: Virusi Ebola përhapet në një zonë të re shëndetësore në RD të Kongos

Numri i zonave shëndetësore të prekura nga Ebola në Republikën Demokratike të Kongos është rritur në 61 në gjashtë provinca, pasi virusi u përhap në Zonën Shëndetësore Kayna në provincën e Kivusë së Veriut.
Sipas raportit mbi situatën nga Zyra Rajonale e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) për Afrikën, të paktën 6.686 raste janë regjistruar, përfshirë 3.226 vdekje, që nga shpërthimi i epidemisë në mesin e muajit maj.
Raporti tha se modeli epidemiologjik i shpërthimit të variantit Bundibugyo të virusit në Kongo po bëhet gjithnjë e më heterogjen, me prirje të ndryshme të transmetimit në provincat dhe zonat shëndetësore të prekura.
"Prirjet konfirmojnë një epidemi gjithnjë e më heterogjene, ku rënia e transmetimit në disa zona po ndodh paralelisht me intensifikimin dhe përhapjen e vazhdueshme gjeografike në zona të tjera", thuhet në raport.
Provincat e prekura përfshijnë Haut-Uele, Ituri, Kivunë e Veriut, Kivunë e Jugut, Bas-Uele dhe Tshopo.
Ituri mbetet vatra kryesore, ndërsa transmetimi i konsiderueshëm vazhdon në Kivunë e Veriut dhe Haut-Uele dhe zona të reja vazhdojnë të preken.
OBSH-ja theksoi rritjen e përqindjes së vdekjeve që ndodhin në komunitet. Nga 31 gushti deri më 6 shtator, përqindja e vdekjeve të konfirmuara që ndodhën në komunitet arriti në 75 për qind, nga 56,6 për qind dy javë më parë.
Raporti theksoi se vazhdimi i nivelit të lartë të vdekshmërisë në komunitet mund të pasqyrojë pengesa të shumta, përfshirë zbulimin dhe raportimin e vonuar të rasteve, transferimin e vonuar në qendrat e trajtimit, njohjen e kufizuar të sëmundjes, pengesat gjeografike dhe të transportit, si dhe nivelin e besimit të komunitetit.
“Kjo mospërputhje është shqetësuese, pasi rritja e vdekjeve në komunitet, krahas rënies së vazhdueshme të vdekjeve në qendrat e trajtimit, tregon se ulja e mëparshme e vdekshmërisë së përgjithshme nuk është ruajtur”, thuhet në raport.
Qeveria e RD të Kongos dhe partnerët shëndetësorë javën e kaluar nisën një plan të rishikuar shumësektorial 180-ditor, me vlerë 1.3 miliardë dollarë, që synon zgjerimin dhe koordinimin e reagimit për të ndërprerë zinxhirët e transmetimit të virusit.
Plani parashikon fuqizim masiv të mbikëqyrjes epidemiologjike, gjurmimit të kontakteve, angazhimit të komunitetit, komunikimit të rrezikut dhe kapaciteteve logjistike si dhe përgatitjen e provincave në rrezik. /AA/




































