LAJMI I FUNDIT:

Numri i të vdekurve nga COVID-19 shkon në mbi 10 mijë në Turqi

Numri i të vdekurve nga COVID-19 shkon në mbi 10 mijë në Turqi

Numri i të vdekurve pas infektimit me coronavirusin e ri (COVID-19) në Turqi ka shkuar në mbi 10 mijë, tha ministri i Shëndetësisë i vendit, transmeton Anadolu Agency.

Turqia regjistroi 77 viktima të reja nga COVID-19 gjatë 24 orëve të fundit, duke e çuar numrin në 10.027, tha Fahrettin Koca pas një takimi të Bordit Këshillimor Shkencor të Coronavirusit në Stamboll.


Vendi regjistroi gjithashtu 2.305 pacientë të rinj me coronavirus, duke e çuar numrin e përgjithshëm në 368.513, sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë.

Rreth 1.662 pacientë të tjerë, ndërkohë, janë shëruar gjatë ditës së kaluar, duke e rritur numrin e të shëruarve në 319.181.

Ndërkaq, vendi ka kryer mbi 13,6 milionë teste, përfshirë 128.312 në 24 orët e fundit.

Shifrat treguan se numri i pacientëve në gjendje kritike aktualisht qëndron në 1.836, ndërsa 5 për qind këtë javë vuajnë nga pneumonia.

Takimi i bordit, i cili është mbajtur në Ankara që nga fillimi i pandemisë, u zhvillua në Stamboll për herë të parë, pasi ministri i Shëndetësisë gjendet në një turne pesëditore në metropolin turk.

“Turqia nuk ka probleme që mund ta pengojnë sistemin shëndetësor”

Duke folur para gazetarëve, Koca tha se COVID-19 në Turqi aktualisht po transmetohet nga një person në një mesatare prej tre personash, duke u kërkuar qytetarëve të zvogëlojnë lëvizjen dhe kontaktet.

Duke theksuar se Turqia nuk ka probleme që mund ta pengojnë sistemin shëndetësor, ai tha se disiplina është e nevojshme për ta luftuar pandeminë.

“Nëse nuk e kontrollojmë situatën në Stamboll, pandemia më nuk do të jetë e menaxhueshme”, tha ai.

Ministri u bëri thirrje banorëve të Stambollit që kanë rezultuar pozitivë në virusin t’i raportojnë me saktësi kontaktet e tyre.

“Mos dilni nëse nuk është e nevojshme absolutisht”, tha ai.

“Shtyni festimet dhe ceremonitë jothelbësore. Kjo fazë kërkon disiplinë”, shtoi Koca.

Megjithatë, ai deklaroi se kufizimet në udhëtime nuk po shqyrtohen për momentin.