OBRM-PDUKM: Qeveria aktuale ka rritur pagat më shumë se në kohën e LSDM-së dhe BDI-së

Nga partia në pushtet, OBRM-PDUKM, thonë se pagat dhe pensionet në periudhën e Qeverisë aktuale rriten dukshëm më shpejt sesa në kohën kur në pushtet ishin LSDM dhe BDI.
Deputetja Dragana Bojkovska në konferencë për shtyp bëri krahasim të lëvizjes së pagës mesatare dhe pensionit të pleqërisë në të dy periudhat, duke vlerësuar se rezultatet ekonomike të Qeverisë shihen pikërisht përmes këtyre shifrave.
Sipas të dhënave që ajo prezantoi, në qershor 2017 paga mesatare ishte rreth 22.800 denarë, ndërsa në maj 2024 arriti 41.250 denarë.
Kjo, sipas OBRM-PDUKM-së është rritje prej më shumë se 18.400 denarë për shtatë vjet, pra rritje mesatare prej rreth 220 denarë në muaj.
Bojkovska thekson se në korrik 2024 paga mesatare ishte rreth 40.900 denarë, ndërsa deri në maj 2026 u ngjit mbi 49.500 denarë. Kjo është rritje prej rreth 8.600 denarë për 23 muaj, pra mesatarisht më shumë se 370 denarë në muaj.
Nga partia llogarisin se kjo paraqet rritje mujore rreth 70 për qind më të shpejtë të pagës mesatare krahasuar me periudhën 2017–2024.
Partia bën krahasim të ngjashëm edhe te pensionet. Në qershor 2017 pensioni mesatar i pleqërisë, sipas të dhënave të tyre, ishte nën 15.300 denarë, ndërsa në maj 2024 mbi 22.900 denarë.
Në korrik 2024 pensioni mesatar i pleqërisë ishte rreth 22.850 denarë, ndërsa në maj 2026 mbi 29.700 denarë. Kjo, sipas VMRO‑DPMNE, është rritje prej më shumë se 6.800 denarë për 23 muaj.
Partia pretendon se rritja mujore e pensionit të pleqërisë në mandatin aktual të Qeverisë është rreth 325 për qind më e madhe krahasuar me periudhën kur në pushtet ishin LSDM dhe BDI.
“Kjo është dallimi mes politikave që sjellin rezultate dhe politikave që mbeten vetëm në fjalë”, porositi Bojkovska.




































