LAJMI I FUNDIT:

OBSH publikon “udhëzimet për Ramazanin, gjatë pandemisë COVID-19” – flet edhe për agjërimin

OBSH publikon “udhëzimet për Ramazanin, gjatë pandemisë COVID-19” – flet edhe për agjërimin

Organizata Botërore e Shëndetit ka publikuar një dokument në të cilin ka trajtuar disa çështje që kanë të bëjnë me Muajin e shenjtë të Ramazanit, muaj ky që gjatë këtij viti i bie në kohën kur bota po përballet me pandeminë COVID-19.

Siç thuhet në dokumentin “Praktikat e sigurta të Ramazanit në kontekstin e COVID-19: udhëzime të përkohshme”, Muaji i shenjtë i Ramazanit shënohet nga tubime shoqërore dhe fetare ku familjet dhe miqtë myslimanë bashkohen për të ‘prishur’ agjërimin e tyre së bashku, pas perëndimit të diellit gjatë iftarit – ose para agimit gjatë syfyrit.


Po sipas dokumentit në fjalë, përcjell Telegrafi, shumë myslimanë rritin frekuentimin e tyre në xhami gjatë muajit dhe mblidhen për lutje më të gjata.

Madje, vihet në pah fakti se disa myslimanë gjithashtu kalojnë ditë dhe netë radhazi në xhami, gjatë 10 ditëve të fundit të Ramazanit (i’tikaf) për lutje.

Por, thekson OBSH, këtë vit Ramazani bie që nga fundi i prillit deri nga fundi i majit – ndërsa vazhdon pandemia e COVID-19.

Në këtë drejtim, OBSH thotë se transmetimi i COVID-19 mund të lehtësohet nga kontakti i ngushtë midis njerëzve, pasi virusi përhapet përmes pikave të frymëmarrjes dhe kontaktit me sipërfaqet e kontaminuara.

Kështu që, për të zbutur ndikimin në shëndetin publik, disa vende kanë zbatuar masa fizike për distancimin duke zvogëluar ndërveprimin midis njerëzve.

“Këto masa janë mekanizma themelorë të kontrollit për të kontrolluar përhapjen e sëmundjeve infektive, veçanërisht infeksionet e frymëmarrjes, të shoqëruara me tubime të mëdha të njerëzve”, thuhet në dokument, duke shtuar se “masat fizike të distancimit, përfshirë mbylljen e xhamive, monitorimin e tubimeve publike dhe kufizimet e tjera të lëvizjes, do të kenë implikime të drejtpërdrejta për tubimet shoqërore dhe fetare në qendër të Ramazanit”.

Dhe qëllimi i këtyre është që vendet në të gjithë botën të marrin masa të ndryshme për të kontrolluar përhapjen e COVID-19.

“Ky dokument nxjerr në pah këshillat e shëndetit publik për praktikat dhe tubimet sociale dhe fetare gjatë Ramazanit që mund të zbatohen në kontekste të ndryshme kombëtare”, thuhet më tej.

“Anulimi i tubimeve shoqërore dhe fetare duhet të konsiderohet seriozisht”.

OBSH, pra, rekomandon që “çdo vendim për të kufizuar, modifikuar, shtyrë, anuluar, ose vazhduar me tubimet masive duhet të bazohet në një ushtrim të standardizuar të vlerësimit të rrezikut. Këto vendime duhet të jenë pjesë e një qasje gjithëpërfshirëse të marrë nga autoritetet kombëtare për t’iu përgjigjur shpërthimit”.

“Nëse anuloni tubimet sociale dhe fetare, kur është e mundur, mund të përdoren në vend të kësaj alternativa virtuale duke përdorur platforma të tilla si televizioni, radio, dixhitale, dhe media sociale. Nëse tubimet e Ramazanit lejohen të vazhdojnë, masat për të zbutur rrezikun e transmetimit të COVID-19 duhet të zbatohen”, thuhet në dokumentin e OBSH-së.

Duke përmendur çështje si agjërimi, dokumenti thotë se “asnjë studim mbi agjërimin dhe rrezikun e infeksionit COVID-19 nuk është kryer”.

“Njerëzit e shëndetshëm duhet të jenë në gjendje të agjërojnë gjatë këtij Ramazani si në vitet e kaluara, ndërsa pacientët me COVID-19 mund të marrin parasysh lejet fetare në lidhje me prishjen e agjërimit në konsultim me mjekët e tyre, siç do të vepronin me ndonjë sëmundje tjetër”, thuhet në dokumentin e OBSH-së, përcjell Telegrafi.

Veç kësaj, udhëzuesi i OBSH-së ka vënë një theks të veçantë edhe rreth aktivitetit gjatë pandemisë COVID-19, ku shumë njerëz janë të kufizuar në lëvizjet e tyre – duke shtuar se, nëse kufizimet lejojnë, praktikoni gjithmonë distancën fizike dhe higjienën e duhur të duarve – edhe gjatë ndonjë aktiviteti ushtrimor.

Sa i përket dietës dhe ushqimit të shëndetshëm, dokumenti i OBSH-së thotë se ushqimi i duhur dhe hidratimi janë jetik gjatë muajit të Ramazanit.

“Njerëzit duhet të hanë çdo ditë një larmi ushqimesh të freskëta dhe të papërpunuara dhe të pinë shumë ujë”, thuhet ndër tjerash në dokumentin e publikuar nga Organizata Botërore e Shëndetit. /Telegrafi/