Nxehtësi ekstreme në Britani, rekordi i vitit 1995 mund të thyhet

Një rekord i vendosur 31 vjet më parë për numrin e ditëve me temperatura mbi 30°C në Mbretërinë e Bashkuar mund të barazohet sot dhe të thyhet në fillim të javës së ardhshme.
Deri tani këtë vit, në një pjesë të territorit të Mbretërisë së Bashkuar janë regjistruar 33 ditë me temperatura mbi 30°C. Kjo është vetëm një ditë më pak se rekordi prej 34 ditësh i vendosur në vitin 1995.
Temperaturat pritet të rriten sërish të martën, të mërkurën dhe të enjten, duke e çuar vendin drejt një rekordi të ri meteorologjik, ndërsa Britania përgatitet për valën e pestë të të nxehtit këtë verë.
Sipas të dhënave të Zyrës Meteorologjike britanike, temperaturat të shtunën mbetën fare pranë pragut prej 30°C. Temperatura më e lartë u regjistrua në Hull, ku termometri arriti në 29.8°C.
Moti ekstrem i kësaj vere është lidhur me një periudhë të cilës ekspertët i referohen si një ndryshim “historik dhe të pashembullt” në klimën e Mbretërisë së Bashkuar, ku janë thyer një sërë rekordesh.
Si maji, ashtu edhe qershori shënuan rekorde të reja mujore të temperaturave në Mbretërinë e Bashkuar, ndërsa korriku ishte muaji më i thatë i regjistruar ndonjëherë.
Mungesa e reshjeve ka përkeqësuar gjithashtu situatën e thatësirës. I gjithë Uellsi dhe rreth gjysma e Anglisë aktualisht përballen me kushte thatësire.
Ndërkohë, Agjencia e Sigurisë Shëndetësore e Mbretërisë së Bashkuar ka paralajmëruar se vendi mund të shënojë numrin më të lartë të vdekjeve të lidhura me temperaturat e larta në historinë e tij.




































